Avioni i drogës në Ishëm, hetimet: Nuk kishte asnjë defekt

Italiani Guido Guidi ka ulur avionin e tij në Ishëm vetëm për të marrë drogën dhe mjeti i tij fluturues nuk ka pasur asnjë defekt dhe në zonën e Ishmit në Durrës nuk ka pasur asnjë turbulencë ajrore që mund të sillte rrëzimin e tij. Burimet nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, pas kryerjes së hetimeve ka rezultuar se avioni është ulur qëllimisht në Ishëm në pistën e përgatitur posaçërisht. Pas hetimeve që ka bërë grupi hetimor në lidhje me gjendjen teknike të mjetit fluturues që u ul në Ishëm, janë pyetur edhe drejtuesit e Aviacionit Civil Shqiptar, të cilët kanë deklaruar se avioni nuk ka pasur asnjë defekt.
Fillimisht Guido Guidi tha se, kishte pasur defekt dhe prandaj ishte ulur aty, por më pas pranoi se kishte ardhur për të provuar pistën nga ku do të ngarkohej me drogë. Avioni i drogës u ul në Ishëm në mesin e muajit shtator. Burimet bënë të ditur se, ngarkesa që mbante në bord avioni kishte 2 tonë drogë dhe nuk ka arritur që të ngrihej në fluturim. Ky ka qenë dhe gabimi i trafikantëve. Ata e kanë ngarkuar avionin më shumë se pesha që ai duhet të mbante. Avionë të tillë mbajnë deri në 1.5 tonë ngarkesë, ndërsa trafikantët e kanë ngarkuar atë me 2 tonë, duke mos arritur që avioni të ngrihej.
Avioni i pilotit italian, Guidi, nuk ka qenë i pari që ka bërë transportin e drogës drejt Italisë. Ai ka qenë avioni i tretë i ngarkuar me kanabis. Dy avionët e tjerë kanë fluturuar para tij dhe nuk janë rrëzuar.

Exit mobile version