Një avion i vogël pësoi defekt në momentin e uljes në pistë në Rinas pasi nuk i janë hapur rrotat dhe për pasojë ka mbetur në pistë, pa krijuar probleme për pilotin e tre pasagjerët.
Menjëherë u morën masa dhe avioni u largua nga pista dhe për pak fillojnë fluturimet.
Policia Kufitare e Rinasit, ka kryer veprimet, i ka kryer testin e alkoolit pilotit ku ka rezultuar 0:00 mg/l dhe materialet do i kalojnë Prokurorisë për vlerësim.
Njoftim nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës njofton se në orën 16.15 të datës 28 Shtator 2021, një avion i vogël model Beechcraft me regjistrim zviceran HB-EFH, me 4 persona në bord, dy të rritur dhe dy fëmijë, të gjithë shtetas zviceranë, bëri ulje të detyruar në mes të pistës pasi pësoi një avari në sistemin e rrotave. Fatmirësisht nuk ka asnjë të lënduar dhe të katërt gëzojnë shëndet të plotë. Pasagjerëve u dha ndihma e parë menjëherë
Pas lajmërimit të Organit Kombëtar të Investigimit të Incidenteve Ajrore dhe kryerjes së investigimit, avioni u zhvendos nga pista. Si pasojë, fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, u pezulluan për 1 orë e 45 minuta.
Për momentin gjithçka në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës i është rikthyer normalitetit.
TIA mbetet në dispozicion të çdo pasagjeri dhe falenderon të gjithë udhëtarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin.