Autori i masakrës në Turqi, uzbek i stërvitur në Afganistan

Policia turke e ka arrestuar personin që dyshohet se natën e Vitit të Ri vrau 39 persona në një lokal nate të Stambollit.
Grupi militant, Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për kryerjen e sulmit, duke thënë se kjo ishte hakmarrje për përfshirjen e ushtrisë turke në Siri.
Lajmi tashmë është konfirmuar nga autoritetet turke, përfshirë edhe kryeministrin Binali Jildirim dhe guvernatorin e Stambollit, Vasip Sahin.
Ky i fundit ka thënë se gjatë marrjes në pyetje, i dyshuari, Abdulkadir Masharipov me origjinë nga Uzbekistani, e ka pranuar se e ka kryer sulmin në lokalin “Reina” të Stambollit, ndërsa edhe shenjat e gishtërinjve të tij janë të njëjta me ato që janë gjetur në vendin ku është kryer krimi. Sipas guvernatorit të Stambollit, Masharipov është i lindur në vitin 1983, ndërsa është trajnuar në Afganistan.
Disa orë pas arrestimit, kryeministri turk derisa ka folur para gazetarëve në Ankara, gjithashtu e ka konfirmuar arrestimin e Masharipovit. “Terroristi i neveritshëm që e ka sulmuar lokalin e natës natën e Vitit të Ri dhe ka shkaktuar vdekjen e shumë njerëzve është kapur në Stamboll gjatë një operacioni policor të 16 janarit. Ai tani po merret në pyetje”, ka thënë kryeministri turk, Binali Jildirim.
I dyshuari është kapur nga policia gjatë bastisjes së një shtëpie që është pronë e një miku që raportohet se është nga Kirgizia, raporton televizioni “NTV”. Sipas të njëjtit raport, Masharipov është munduar t’i rezistojë arrestimit.
Mediat raportojnë se djali 4-vjeçar i personit të arrestuar dje ka qenë me të gjatë bastisjes dhe së paku 4 persona të tjerë, përfshirë edhe një me origjinë nga Kirgizia, gjithashtu janë paraburgosur.
Policia turke, më 9 janar e ka identifikuar Masharipovin si sulmuesin e dyshimtë. Atëkohë, mediat duke u mbështetur në burime policore, kanë raportuar se Masharipov, i njohur edhe me pseudonimin, Abu Muhammed Horasani, ka lidhje me grupin terrorist, Shteti Islamik në Siri dhe Irak.
“NTV” raporton se policia e ka ditur lokacionin ku fshihej Masharipov që 4 apo 5 ditë, por ata nuk kanë ndërhyrë menjëherë me qëllim të monitorojnë lëvizjet dhe kontaktet e tij.
Policia e ka publikuar edhe një fotografi, që besohet se është e të dyshuarit, ku shihet një burrë me njolla gjaku në bluzën e tij, si dhe të prera dhe mavijosje në fytyrë.
“Ka shumë detaje që duhet të qartësohen, por derisa hetimet po vazhdojnë, më lejoni të ndaloj këtu. Zyrtarët tanë do të ndajnë detajet me publikun kur kësaj t’i vijë koha. Gjëja më kryesore është se kryesi i këtij sulmi të tmerrshëm është kapur. Tani do të përcaktohet fuqia pas këtij sulmi”, ka thënë më tej kryeministri turk, Jildirim.
Natën e Vitit të Ri, sulmuesi ka hyrë në lokalin e natës, “Reina” dhe ka shtënë ndaj të pranishmëve me pushkë automatike. Sipas autoriteteve, ai e ka rimbushur armën e tij së paku gjashtë herë, duke shtënë mbi të plagosurit derisa ata kanë qenë të shtrirë në tokë.
Në mesin e viktimave në klubin “Reina” kishte shtetas të Libanit, Francës, Izraelit dhe Arabisë Saudite.
Agjencitë e lajmeve duke cituar burimet e sigurisë, shkruajnë se më 17 janar ka pasur edhe operacione të tjera që po vazhdojnë kundër celulave terroriste. Prej mesit të vitit 2015, grupi Shteti Islamik fajësohet për së paku gjashtë sulme të tjera të mëdha në Turqi, përfshirë edhe atë ndaj një marshi paqësor në tetor të vitit 2015 ku u vranë mbi 100 persona në Ankara.

Stamboll, arrestohet i dyshuari për sulmin e natës së Vitit të Ri

Kryeministri turk, Binali Yildirim konfirmoi dje se autoritetet turke arrestuan autorin e dyshuar të sulmit që la 39 të vrarë në një klub nate në Stamboll, natën e ndërrimit të viteve.
Mediat turke e identifikuan javën e kaluar të dyshuarin, Abdulkadir Masharipovin nga Uzbekistani. Ai u arrestua gjatë një bastisjeje në një shtëpi në lagjen ku ai qëndronte me një shok nga Kirgistani. Gjatë këtij operacioni u arrestuan edhe pesë njerëz të tjerë, përfshirë tri gra.
Guvernatori i Stambollit, Vasip Sahin tha dje se shenjat e gishtave të Abdulkadir Masharipovit përputheshin me ato të sulmuesit dhe se ai ishte trajnuar në Afganistan dhe kishte hyrë në Turqi në janar të vitit 2016.
Zoti Sahin shtoi se është e qartë se sulmi u bë në emër të grupit Shteti Islamik. Militantët kanë marrë përgjegjësi për sulmin, duke e lidhur atë me operacionet ushtarake të Turqisë kundër tyre në Siri.

Exit mobile version