Avionët e drogës nisën fluturimet edhe në Kuçovë

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar disa foto në Facebook, ku shfaqet një avion që fluturon, mbi qytetin e Kuçovës. Ka qenë një qytetar që i ka nisur fotot ish-Kryeministrit dhe e ka informuar për fluturimin e avionit të drogës tek Teci. “Sot narko flota ka nisur fluturimet me kaçatorët e saj, herët në orën 06:00”, shkruan Berisha. “Avionët e drogës në Kuçovë. Një avion droge fluturon tek Teci”, shkruan qytetari.
Nuk është hera e parë që Berisha publikon foto të avionëve, që kanë rezultuar të përfshirë në transportin e drogës. Në 14 nëntor ish-Kryeministri Berisha publikoi mesazhin e një qytetari që e informonte për një helikopter që kishte bërë 10 ulje në fshatin Gotull të Ishmit. Banori i dërgoi Berishës edhe videon ku dukej helikopteri që fluturon mbi fshatin Gotull.
Në muajin shtator të vitit të kaluar, një avion i vogël me drogë ngeci në Ishëm. Avioni ngeci për shkak të ngarkesës së madhe me drogë. Trafikantët kishin ngarkuar 3 tonë drogë, një ngarkesë shumë e madhe, të cilën nuk e përballonte avioni i vogël. Për këtë shkak, avioni nuk arriti të ngjitej në fluturim. Banorët e zonës bënë të ditur se, prej disa netësh kishin parë zjarre të ndezura afër pistës në Ishëm, ku trafikantët orientonin uljen e avionëve të drogës.
Më 30 tetor të këtij viti, katër avionë të rinj droge janë ulur dhe ngritur ditën në Lagunën e Patokut dhe në Gjirin e Lalzit. Edhe në këtë rast, denoncimi u bë nga ish-Kryeministri Berisha pas mesazheve dhe videove të dërguara nga qytetarët dixhitalë.
Dy vjet më parë dy pilotë italianë, që drejtonin dy avionë të vegjël, që ngarkoheshin me drogë në Shqipëri u rrëzuan në bregdetin shqiptar. Ata ishin Giorgio Riformato, avioni i të cilit ngeli në Divjakë dhe Guido Guidi në Ishëm.

 

Exit mobile version