Mediat italiane informojnë për një operacion antidrogë i cili ka çuar në shkatërrimin e një grupi trafikantësh shqiptarë që transportonin drogë nga Shqipëria drejt Italisë.
Operacioni është ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në provincën e Riminit nga Policia e Ricciones në bashkëpunim me Antimafian e Bolonjës.
Për trafikimin e drogës ky grup kriminal përdorte një avion të vogël. Droga mbërrinte me avion nga Shqipëria në brigjet italiane të rajonit të Romanjës.
Në pranga janë vënë 7 persona e janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme droge e tipit kokainë, marijuanë e hashash. Gjatë orëve në vijim pritet zbardhja e detajeve të këtij operacioni.
Policia në Bolonja pritet të japë detajet e këtij operacioni dhe të dhënat e të ndaluarve në një konferencë shtypi.
Mësohet se në operacionin e koduar ‘Green’, janë arrestuar shtatë persona për trafik droge me avionë të vegjël.
Operacioni për shkatërimin e bandës së përbërë edhe nga shqiptarë të cilët transportonin drogë nga Shqipëria në bregdetin italian përmes avionëve të vegjël, është zhvilluar nga policia e Riçiones.
Hetimet
Pas aksionit të tre vite më parë, duke iu referuar hetuesve, mediat italiane raportonin se: grupi i goditur nga operacioni në fjalë importonte në Itali nga Shqipëria sasi të mëdha drogash të tipit marijuanë, të cilat ishin të destinuara për tregun italian.
Hetimet u koordinuan nga Drejtoria Rajonale e Antimafias së Bolonjës dhe Prokuroria e Riminit; në kuadër të tyre u sekustruan edhe 3 kuintalë e gjysmë hashash.
Lëndët narkotike transportoheshin drejt vendit fqinj, mes të tjerash edhe me avion, nga zona e Pishporos në Vlorë, e kishin për destinacion të gjithë rivierën e Romanjës.
Ndërkohë, bashkëpunimi me Drejtorinë Qendrore të Shërbimeve të Antidrogës ka sjellë edhe identifikimin e elementëve shqiptarë e italianë të fushës së krimit, që nuk janë të përfshirë vetëm në trafikun e drogës, por edhe në grabitjet e vilave e apartamenteve.
Përpos 7 të ndaluarve në Brindizi dhe dy të arrestuarve në flagrancë gjatë një vjedhjeje, hetimet kanë lejuar të përvijohet edhe struktura e aktivitetit kriminal, të drejtuar nga piloti shqiptar Vilson Lamaj, njeriu që kontaktonte sa me kultivuesit në Shqipëri, aq edhe me blerësin në Itali. E përpos kësaj, ai kujdesej edhe për pagesat e transportit.
Asokohe, edhe Policia e Shtetit dha detaje për operacionin e përbashkët antidrogë me homologët italianë, ku u arrestun 14 persona.
Policia e Shtetit njoftonte asokohe se grupi kriminal transportonte drogë nga Shqipëria në Itali me avion. Në Itali u sekuestruan 350 kg hashash. Operacioni i përbashkët i policisë sonë me atë italiane u shtri në Rimini dhe Brindizi.