Avioni i drogës që ra të enjten në Ishëm ishte i treti transportues i asaj dite që ngarkohej në pistën e Ishmit. Burimet saktësojnë se ngarkesa që mbante në bord avioni kishte 2 ton drogë. Ky ka qenë dhe gabimi i trafikantëve. Ata e kanë ngarkuar avionin më shumë se pesha që ai duhet të mbante. Avionë të tillë mbajnë deri në 1.5 ton ngarkesë, ndërsa trafikantët e kanë ngarkuar atë me 2 ton. Ky ka qenë edhe shkaku i rrëzimit të avionit.
Pasi ai ka rënë, trafikantët kanë bërë edhe krehjen e menjëhershme të zonës, duke e transportuar drogën në skafe. Kjo ka qenë edhe arsyeja që policia ka vonuar me tre orë reagimin për avionin e rrëzuar. Është provuar po ashtu se, avioni i pilotit Giudi nuk ka qenë i pari që ka bërë transportin e drogës drejt Italisë ditën e enjte. Ai ka qenë avioni i tretë i ngarkuar me kanabis. Dy avionët e tjerë kanë fluturuar para tij dhe nuk janë rrëzuar.
Prokuroria për Krime të Rënda kërkon ekspertë nga Ministria e Transporteve, konkretisht nga zyra për hetimin e incidenteve dhe aksidenteve ajrore, që të nxjerrin shkakun e rrëzimit të avionit në pistën e fshatit Gotull të Ishmit.
Grupi hetimor, ka kërkuar nga Ministria e Transporteve t’i vënë në dispozicion emrat e ekspertëve, të cilët kanë kualifikimin e duhur për të kryer ekspertizën e shkakut të rrëzimit të avionit. Burimet thonë se, pavarësisht kërkesës së organit të akuzës, kjo zyrë në bazë të Kodit Ajror duhet të hetojë shkaqet teknike të rrëzimit të avionit dhe më pas materialet t’i referojnë në Prokurori. Sipas hetuesve, në rastin e pilotit italian Guido Andra Guidi, kemi të bëjmë me incident edhe aksident. Pasi shkelja e hapësirës ajore dhe cënimi i saj nga piloti italian cilësohet si një incident, ndërsa rrëzimi i tij në pistën e sajuar në Gotull është aksident. Për këtë fakt, zyra për hetimin e incidenteve dhe aksidenteve ajrore në Ministrinë e Transporteve është e detyruar të kryejë hetimet konkrete për llogari të saj, pavarësisht kërkesës së Prokurorisë për kryerjen e ekspertizës së shkakut të rrëzimit.
Veç Ministrisë së Transporteve, mësohet se, Prokuroria për Krime të Rënda i ka kërkuar edhe Kapitenerisë së Durrësit dhe Forcave Detare, informacion për mjetet lundruese në det gjatë orëve të para të mëngjesit të së enjtes. Kjo për shkak se po hetohen edhe dyshimet e ngritura, se droga mund të jetë afruar pranë pistës së sajuar në Gotull të Ishmit nëpërmjet detit. Sipas hetuesve, është kërkuar që brenda orës 03:00 të mëngjesit deri në ora 10:00 të paradites së enjte, të identifikohen të gjitha mjetet lundruese, që kanë kaluar pranë zonës ku u rrëzua avioni. Nuk dihet nëse Kapiteneria e Durrësit dhe radarët e saj kanë pikasur ndonjë mjet lundrues gjatë këtyre orëve pranë bregut. Nga ana tjetër, prokurorët i kanë sekuestruar pasaportën pilotit italian, Guido Andrea Guidi dhe e kanë marrë në mbrojtje, pasi ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, duke dhënë detaje për trafikun e drogës. Burimet nga Policia dhe Prokuroria thanë se 69-vjeçari ka pretenduar se do të merrte nga 20 mijë euro për çdo 200 kg transport droge drejt Italisë.
Trafiku i drogës, piloti “ndryshon” dëshminë
Hetimi për pilotin italian të rrëzuar në Ishëm merr një tjetër drejtim. Avokati i pilotit, Aleksandër Ndrejaj deklaroi se, klienti kishte ardhur për turizëm dhe nuk ka bërë asnjë pakt me Prokurorinë shqiptare. Ndrejaj ka shkuar edhe më tej, duke hedhur poshtë jo vetëm dyshimet e ngritura ndaj Guidit për trafik kanabisi, por edhe vetë deklarimet e klientit të tij para oficerit të Policisë Gjyqësore. Por burime të Prokurorisë pohuan se, Guidi jo vetëm pohoi ditën e ndalimit se kishte ardhur në Shqipëri për të provuar pistën në Ishëm nga ku do të merrte drogën, por se edhe ka pranuar të japë edhe emrat e trafikantëve që e kishin kontaktuar. Madje, emrat e trafikantëve janë tashmë në duart e prokurorëve, të cilët pavarësisht deklaratave të sotme të avokatit po vijojnë punën për zbardhjen e së vërtetës. Po, për sa kohë Guidi nuk ka patur statusin e “të penduarit”, shto edhe faktin që dëshminë e tij e ka dhënë në mungesë të një avokati, atëherë kjo e vështirëson punën e organit të akuzës për shkak se dëshmia e tij pa avokat nuk mund të konsiderohet si provë. Pikëpyetja në këtë rast është pse u tërhoq Guidi nga dëshmia e dhënë. A është ky rezultati i parë i faktit, që ai u la qëllimisht i lirë në mënyrë që trafikantët ta kontaktonin dhe të kishin mundësinë për ta intimiduar?
Avioni në Ishëm kushton gjysmë milion euro
“Nuk ka ende një komunikim zyrtar nga entet institucionale shqiptare e as nga piloti”, shkruan një komunikim mediatik nga Komiteti drejtues i Aeroclub Savonës. Nuk kemi zyrtarisht asnjë njohuri se çfarë ka ndodhur, përveç asaj që kemi lexuar përmes gazetave. Komiteti drejtues i Aeroclub në një mbledhje të jashtëzakonshme ka emëruar avokatin Sacccone për të prezantuar Aeroclub Savona, si pala e dëmtuar si dhe me kërkesën marrjes së informacioneve zyrtare. Aeroclub Savona shpreh hidhërim, zhgënjim, zemërim e vullnet për të njohur se çka ndodhur me avionin e tyre si dhe dëshirën e madhe për ta rimarrë në zotërim atë, një mjet mjaft i rëndësishëm i shkollës së tyre të fluturimit. Aeroclub Savona shpreh hidhërim të fortë për humbjen e avionit të tyre, të cilin e konsideronte si një gur i çmuar i klubit. Avioni tip Piper Pa 32-Saratoga me vlerë gjysmë milioni euro i mbetur në Shqipëri që prej ditës së enjtes së 15 shtatorit 2016, i është dhuruar Aeroclub Savonës nga sipërmarrësi milioner Sergio Borea, i cili ka ndërruar jetë më vitin 2014. Milioneri italian, sipërmarrës në fushën e qeramikës, ishte i apasionuar pas fluturimeve dhe disa herë kampion kombëtar e evropian në Rally Aereo. Sipas Aeroclub Savona, avioni Piper ishte në kushte mjaft të mira estetike, teknike e mobilimi të brendshëm. Avioni kishte 800 orë fluturim e 10 vjet jetë. Ky avion përdorej nga kjo shoqëri në funksion të nxënësve të shkollës së fluturitmit që ajo zotëron.
Avioni në Ishëm, oficerë policie nën hetim për lidhje me trafikantët e drogës
Prokuroria e Krimeve të Rënda është duke zhvilluar hetime intensive për të vërtetuar dyshimin se avioni tip ‘Piper” i nisur nga Bari të enjten e kaluar, nën drejtimin e pilotit Guido Andrea Gudi kishte ardhur në Shqipëri për të trafikuar drogë, por “ngeci” në grykëderdhjen e Ishmit. Sipas gazetares Klodiana Lala, në hetim për lidhje me trafikantët e drogës janë edhe disa oficerë policie.
“Unë kam konstatuar se nuk ka vullnet në hetimin e kësaj çështjeje. Njerëz në polici kanë dashur ta dekonspirojnë këtë hetim, por kjo mbetet për t’u parë. Jo pak oficerë policie janë nën hetim dhe dyshohet se kanë pasur lidhje direkte me trafikantët e drogës”, tha ajo.
“Nuk ka akuzë zyrtare, por Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton për trafik ndërkombëtar droge, kjo për shkak të pistës 2 km që u gjet në Ishëm, së dyti, avioni ka rënë afër grykëderdhjes, aty nga dyshohet se do të vinte edhe droga. Janë kërkuar tabulatet telefonike, jo vetëm për Guidin, por edhe për persona të tjerë. Trafikantët dyshohet se e kanë fshehur lëndën narkotike për shkak edhe të kohës së gjatë që iu desh policisë për të shkuar në vendngjarje. Kapiteneria e portit pritet të japë të dhëna për këtë”, shtoi Lala.
Sipas saj, nga hetimet ka dalë sot një fakt i ri, ai i ngecjes së avionit në Ishëm më herët nga sa u deklarua. “Prokurorët thonë se avioni është ulur më herët, duke u nisur edhe nga dëshmitarët, u tha se avioni ka ngecur rreth orës 07:00 të mëngjesit”.
Ndonëse Gudi në këto momente po hetohet si një qytetar i lirë vetëm për akuzën e shkeljes së hapësirës ajrore, gazetarja Lala shtoi se: “Prokurorët e kanë lënë të lirë Guidin, e për këtë është duke u ruajtur në një vend sekret, pasi ka dyshime që jeta e tij mund të vihet në rrezik. Ndërsa pretendimi i avokatit që erdhi për turizëm është një linjë zyrtare. Nga Prokuroria po tentohet me çdo kusht një marrëveshje me Gudin, ndërsa avokati do ta nxjerrë të larë. Piloti ka folur, ka thënë emra konkretë, shuma konkrete. Por dëshmia nuk është marrë sipas ligjit në prezencën e avokatit. Për momentin, po hetohet për shkelje të hapësirës ajrore”.
Vijojnë hetimet, avioni u rrëzua nga mbipesha
Prokuroria për Krime të Rënda ende nuk ka firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit me pilotin italian Guido Andrea Guidi, pasi dyshohet se ai nuk thotë të vërtetën. Në dy rastet e marrjes në pyetje 69-vjeçari ka dhënë versione të ndryshme. Prokuroria po kryen verifikimet paraprake, për të saktësuar nëse është e vërtetë ajo që thotë 69-vjeçari. Guido Andrea Guidi pretendon se nuk është pritur në pistë nga ndonjë person dhe nuk ka ngarkuar kanabis në avion. Por ekspertët e aviacionit, kanë përpiluar një raport ku hedhin dyshime se, avioni është ngarkuar dhe në momentin që ka tentuar të ngrihet ka pësuar defekt, për shkak të peshës. Në vendin e ngjarjes, prokurorët gjetën mbetje zjarri. Sipas tyre piloti mund të jetë orientuar me zjarr sinjalizues për të bërë uljen. Nga kjo lindin dyshimet për orën e uljes së avionit në pistën e improvizuar në fshatin Gotull të Ishmit. Piloti italian mund të jetë nisur natën nga Italia dhe në të zbardhur ka zbritur në pistën e improvizuar. Aty është ngarkuar me peshën e tepërt dhe ka tentuar të ngrihet, por ka pësuar defekt në rrotën e parë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur disa vida të liruara të pjesës së jashtme të trupit të avionit, i cili është anuar në krah. Ekspertët thonë se për shkak të mbipeshës dhe erës kundër avionit, mjeti nuk ka mundur të ngrihet dhe është anuar, sepse çantat nuk ishin fiksuar si duhet brenda në bord. Si dhe gjatë tentimit për t’u ngritur, mbipesha dhe tërheqja e gravitetit ka qenë e madhe sa nuk ka arritur të përballojë avioni, duke shkaktuar lirimin e disa vidave të jashtme të krahëve ose pjesëve të tjera të trupit të avionit, që janë gjetur nga hetuesit. Pavarësisht këtyre dyshimeve, në bordin e avionit ekspertët nuk kanë gjetur gjurmë hashashi. Por kjo nuk përjashton faktin, se malli ka qenë i vendosur në çanta të mëdha dhe deri në ardhjen e policisë në 9:30 minuta, avioni mund të jetë pastruar. Hetuesit dyshojnë se personat e tjerë që prisnin avionin, janë larguar me mjete lundruese nga deti çka ka bërë që Prokuroria t’i kërkoi Kapitenerisë së Durrësit të dhëna për identifikimin e mundshëm të ndonjë mjeti lundrues në orën e para të mëngjesit të së enjtes. Por veç kësaj, prokurorët kanë kërkuar nga kompanitë e telefonisë lëvizëse, t’i vënë në dispozicion në bazë të qelizave, të gjithë lëvizjet e numrave të telefonit në zonën ku ka ndodhur ulja e avionit Piper nga piloti 69-vjeçar Guido Andra Guidi, tashmë nën hetim për akuzën e shkeljes së hapësirës ajrore.