Të gjitha të dhënat janë se avioni është porositur pikërisht nga karteli i drogës në zonën e Krujës, për të marrë drogën e Bushit të Ramës, që ka mbuluar gjithë zonën deri 2 kilometra larg Aeroportit të Rinasit, ku siç kemi denoncuar me foto dhe fakte janë mbjellë mbi 50 mijë rrënjë.
Pak momente pas publikimit të lajmit për rënien e avionit në Ishëm, Kryetari i PD, Lulzim Basha, duke iu referuar provave bëri të ditur se, avioni ishte porositur nga karteli i drogës që drejtohet nga Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi, kartel i cili zotëron plantacionet me kanabis në zonën pranë Aeroportit të Rinasit.
Karteli i Bushit u denoncua vetëm pak ditë më parë nga PD, ku sipas të dhënave 6 ha me kanabis në pronësi të trafikantit Bushi ndodhet fare afër pistës së Rinasit, në Larushk, ndërsa policia nuk guxon t’u afrohet parcelave. Plantacionet ndodhen shumë pranë me pistën e Rinasit, nga ku ngrihen avionët. Raportohet se aty janë të paktën 50 mijë rrënjë, të mbjella.
“Avioni i rënë në Ishëm është prova e re që tregon se karteli i drogës punon çdo ditë, pa ndërprerje, në të gjitha rrugët. Mohimi nga Rama i denoncimit që bëri në Parlament opozita, është përpjekje për të fshehur ngjarjen, për të fshehur të vërtetën e trafikut ajror të drogës. Të gjitha të dhënat janë se avioni është porositur pikërisht nga karteli i drogës në zonën e Krujës, për të marrë drogën e Bushit të Ramës, që ka mbuluar gjithë zonën deri 2 kilometra larg Aeroportit të Rinasit, ku siç kemi denoncuar me foto dhe fakte janë mbjellë mbi 50 mijë rrënjë”, shprehet Basha në reagimin e tij.
Kreu i PD tha se, këto ngjarje të rënda dëshmojnë se ka ardhur koha që vendi të çlirohet nga pushteti i kartelit të drogës. “Kjo është Shqipëria e zhytur në drogë dhe narkotrafik në të gjitha format. Ka ardhur koha që shqiptarët ta çlirojnë vendin nga sundimi i kartelit të drogës që shkatërron ekonominë, sjell krime dhe vret votën e lirë. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, tha Basha.