Ministria e Mbrojtjes ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të marrë në ruajtje avionin e drogës “Pieper”, i cili u rrëzua pak kohë më parë në Ishëm. Bëhet e ditur se, rrëzimi i avionit në Ishëm, që drejtohej nga piloti italian Guido Guidi, ka shkaktuar përplasje qëndrimesh mes Prokurorisë dhe ushtrisë. Bëhet e ditur se organi i akuzës ka kërkuar lëvizjen e avionit të rrëzuar në afërsi të fshatit Gotull. Në pretendimet e saj Shtabi i FA-ve pohon se avioni, i cili dyshohet se përdorej për transport të lëndëve narkotike, nuk mund të lëvizë, pasi mungon personeli teknik për çmontimin e tij.
Sakaq, ushtria thekson ndër të tjera se lëvizja e avionit mund të bëhet vetëm me kamion “Iveco” dhe vetëm kur moti të jetë i mirë. “Duhet të çmontohen krahët dhe bishti i avionit”, shprehet në qëndrimin e saj Shtabi i FA-ve.
Avioni ‘Piper Pa-32 Saratoga’ që ngeci në grykëderdhjen e Ishmit rreth 3 muaj më parë drejtohej nga piloti italian Guido Andrea Guidi, i cili sipas burimeve të pakonfirmuara thuhet se kishte pranuar një kontratë prej 20 mijë euro për të transportuar 200 kg marijuanë. Por në avion ishte ngarkuar më shumë drogë dhe si pasojë ai u rrëzua gjatë ngjitjes në fluturim.