Avioni i drogës në Vermosh, flet bariu: Pashë se po merrnin diçka nga avioni dhe po e futnin në Fuoristradë, më thanë largohu…

Gjatë ditës së djeshme një avion i vogel është rrëzuar në Malësinë e Madhe. Dhe enigmat se çfarë po bente ai avion ne ato zona janë shtuar edhe me shume pasi piloti dhe shoqëruesi i tij, pasi avioni ka rënë, janë zhdukur me nje fuoristrade. Ndërkohë  “Panorama.al” ka publikuar dëshminë e bariut Kolë Vuçaj, i cili ishte personi i parë që shkoi në vendin ku u rrëzua avioni në livadhet e Vermoshit për t’i dhënë ndihmë duke menduar se ishte një aksident ajror.

Bariu 78-vjeçar tregon se si një person që ndodhej aty i ka bërë thirrje tre herë që të mos afrohet dhe të largohet nga aty, duke folur në gjuhën shqipe. Fuoristrada që ka marrë pilotin dhe pasagjerin thotë bariu ka qëndruar 45 minuta deri në një orë duke transportuar disa gjëra nga avioni tek Fouristrada por ai rrëfen se nuk e di se çfarë po transportonin për shkak se ndodhej në largësi dhe po i vëzhgonte me një dylbi.

Biseda

Si e ke parë avionin fillimisht?

Nga ora 8:30 e mëngjesit ka ardhur dhe është futur në zonën e Vermoshit në pjesën që ne i themi asfalti i Velipojës këtu në Vermosh. Ka shkuar dhe ka qëndruar në një fushë rreth gjysëm ore, pastaj është ngritur nga aty në drejtim të Vermoshit sërish, unë isha me bagëtitë në mal dhe kam dëgjuar dy krisma, një të vogël dhe një të madhe pastaj. Kur dëgjova krismën e madhe mendova se avioni është rrëzuar. Pas krismës unë shkova në vendngjarje për të dhënë ndonjë ndihmë se mendova se janë të aksidentuar. U afrova por nuk me lanë që të shkoj deri tek avioni. Më bërtitën tre herë dhe një herë bërtita edhe unë. Më thanë largohu, po të them largohu dhe unë u largova. Pastaj nga larg kam parë me dylbi dhe ishte një fuoristradë dhe aty ishte njëri që po bënte roje që të mos afrohej askush kurse dy të tjerë po transportonin diçka nga avioni në makinë. Se çfarë po transportonin, unë nuk e di, por di që diçka po transportonin.

Sa vetë ishin total?

Në total ishin tre vetë, të gjithë në tokë. Në avion brenda s’e di sa kanë qenë, por në tokë ishin tre persona, ku dy bënin transportin dhe njëri nuk lejonte të tjerët që të afroheshin. Personi që bënte roje ishte rreth 3 metër larg nga avioni.

Sa orë ka qëndruar fuoristrada aty?

Unë kam ikur, por di që afërsisht 45 minuta deri në një orë kanë qëndruar aty duke bërë transportin nga avioni në fouristradë.

Arrite që t’i njohësh ata persona?

Jo, nuk kam njohur asnjë prej tyre. Njëri ishte rreth 35 vjeç, ndërsa dy të tjerët nuk i kam parë shumë mirë. Një m’u duk sikur të ishte femër dhe ajo shpejtonte duke bërë transportin e gjërave nga avioni në fuoristradë. Një tjetër ishte rreth 40 e ca vjeç dhe ky ishte personi që nuk më la mua të afrohem por edhe tre të tjerë që erdhën pas meje as ata nuk i la të afroheshin. Unë jam afruar deri në 50 metër nga avioni, por nuk arrita të dalloj se çfarë kishte brenda avioni sepse është zonë me pyje dhe nuk dallohej nga 50 metra larg ku isha unë. Vetëm shihja avionin dhe ata njerëzit duke bërë transportin.

Menjëherë të urdhëruan që të mos afrohesh?

Menjëherë sapo më panë. Ndal, mos u afro, më thanë. Çfarë keni, i pyeta unë, largoju nga këtu po të them, m’u drejtuan sërish. Mos bërtit i thashë unë dhe i bëra edhe unë presion dhe ata përsëri m’u drejtuan po të them largohu dhe unë mendova se janë policia dhe u largova se po ta dija që çfarë ishin, nuk do largohesha gjallë, por mendova se janë policia.

Ishin të armatosur?

Besoj që po. Armë nuk kam parë, por kam dyshime të forta që kanë qenë të armatosur. Përderisa më larguan me presion dhe duke ngritur zërin dhe më bënë tri herë thirrje që të largohesha besoj që njerëz të tillë kur reagojnë kështu mund të përdorin edhe armët nëse do afrohesha, diçka manovrojnë në atë moment.

Ishin të plagosur ndonjëri prej tyre.

Jo, jo. Ishin shumë mirë të tre dhe thjesht njëri bënte roje dhe dy të tjerët me shpejtësi bënin transportin nga avioni tek fuoristrada.

A mund të ketë lidhje kjo ngjarje me drogën?

Unë nuk e di saktësisht, por them se ka shumë vend për të dyshuar. Kur nuk ke fakte, nuk kemi si të themi, por dyshime kemi patjetër.

Ka parcela me drogë në këtë zonë?

Para afro një muaji është arrestuar një person këtu afër nesh, jo shumë larg për një parcelë me drogë dhe e kanë lëshuar sërish pas arrestimit. Nëse ka parcela të tjera unë nuk e kam idenë. Unë jam bari që kullos bagëtitë.

Lajmërove dikend pas ngjarjes?

Nuk kisha mundësi se unë isha me bagëti dhe nuk kisha internet, por as per të folur në telefon. Tre të tjerët që erdhën pas meje mbase mund të kenë lajmëruar, por unë nuk kisha mundesi, shkova thjesht për t’i dhënë ndihmë. As tre të tjerët nuk i kanë lënë që të afrohen. Dhe një prej tyre i ka thënë ne jemi malësorë dhe kemi ardhur t’ju ndihmojmë nëse keni diçka nevojë por i ka thënë largohu, largohu, ik, ik i kanë thënë edhe atyre. Ne shkuam vetëm për t’i ndihmuar se menduam se aksident dhe kur rrëzohet një avion dikush mund të humb jetën por ata nuk e pranuan ndihmën tonë. Për këtë ne kemi dyshime.

Fuoristrada nuk dihet nga ka ikur?

Janë larguar në drejtim të Vermoshit, por se ku fiks nuk e dimë dhe as ata personat nuk i njohim. Edhe në dialekt nuk ishin as të zonës, por as nga veriu i Shqipërisë. Më të kufizuar në dialekt m’u dukën, më të frenuar.

Artikulli paraprakBasha, videomesazh para Samitit të PPE: Evropa është ëndrra dhe destinacioni ynë!
Artikulli tjetërHumbi jetën nga Covid-19 gazetari sportiv