Autostradë dhe hekurudhë, Thaçi e Vuçiq vendosin firmat për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për hekurudhën dhe autostradën që lidh dy shtetet. Kjo është bërë nën prezencën e ambasadorit amerikan Richard Grenell dhe presidentëve të dy shteteve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq. Në ceremoninë e nënshkrimit ka marrë pjesë edhe ambasadori Philip Kosnett dhe Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës Serbe për Kosovën Marko Gjuriq.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për hapjen e linjës hekurudhore.
Pak para se të nisë Konferenca e Sigurisë në Munih është firmosur letra e shprehjes së interesit për autostrada dhe letra e shprehjes së interesit për hekurudha.

Përmes këtyre letrave, Kosova dhe Serbia shfaqin gatishmërinë për rihapjen e rrugëve që janë pjesë e korridoreve hekurudhore dhe rrugore si dhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy kryeqytetet me njëri-tjetrin, ashtu si edhe me Evropën.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se kjo marrëveshje është një hap tjetër i arritjeve të Kosovës për zhvillim ekonomik. Ai gjithashtu ka shprehur falënderime për Administratën Trump për përpjekjet e tyre në arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes dy shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Ambasadori Grenell të falënderoj për punën e shkëlqyer për këtë marrëveshje. Është një hap tjetër i arritur i progresit pas marrëveshjes së linjave ajrore Prishtinë-Beograd. Marrëveshja e sotme për hekurudha dhe autostrada është mesazhi më i mirë që rajoni do të ketë paqe, zhvillim ekonomik, progres, vende të punës, pra ajo çka ju duhet njerëzve tonë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

Kosova beson në lidershipin e presidentit Trump dhe Administratën që gjatë gjithë kësaj periudhe dhe viti punojnë për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi. Kjo është rruga që duhet të ndjekim në të ardhmen dhe të mos mbetemi peng i të kaluarës së hidhur mes vendeve dhe popujve tonë”.

Kjo marrëveshje është arritur me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell që njëherit është edhe i Dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Në muajin janar, Kosova dhe Serbia nënshkruan edhe ujdinë – e cila erdhi befasishëm – për rihapjen e linjës ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kjo dinamikë e re në raportet mes Kosovës dhe Serbisë vjen pas angazhimit të drejtpërdrejtë të të Dërguarit të Posaçëm të presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell.

Kurse, pak më herët drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, ka thënë se sot është një ditë e rëndësishme për lidhjen e kryeqytetit serb dhe “qytetit më të madh në provincën jugore serbe”.

“Kur kjo të realizohet një ditë, hekurudha midis Prishtinës, Podujevës dhe Merdarës do të vazhdojë të rindërtohet në drejtim të Nishit. Sapo të rikthehet ajo hekurudhë, pra mallrat nga Serbia qendrore, do të mund të arrijnë në Kosovë shumë më shpejt, si dhe pasagjerët”, tha Gjuriq.

Kujtojmë se gjatë muajit janar është arritur një tjetër marrëveshje për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd; ndërsa sot pritet të nënshkruhet edhe për linjën hekurudhore.
Këto marrëveshje vijnë pas angazhimit të drejtpërdrejtë të dërguarit special të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovës-Serbi, Richard Grenell, i cili po ashtu është edhe ambasador i SHBA-ve në Gjermani.

Exit mobile version