Në Paris, një ushtar francez plagosi me armë një burrë të armatosur me hanxhar. Personi kishte dy çanta në shpinë dhe po përpiqej të hynte në Muzeun e Luvrit.
Policia tha se personi iu vërsul patrullës së ushtarëve, duke thirrur në arabisht “Allahu akbar”, pasi i ishte thënë se nuk mund të hynte në zonën e dyqaneve me dy çantat që mbante në shpinë.
Zona e dyqaneve ndodhet nën muzeun e Luvrit.
Policia tha se njëri prej ushtarëve qëlloi pesë herë me armë ndaj personit, duke e plagosur atë, ndërsa njëri prej ushtarëve u plagos prej tij.
Kryetarja e Bashkisë, Anne Hidalgo, lavdëroi ushtarët dhe policët e pranishëm tek objekti.
“Do të doja të vlerësoja efektshmërinë e forcave të policisë dhe ushtrisë që mundën ta neutralizojnë përpara se ai të hynte në Luvër, pasi u ndalua në zonën e kontrollit. Mendimet e mia janë me ushtarin e plagosur dhe dua të shpreh solidaritetin e të gjithë parizienëve, pasi ai ndaloi sot në mëngjes dikë që do të sulmonte shumë njerëz të tjerë”.
Zyrtarët e sigurisë thanë se në çanta nuk u gjetën eksplozivë apo materiale të tjera të rrezikshme.
Fillimisht u njoftua se ishte ndaluar edhe një i dyshuar i dytë, por që më vonë u tha se, nuk kishte patur lidhje me sulmin.
Policia ka lejuar sërish hyrjen e vizitorëve, por vazhdon të ruajë masa të larta sigurie.