Avokati i Popullit: Të hetohet policia për dhunën ndaj protestuesve në Dibër

Avokati i Popullit kërkon hapjen e hetimeve për strukturat e policisë së Dibrës që kanë ushtruar dhunë në ngjarjet e Dibrës para votimeve të 30 qershorit.

Policia e Dibrës ka dhunuar duke hedhur edhe gaz ndaj qytetarëve të cilët po protestonin tek KZAZ-ja në Dibër.

Rekomandim për fillimin e hetimeve ndaj punonjësve të strukturave të Policisë së Shtetit që kanë shkuar në ndihmë të DVP Dibër, për veprën penale të ‘Kryerjes së veprimeve arbitrare’, në bashkëpunim’, thuhet në dokumentin e Avokatit të Popullit.

Dokumenti i plotë i Avokatit të Popullit për dhunën ndaj qytetarëve:

Lënda: Rekomandim për fillimin e hetimeve ndaj punonjësve të strukturave të Policisë së Shtetit që kanë shkuar në ndihmë të DVP Dibër, për veprën penale të ‘Kryerjes së veprimeve arbitrare’, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 250 dhe 25 të Kodit Penal, të ndryshuar, si dhe ndaj drejtuesit të Komisariatit të Policisë Dibër për veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, të ndryshuar.

PROKURORISË PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË

Dibër

DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË POLICISË SË SHTETIT

Tiranë

Për dijeni: DREJTORISË VENDORE TË POLICISË

Dibër

Institucioni i Avokatit të Popullit bazuar në nenin 13 të ligjit nr.8454, datë 04.02.1999 ‘Për Avokatin e Popullit’, të ndryshuar ka filluar me nismën e vet rastin e bërë publik nga media të ndryshme vizive dhe të shkruara ditët e fundit lidhur me protestën e ndodhur në datën 28.06.2019 në Bashkinë e Dibrës para zgjedhjeve vendore të datës 30.06.2019.Sipas mediave, një grup personash kanë tentuar të futen me forcë në Shkollën Profesionale ‘Nazmi Rushiti’ të qytetit të Peshkopisë ku ndodhej Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve nr.19 Dibër (KZAZ nr. 19 Dibër) për të shkatërruar materialet zgjedhore.Në orët e para të datës 29.06.2019, disa nga personat e dyshuar si autorë të kësaj ngjarjeje janë arrestuar nga punonjësit e strukturave të Policisë së Shtetit.Sipas medias pretendohet se personave të arrestuar u janë shkelur të drejtat ligjore duke u dhunuar fizikisht nga punonjësit e nga punonjësit e strukturave të Policisë së Shtetit.

Në datën 04.07.2019 një grup pune i Institucionit të Avokatit të Popullit shkoi nëBashkinë e Dibrës dhe bëri verifikime në organet vendore të Policisë së Shtetit, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibërdhe të Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër. Gjithashtu ata u takuan dhe pyetën me procesverbal disa nga personat e arrestuar dhe konkretisht shtetasit Agim Bojku, Ervis Bojku, Imer Kaloshi, Jeton Kaloshi, Ardit Kaloshi, Erald Kaloshi, Arif Kaloshi dhe Klajdi Uka. Të gjithë personat e pyetur deklaruan se, në orët e natës duke filluar nga ora 03:00 deri 04:00 të datës 29.06.2019, në banesat e tyre kanë shkuar grupe punonjësish të Policisë së Shtetit me uniforma me logon ‘POLICIA’, me kapuça në kokë dhe me armë zjarri në duar, të cilët u kanë thirrur atyre dhe në momentin që ata kanë dalë nga banesat, pa bërë identifikimin përkatës, i kanë kapur me forcë, u kanë lidhur duart me pranga dhe i kanë dhunuar fizikisht duke i goditur me pëllëmbë, grushta, shkelma, qyta armësh, etj.

Sipas të pyeturve, dhunimi i tyre ka vazhduar edhe gjatë shoqërimit në këmbë dhe brenda në makinat e Policisë deri sa janë dërguar në Komisariatin e Policisë Dibër. Për shkak të dhunës së ushtruar, të shoqëruarve iu janë shkaktuar dhembje fizike dhe dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit, si plagë, kontuzione, hematoma, gërvishtje, etj. Sipas tyre, punonjësit e Policisë që i kanë dhunuar kanë qenë efektivë të strukturave të Policisë së Shtetit të ardhur në Dibër dhe jo efektivë të strukturave vendore të Policisë së Shtetit, Dibër.Pasi janë pyetur nga punonjësit e Komisariatit të Policisë Dibër, atyre u është komunikuar arrestimi në flagrancë për disa vepra penale.Ata pretenduan gjithashtu se arrestimi i tyre për disa vepra penale ishte bërë në mënyrë të padrejtë, sepse kishin marrë pjesë në protestën e bërë para Shkollës ‘Nazmi Rushiti’ në datën 28.06.2019, por nuk kishin kryer veprime të dhunshme ndaj objektit ku ishte vendosur KZAZ nr.19 apo ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit që ishin caktuar me shërbim në këtë objekt.Ndërsa dy prej tyre, shtetasit Erald Kaloshi dhe Jeton Kaloshi pretenduan se nuk kishin qënë fare në protestën në fjalë dhe as në qytetin e Peshkopisë në kohën (orën dhe datën) kur është organizuar protesta nga Dega e Partisë Demokratike Dibër.

Në orët e darkës të datës 29.06.2019, në dhomat e sigurisë kishin ardhur mjekë të Spitalit Rajonal Dibër dhe u kanë bërë vizitat mjekësore. Disa prej shtetasve të pyetur, si Arif Kaloshi, Ditmar (Bilbil) Ramadani (Gjura) dhe Imer Kaloshi, të cilët kishin dëmtime të dukshme pretenduan se, pasi ishin arrestuar dhe ishin vendosur në dhomat e sigurisë të Komisariatit të Policisë Dibër kishin kërkuar që të vizitoheshin nga mjeku specialist, respektivisht i pari te okulisti për shkak se kishte dëmtime në sy dhe nuk shikonte, i dyti për bërje grafie për shkak të frakturës që kishte në dorë dhe i treti për bërje EKO-je për shkak të shqetësimeve që kishte në bark, por punonjësit e Policisë nuk kishin marrë asnjë masë në ndihmë të shëndetit të tyre. Madje Policia nuk i kishte dërguar ata tek mjekët specialistëas pas ndërhyrjes së prokurores së gatshme Belina Kryemadhi (Zeneli). Gjatë qëndrimit në ambientet e Komisariatit të Policisë Dibër disave prej tyre iu ishte marrë kallëzim nga oficeri i Policisë Gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, Aldo Puca për veprimet e dhunshme që ishin kryer në dëm të tyre nga punonjësit e Policisë gjatë kapjes në banesa dhe shoqërimit për në stacionin policor.

Gjithashtu shtetasit e arrestuar pretenduan se ishin dërguar me një ditë vonesë nga Komisariati i Policisë Dibër në Gjykatën e Shkallës së Parë Dibër.Ndonëse gjyqtari i gatshëm i kishte kërkuar organit të Policisë shoqërimin e tyre për vlerësimin dhe caktimin e masës së sigurimit personal në datën 01.07.2019, ata janë shoqëruar në Gjykatë në datën 02.07.2019.

Nga verifikimet e bëra, informacionet e marra dhe dokumentacioni i administruar nga punonjësit e institucionit tonë në organet e Prokurorisë, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, në  Gjykatën e Shkallës së Parë Dibër, në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibërdhe në Komisariatin e Policisë Dibër lidhur me ngjarjen e ndodhur në datën 28.06.2019 në Bashkinë e Dibrës, rezulton se:

Dega e Partisë Demokratike Dibër, i është drejtuar Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe Komisariatit të Policisë Peshkopi me shkresën nr. 29 prot., datë 26.06.2019, me lëndë ‘Marrja e masave për mbarëvajtjen e protestave’, me anën e së cilës njofton se në zbatim të ligjit nr. 8773, datë 23.04.2001 ‘Për tubimet’, Partia Demokratike, Dega Dibër, së bashku me ‘Aleancën Qytetare’ nga data 27.06.2019 deri në datën 02.07.2019 do të organizojnë protesta në të gjithë territorin e BashkisëDibër për mbrojtjen e dekretit të Presidentit të Republikës me nr. 11199, datë 10.06.2019 ‘Për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018, të Presidentit të Republikës ‘Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore’, duke anulluar datën 30 Qershor 2019 si ditë për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.Ndërkohë në këtë shkresë kërkon marrjen e masave për mbarëvajtjen e tubimit qytetar.

Në vijim të kësaj shkrese, Komisariati i Policisë Dibër me shkresën nr. 1920/1 prot., datë 27.06.2019, me lëndë: ‘Mbi ndalimin e tubimit sipas njoftimit tuaj nr. 29 prot., datë 26.06.2019’, drejtuar Degës së Partisë Demokratike Dibër, ka vendosur të ndalojë tubimin me arsyetimin se:

  1. Njoftimi nuk është i plotë me të gjitha të dhënat e kërkuara nga pika 2 e nenit 5 të ligjit nr. 8773, datë 23.04.2001 ‘Për tubimet’, duke i përshkruar mangësitë e të dhënave konkrete.
  2. Ndalohet zhvillimi i tubimeve/grumbullimeve në datat 29 dhe 30 Qershor 2019, pasi këto data korrespondojnë me periudhën e heshtjes zgjedhore dhe janë në kundërshtim me përcaktimet e pikës 2 të nenit 77 të Kodit Zgjedhor.
  3. Organizimi i tubimeve/grumbullimeve në datën 30 Qershor 2019 në Qëndrat e Votimit të Zonës Zgjedhore nr.19 dhe në vende e sheshe të tjera publike janë të kundërligjshme dhe të dënueshme nga ligji penal pasi:
  4. a) Data 30.06.2019 është dita e zhvillimit të votimeve ‘Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore’ dhe në këtë datë ndalohet zhvillimi i aktiviteteve masive me karakter politik/zgjedhor (pika 2 e nenit 77 e Kodit Zgjedhor).
  5. b) Tubimet/grumbullimet në Qëndrat e Votimit në ditën e votimit prekin dhe cënojnë të drejtat kushtetuese dhe ligjore të zgjedhësve/personave për të ushtruar të drejtën e votës, për të votuar në mënyrë të lirë dhe të fshehtë.

Këto veprime përbëjnë vepra penale të parashikuar nga Kreu X ‘Vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik’, të Kodit Penal.

Sa më sipër i kërkohet subjektit politik Degës së Partisë Demokratike Dibër që të plotësojë mangësitë e konstatuara, të njoftojë organin e Policisë jo më vonë se 24 orë para fillimit të tubimit/grumbullimit dhe për shkak të pamundësisë që të sigurojnë tubimin në shumë vende e sheshe publike njëherazi dhe pandërpreje, i kërkon që njoftimi të jetë për një datë, vend konkret dhe limite kohore të përcaktuara për në datat 27 dhe 28. 06.2019 dhe 01 e 02.07.2019.

Gjithashtu i kërkohet që të marrë masa për ndalimin dhe mos zhvillimin e tubimeve/grumbullimeve në datat 29 dhe 30.06.2019.

Në të njëjtën shkresë, Komisariati i Policisë Dibër i bën me dije Degës së Partisë Demokratike Dibërse, organizatorët dhe drejtuesit e zhvillimit të këtyre tubimeve/grumbullimeve do të mbajnë përgjegjësi ligjore, sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor dhe Kodit Penal për çdo veprim të kudërligjshëm që do të kryhet ndaj rendit e sigurisë publike, pronës publike e private, objekteve dhe procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore.

Sqarojmë se lëndae shkresës së Komisariatit të Policisë Dibërnr. 1920/1 prot., datë 27.06.2019, drejtuar Degës së Partisë Demokratike Dibër,’Mbi ndalimin e tubimit sipas njoftimit tuaj nr. 29 prot., datë 26.06.2019’, nuk përputhet me përmbajtjen e saj. Sikurse është cituar më sipër, në përmbajtjen e saj kërkohet ndalimi i zhvillimit të tubimeve në datat 29 dhe 30 Qershor 2019 dhe ndërkohë, ndërmjet të tjerave, i kërkohet subjektit politik që të plotësojë mangësitë e konstatuara dhe të njoftojë organin e policisë jo më vonë se 24 orë para fillimit të tubimit/grumbullimit për në datat 27 dhe 28. 06.2019 dhe 01 e 02.07.2019. Vlerësojmë se ky fakt përbën një intimidim të njoftuesit, subjektit politik Dega e Partisë Demokratike Dibër, për ushtrimin e të drejtës kushtetuese e ligjore të tubimit.

Dega e Partisë Demokratike Dibër, me njëshkresë tjetër nr. 28/1 prot., datë 28.06.2019, dhe lëndë ‘Marrjen e masave për mbarëvajtjen e protestave’, i ështëdrejtuar Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe Komisariatit të Policisë Dibër, me të cilën njofton për zhvillimin e tubimit dhe kërkon marrjen e masave për mbarëvajtjen e tubimit qytetar, por nuk përcaktohet ndonjë datë konkrete për zhvillimin e tij.

Në vijim të kësaj shkrese, Komisariati i Policisë Dibër me shkresën nr. 1941/1 prot., datë 28.06.2019, me lëndë: ‘Mbi ndalimin e tubimit sipas njoftimit tuaj nr. 28/1 prot., datë 28.06.2019’, drejtuar Degës së Partisë Demokratike Dibër, ka vendosur të ndalojë tubimin me arsyetimin se:

  1. Njoftimi nuk është i plotë me të gjitha të dhënat e kërkuara nga pika 2 e nenit 5 të ligjit nr. 8773, datë 23.04.2001 ‘Për tubimet’.
  2. Ndalohet zhvillimi i tubimeve/grumbullimeve në datat 29 dhe 30 Qershor 2019, pasi këto data korrespondojnë me periudhën e heshtjes zgjedhore dhe janë në kundërshtim me përcaktimet e pikës 2 të nenit 77 të Kodit Zgjedhor.

Gjithashtu në këtë përgjigje, i bën me dije se, organizatorët dhe drejtuesit e zhvillimit të këtyre tubimeve/grumbullimeve do të mbajnë përgjegjësi ligjore, sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor dhe Kodit Penal për çdo veprim të kundërligjshëm që do të kryhet ndaj rendit e sigurisë publike, pronës publike e private, objekteve dhe procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore.

Sipas drejtuesve të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe Komisariatit të Policisë Dibër, njoftuesi i tubimit nuk e zbatoi vendimin e Komisariatit të Policisë Dibër për plotësimin e njoftimit me të dhënat e kërkuara nga ligji ‘Për tubimet’ dhe për ndalimin e tubimit pa plotësuar të dhënat përkatëse.

Në datën 28.06.2019, rreth orës 20:00, para Shkollës së Mesme Profesionale ‘Nazmi Rushiti’, të Bashkisë Dibër, brenda të cilët ndodheshin materialet zgjedhore të KZAZ-së nr. 19, Dibër, janë grumbulluar disa qindra persona.Ata kanë sulmuar në drejtim të shkollës me sende të forta, gurë shishe plastike me lëndë djegëse të dyshuar e llojit benzinë, shashka, kapsolla, etj, duke dëmtuar xhamat e dritareve dhe dyert e saj. Gjithashtu, ata kanë kundërshtuar dhe kanë goditur me sende të forta punonjësit e policisë, si dhe nuk iu janë bindur urdhrave të punonjësve të policisë së rendit publik për t’u larguar.

Në ndihmë të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ishin dërguar edhe forca të strukturave të tjera të Policisë së Shtetit, të cilët kanë bërë të mundur moslejimin e tubuesve për të hyrë në shkollën ‘Nazmi Rushiti’ për të shkatërruar materialet zgjedhore si dhe shpërndarjen e tubimit.

Pas zhvillimit të tubimit, sipas drejtuesve të policisë vendore Dibër,në datën 28.06.2019 nga DVP Dibër është njoftuar nëpërmjet telefonit organi i Prokurorisë Dibër dhe janë kryer veprimet e para hetimore lidhur me këtë ngjarje, duke bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, këqyrjen e tij, vendosje të sekuestros preventive të materialeve të ndryshme, etj.

Ndërkohë nga punonjësit e strukturave vendore të Policisë së Shtetit në Dibër janë identifikuar personat të cilët kanë qënë autorët e veprave penale të cituara më lart. Pas identifikimit të tyre nëpërmjet raporteve të shërbimit të përpiluara nga punonjësit e policisë dhe këqyrjes së pamjeve filmike të transmetuara në stacione televizive të ndryshme, në orët e para të datës 29.06.2019, duke filluar nga ora 03:00 është organizuar puna me punonjësit e strukturavë të Policisë së Shtetit për kapjen dhe shoqërimin e autorëve të dyshuar në banesat e tyre. Gjatë këtyre veprimeve u kapën dhe shoqëruan në Komisariatin e Policisë Dibër shtetasit Agim Bojku, Ervis Bojku, Migjen Zebi, Lorenco Zebi, Oligren Zebi, Imer Kaloshi, Jeton Kaloshi, Ardit Kaloshi, Erald Kaloshi, Arif Kaloshi, Fatmir Vraniçi, Klajdi Uka dhe Ditmar (Bilbil) Ramadani (Gjura). Pasi këta persona janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Dibër, nga punonjësit e policisë janë kryer veprimet procedurale, si procesverbale për marrjen e të dhënave nga personi ndaj të cilit zhvillohen hetime, procesverbale për arrestimin në flagrancë për disa vepra penale dhe konkretisht ato të parashikuara nga nenet 326/a-25-22, 150-25, 242-22, 236/2, 262/1 dhe 274-25 të Kodit Penal. Pas kryerjes së këtyre veprimeve procedurale të arrestuarit janë futur në dhomat e sigurisë të Komisariatit të Policisë Dibër.

Konstatojmë se këto veprime janë kryer me iniciativë nga strukturat e Policisë së Shtetit pa vënë në dijeni organin procedues.Komunikimi i parë zyrtar shkresor i Komisariatit të Policisë Dibër me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër është bërë me shkresën nr. 1951 prot., datë 30.06.2019. Mendojmë se në rastin konkret veprimet procedurale, duke filluar nga këqyrja e vendit të ngjarjes, pyetja e personave të shoqëruar dhe të arrestuar, si dhe arrestimi në flagrancë i 13 prej tyre, duhet të ishin kryer nga strukturat e policisë gjyqësore të organit të Prokurorisë dhe nën drejtimin e prokurorit, sipas neneve 24/1, 30/2 dhe 304/2 të Kodit të Procedurës Penale. Kjo me qëllim që të mënjanohet çdo situatë konflikti interesi për shkak se strukturat e Policisë kanë qënë subjekt i dëmtuar.

Avokati i Popullit e gjen me vend të theksojë se,në vendosjen e masave të sigurimit personal ndaj autorëve të dyshuar të veprave penale duhen mbajtur në konsideratë kushtet dhe kriteret e caktimit të tyre të parashikuara nga dispozitat e Kodit të Procedurës Penale respektivisht nenet 228, 229 dhe 230 të tij.

Sipas nenit 228/3 të K.Pr.Penale masat e sigurimit personal vendosen:

  1. a) kur ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës;
  2. b) kur i pandehuri është larguar ose ekziston rreziku që ai të largohet;
  3. c) kur për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurit ka rrezik që ai të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet.

Sipas nenit 229/1 e 2 të K.Pr.Penale, në caktimin e masave të sigurimit gjykata mban parasysh përshtatshmërinë e secilës prej tyre me shkallën e nevojave të sigurimit që duhen marrë në rastin konkret.Çdo masë duhet të jetë në raport me rëndësinë e faktit dhe me sanksionin që parashikohet për veprën penale konkrete.Mbahen parasysh edhe vazhdimësia, përsëritja, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese të parashikuara nga Kodi Penal.

Ndërsa sipas nenit 230/1 të K.Pr.Penale, arresti në burg mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër sigurimi është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit.

Nga verifikimet e bëra në Komisariatin e Policisë Dibër dhe pyetja e disa prej punonjësve të policisë të këtij Komisariati rezultoi se, arrestimi i 13 shtetasve të përmendur më sipër për veprat penale të parashikuara nga nenet 326/a-25-22, 150-25, 242-22, 236/2, 262/1 dhe 274-25 të Kodit Penal, ishte bërë me iniciativë nga oficerët e policisë gjyqësore në kushtet e flagrancës për ngjarjen e ndodhur në datën 28.06.2019 para objektit ku ishte vendosur KZAZ nr. 19 Dibër. Sipas tyre, pyetja e të arrestuarve ishte bërë në prani të avokatëve mbrojtës të caktuar kryesisht për shkak të mospranisë së avokatëve të kërkuar nga të arrestuarit.

Sipas punonjësit të Komisariatit të Policisë Dibër, Fiqiri Kaçaku, i cili në datën 29.06.2019 kryente detyrën e përgjegjësit të dhomave të sigurisë në këtë komisariat, vizita mjekësore e të arrestuarveështë kryer nga mjekët e Spitalit Rajonal Dibër për shkak se prej disa muajsh në këtë organ nuk kishte mjek dhe as ndihmësmjek. Ai nëpërmjet sallës operative kishte njoftuar Spitalin Rajonal Dibër për të dërguar mjekun për kryerjen e vizitave mjekësore të tëarrestuarve.Rreth orës 19:00 të datës 29.06.2019, në Komisariat ka ardhur një autoambulancë me një mjek dhe një ndihmësmjek.

Ata të dy janë futur në dhomat e sigurisë dhe kanë filluar kryerjen e vizitave mjekësore ndaj të arresturve duke filluar nga i arrestuari Arif Kaloshi. Sipas tij, në këto momente në dhomat e sigurisë ka ardhur prokurorja Belina Zeneli e cila ka debatuar me mjekun Agron Menzelxhiu, duke i thënë se ishte pijanec, kush e kishte sjellë aty dhe të dilte jashtë. Mjeku është larguar dhe me kërkesën e prokurores kanë ardhur dy mjekë të tjerë dhe një ndihmësmjek nga Spitali Rajonal Dibër, të cilët kanë bërë vizitat mjekësore të gjithë të arrestuarve pavarësisht nëse kishin apo jo ankesa. Vizitat mjekësore të të arrestuarve kanë mbaruar rreth orës 23:00 të datës 29.06.2019.Sipas punonjësit Fiqiri Kaçaku, nuk i ishte lënë asnjë rekomandim nga mjekët apo detyrë nga prokurorja ose OPGJ-ja për të bërë vizita apo ekzaminime tek mjeku specialist për ndonjërin prej të arrestuarve për protestën.

Ndërsa Prokurorja zj.Belina Kryemadhi (Zeneli) i informoi punonjësit e institucionit tonë, se në datën 29.06.2019 në orët e vona të natës kishte komunikuar drejtëpërdrejt në telefon me Shefin e Komisariatit të Policisë Dibër.Gjatë komunikimit ajo i kishte kërkuar atij që të merrte masat e nevojshme për kryerjen e vizitave mjekësore të të arrestuarve të dëmtuar tek mjekët specialistë, sepse ata kishin nevojë për ekzaminime të tilla.Gjithashtu i kishte thënë se në Spitalin Rajonal Dibër nuk ka mjek ligjor dhe për këtë arsye dëmtimet e tyre duhet të pasqyroheshin në kartelat ditore për të mundësuar më pas kryerjen e ekspertimeve mjeko-ligjore mbi bazën e dokumentacionit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore Tiranë.Ndonëse kërkesa e prokurores ishte plotësisht e ligjshme, Shefi i Komisariatit nuk ka marrë asnjë masë për zbatimin e saj.

Në përfundim të veprimeve të kryera nga Komisariati i Policisë Dibër me shkresën nr. 1951 prot., datë 30.06.2019 i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër materialet hetimore për shtetasin Naim Gazidede, Kryetar i Degës së Partisë Demokratike Dibër, për veprën penale të ‘Organizimit dhe pjesmarrjes në grumbullime dhe manifestime të paligjshme’ në KZAZ nr. 19 Dibër, parashikuar nga neni 262/1 i Kodit Penal, si dhe për shtetasit e arrestuar Agim Bojku, Ervis Bojku, Migjen Zebi, Lorenco Zebi, Oligren Zebi, Imer Kaloshi, Jeton Kaloshi, Ardit Kaloshi, Erald Kaloshi, Arif Kaloshi, Fatmir Vraniçi, Klajdi Uka dhe Ditmar (Bilbil) Ramadani (Gjura) për veprat penale ‘Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor’ e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, ‘Shkatërrim i pronës’ e kryer në bashkëpunim’, ‘Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit’ e kryer në bashkëpunim, ‘Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit’ e kryer në bashkëpunim, ‘Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme’, ‘Prishja e qetësisë publike’, të parashikuara nga nenet 326/a-25-22, 150-25, 242-22, 236/2, 262/1 dhe 274-25 të Kodit Penal.

Gjithashtu nga punonjësit e policisë u informuam se, në lidhje me ngjarjen në fjalë, përveç 13 të arresturve, ishin shpallur në kërkim policor edhe 26 persona të tjerë të cilët janë autorë të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale.

Nga këqyrja e dokumentacionit të administruar në Komisariatin e Policisë Dibër dhe në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, si dhe të kartelave mjekësore të të arrestuarve të hapura nga mjekët e Spitalit Rajonal Dibër rezulton se:

  1. Shoqërimi në organin e policisë i shtetasve Agim Bojku, Ervis Bojku, Imer Kaloshi, Jeton Kaloshi, Ardit Kaloshi, Erald Kaloshi, Arif Kaloshi, Klajdi Uka dhe Ditmar (Bilbil) Ramadani (Gjura) është bërë në bazë të nenit 109/1/c të ligjit nr. 108/2014 ‘Për Policinë e Shtetit’, ku parashikohet se punonjësi i policisë bën shoqërimin e personave në ambientet e policisë ose institucionin urdhërdhënës edhe në kushtet dhe rastet kur ka dyshime të arsyeshme se ka kryer vepër penale.Sikurse u përshkrua më sipër këta persona janë shoqëruar në orët e natës, sepse ndaj tyre kishte dyshime të arsyeshme se kishin kryer disa vepra penale dhe me qëllim arrestimi.

Në nenin 112/2/e të ligjit ‘Për Policinë e Shtetit’ është parashikuar se, në rastet e arrestimit/ndalimit policia evidenton për çdo person të dhënat për orën, datën dhe vendin e arrestimit apo të ndalimit.

Për sa më sipër, mendojmë se, nëse një person arrestohet në flagrancë apo ndalohet, në procesverbalin përkatës të arrestimit/ndalimit duhet të vihet çasti, ora, e kapjes së tij në fakt, kur ai është privuar realisht nga liria. Pra, sapo ai kapet dhe prangoset nga punonjësi i policisë që ka bërë kapjen në flagrancë apo ora kur bëhet ekzekutimi i urdhrit të ndalimit.Duke iu referuar neneve 144, 250 të K.Pr.Penale, shënimi në procesverbal i çastit (orës) së arrestimit në flagrancë ose të ndalimit është një element i rëndësishëm mbi bazën e të cilit fillojnë të llogariten efektet e paraburgimit. Ndërsa në bazë të nenit 258 të K.Pr.Penale, nga çasti (ora) e arrestimit ose ndalimit fillon afati i 48-të orëve, brenda të cilit prokurori kërkon vleftësimin e masës së sigurimit në gjykatën e vendit ku është kryer arrestimi ose ndalimi.

Theksojmë se, në procesverbalet e arrestimit të shtetasve të përpiluara nga oficerët e policisë gjyqësore të organeve vendore të Policisë së Shtetit Dibër, ora e arrestimit të tyre nuk ishte e saktë, sepse ishte vendosur ora e mbajtjes së proceverbaleve dhe jo ora faktike e arrestimit të tyre. Diferenca kohore ndërmjet orës faktike dhe asaj të vendosur në procesverbal është mesatarisht rreth 9 orë për secilin të arrestuar.  Kjo do të thotë se kërkesa e organit të prokurorisë për vleftësimin dhe caktimin e masave të sigurimit personal ndaj 13 shtetasve të arrestuar ka shkuar në gjykatën përkatëse tej afatit prej 48 orëve nga arrestimi i tyre në fakt.

Përveç sa më sipër theksojmë se, në rekomandimet e bëra në vijimësi që prej më shumë se dhjetë vjetësh nga Avokati i Popullit, si për rastet e ankesave të trajtuara ashtu edhe nga inspektimet e bëra në organet e Policisë së Shtetit është kërkuar që, edhe në rastet kur për personat e shoqëruar në organet e policisë vendoset arrestimi apo ndalimi, në proçesverbalin e arrestimit në flagrancë ose të ndalimit duhet të vihet ora e shoqërimit të tyre dhe jo ora kur përpilohet procesverbali i arrestimit/ndalimit. Rekomandimet  e Avokatit të Popullit janë bazuar jo vetëm në parimet universale të së drejtës dhe në parimet e përgjithshme të së drejtës tonë penale, por edhe në dispozitat konkrete të Kodit të Procedurës Penale respektivisht nenet 144, 250 dhe 259 të tij.  Është e nevojshme që të sqarojmë se këto rekomandime janë vlerësuar të drejta dhe janë pranuar nga Policia e Shtetit.Për këtë fakt i referohemi edhe përgjigjeve të dërguara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit respektivisht me shkresat nr. 12/1 prot., datë 13.02.2018 dhe nr. 267/1 prot., datë 07.03.2018.

  1. Gjatë kapjes në banesa, lidhjes me pranga dhe shoqërimit për në organin e policisë nga punonjësit e strukturave të Policisë së Shtetit, shtetasit Agim Bojku, Ervis Bojku, Imer Kaloshi, Jeton Kaloshi, Ardit Kaloshi, Erald Kaloshi, Arif Kaloshi, Klajdi Uka dhe Ditmar (Bilbil) Ramadani (Gjura) janë dhunuar fizikisht duke u goditur me pëllëmbë, grushta, shqelma dhe qyta armësh në pjesë të ndryshme. Ky fakt provohet nga deklarimet e personave të pyetur nga punonjësit e institucionit tonë, kallëzimet e bëra nga disa prej tyre para organit procedues, si dhe nga kartelat ditore e të arrestuarve të hapura nga Spitali Rajonal Dibër, ku ndaj tyre janë konstatuar shenja të pasojave të dhunës fizike, si fraktura, kontuzione, dërmishje, etj. Ky veprim përbën cënim të integritetit të tyre fizik të mbrojtur e garantuar nga Kushtetuta, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, Kodi Penal, Ligji nr. 108.2014 ‘Për Policinë e Shtetit’.
  2. Për ngjarjen e ndodhur në datën 28.06.2019 tek objekti ku ndodhej KZAZ-ja nr. 19 Dibër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër ka filluar procedimin penal nr.288, të vitit 2019, që bën fjalë për veprat penale të parashikuara nga nenet 150, 236/1 dhe 237 të Kodit Penal. Sqarojmë se ky procedim është filluar në bazë të materialeve procedurale të referuara nga Komisariati i Policisë Dibër. Për këtë arsye, shpallja në kërkim policor nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër e 26 personave të tjerë të cilët janë autorë të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale dhe kryerja e veprimeve me ta, duke mos vënë në dijeni për këto veprime organin e Prokurorisë nuk është në përputhje me ligjin, sepse në këtë rast nuk ndodhemi në kushtet e flagrancës dhe të kryerjes së veprimeve me iniciativë nga policia gjyqësore.Sjellim në vëmëndje se, në bazë të nenit 24/1 të Kodit të Procedurës Penale, prokurori ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit, drejton dhe kontrollon hetimet paraprake dhe veprimtarinë e policisë gjyqësore, si dhe kryen vetë çdo veprim hetimor që e çmon të nevojshëm, merr masa për ekzekutimin e vendimeve penale, mbikëqyr ekzekutimin e tyre, si dhe ushtron funksionet e bashkëpunimit gjyqësor me autoritetet e huaja, sipas rregullave të caktuara në këtë Kod.Në këtë rast konstatojmë kapërcim të kompetencave dhe shpërdorim të atributeve të strukturave vendore të Policisë së Shtetit, pasi ndonëse organi procedues ka regjistruar procedimin penal nr. 288 të vitit 2019 ku janë tashmë të pandehur 13 persona, Komisariati i Policisë Dibër aktualisht disponon një listë me 26 persona në kërkim policor të cilën nuk ia ka dhënë ende organit procedues.
  3. Mungesa e mjekut apo ndihmësmjekut në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, cënon standardin e trajtimit të personave të arrestuar/ndaluar nga strukturat në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, të cilat ruhen dhe trajtohen në dhomat e sigurisë të Komisariatit të Policisë Dibër. Është rasti që të kujtojmë se, prania e mjekut dhe kryerja e vizitave personave të arrestuar/ndaluar parashikohet në Procedurën Standarde të Punës ‘Për trajtimin dhe sigurimin e personave të arrestuar/ndaluar në ambientet e Policisë së Shtetit, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre’, e miratuar me Urdhrin nr.1102, datë 07.11.2017, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Në Kapitullin V, pika 7 të kësaj procedure ‘Verifikimi paraprak dhe kontrolli mjekësor’, ndërmjet të tjerave parashikohet se:

‘7.1 Para sistemimit/akomodimit në sistemin e dhomave të sigurisë, një punonjës policie i nivelit të parë drejtues i shërbimeve të rendit publik, specialisti i shërbimit të sallës së komandimit/ndihmës specialisti për informacionin dhe mjeku i policisë, kryejnë intervistimin, verifikimin dhe këqyrjen e jashtme të arrestuarit/ndaluarit nëse ka shenja të ushtrimit të dhunës, keqtrajtimit, sëmundje të ndryshme që kanë nevojë për ndihmë mjekësore apo ankesa të tjera të kësaj natyre.

7.2 Detyrimisht në këtë moment sa më shpejt të jetë e mundur por jo më vonë se 12 orë pas ndalimit/arrestimit kryhet kontrolli/vizita mjekësore nga mjeku apo ndihmësmjeku i drejtorisë/komisariatit të policisë.

7.5 Në përfundim të këtij procesi punonjësit e përmendur në pikën ‘7.1’ të kësaj pike gjithçka të konstatuar e pasqyrojnë në një procesverbal verifikimi-konstatimi, i cili nënshkruhet nga të gjithë punonjësit e policisë që janë përfshirë në verifikim/konstatim dhe vendoset në dosjen e të ndaluarit/arrestuarit.’

Në pikën 10.1 të këtij kapitulli ‘Fashikulli/Dosja e të arrestuarit /ndaluarit’, ndërmjet të tjerave parashikohet se:

‘10.1 Për çdo person të arrestuar/ndaluar që mbahet në dhomat e sigurisë, çelet fashikulli i cili merr për numër – numrin rendor që ka emri i tij në regjistrin e personave të arrestuar/ndaluar, i cili gjatë periudhës që personi mbahet në këto ambiente duhet të plotësohet me këto dokumente:

…. Kartela mjekësore me shënimet përkatëse të mjekut’.

Në Kapitullin VI ‘Të drejtat dhe detyrimet e të ndaluarve/arresturve’ ndërmjet të tjerave parashikohet se:

‘1.9 Ti nënshtrohet vizitave dhe ekzaminimeve mjekësore të një mjeku/ndihmës mjeku i njësisë policore, mjekë të tjerë të specializuar apo të zgjedhur dhe shpërblyer nga i arrestuari/ndaluari.’

Pra, mungesa prej disa muajsh e mjekut apo ndihmësmjekut në këtë organ ka sjellë si pasojë që të mos zbatohen detyrimet e këtij institucioni dhe të drejtat e personave të arrestuar/ndaluar tëparashikuara në aktin nënligjor të cituar më sipër. Sqarojmë se në librin e kryerjes së vizitave mjekësore të personave të arrestuar/ndaluar në Komisariatin e Policisë Dibër janë pasqyruar vetëm data dhe ora e kryerjes së vizitave, por nuk është pasqyruar asnjë shënim lidhur me intervistimin, verifikimin dhe këqyrjen e jashtme të arrestuarve/ndaluarve nëse kishin shënja të ushtrimit të dhunës, keqtrajtimit, pretendimet e të arrestuarve dhe konstatimet, rekomandimet apo mjekimet e dhëna nga mjeku. Gjithashtu nuk ishte mbajtur procesverbal verifikimi/konstatimi, i cili nënshkruhet nga të gjithë personat e përfshirë në verifikim-konstatim.

  1. Komisariati i Policisë Dibër nuk i është përgjigjur kërkesave të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër drejtuar këtij organi me shkresat nr. akti 42, 43, 44, 45, 46, 47, 48, 49, 50, 51, 52 dhe 53 Akti, datë 01.07.2019, për dërgimin e të 13 shtetasve të arrestuar të cituar më sipër për ti shoqëruar në sallën e gjyqit në datën 01.07.2019 në orare të ndryshme për zhvillimin e seancës gjyqësore për vleftësimin e arrestimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal në ngarkim të tyre.

Justifikimi i bërë nga Komisariati i Policisë Dibër se, nuk mund t’i shoqëronte të 13 të arrestuarit në fjalë, sepse forcat e policisë ishin të angazhuara me shërbime të tjera në sigurimin e objekteve të VNV, numri i madh i të arrestuarve dhe koha e shkurtër e përcaktuar në njoftimin e gjykatës nuk është i bazuar në ligj. Kjo vonesë ka sjellë si pasojë që nga gjykata të arrestuarit të liheshin të lirë me një ditë vonesë, ndonëse brenda afatit maksimal të parashikuar nga dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Në përfundim të hetimit administrativ të këtij rasti arritëm në konkluzionin se nga punonjësit e strukturave të Policisë së Shtetit janë kryer një sërë shkeljesh ligjore si më poshtë:

  1. a) Shoqërimi i një numri personash në orët e natës duke filluar nga ora 03:00 është bërë jashtë kushteve të flagrancës dhe kur ata ishin larguar për në banesat e tyre.
  2. b) Dhunimi fizik e psikologjik i të shoqëruarve;
  3. c) Mbjatja për 9 orë e tyre në ambientet e shoqërimit pa akt dhe përpilimi i procesverbaleve të arrestimit në flagrancë pas kësaj periudhe kohore;

ç) Mosdhënia e ndihmës mjekësore menjëhere të të dëmtuarve nga dhuna e ushtruar;

  1. d) Ndërhyrja në banesa pa akt të motivuar dhe për më tepër me iniciativënga punonjësit e strukturave tëPolicisë së Shtetit;
  2. dh) Shoqërimi dhe arrestimi i dy personave për të cilët nga prokurorja nuk është konstatuar që të kenë qënë në protestë;
  3. e) Atribuimi i 6 fakteve penale, ndërkohë që organi i Prokurorisë ka regjistruar procedimin penal vetëm për 3 akuza;

ë) Dërgimi i akteve nga Komisariati i Policisë në organin e Prokurorisënë datën 30.06.2019,me gati 30 orë vonesë;

  1. f) Mos shoqërimi i të arrestuarve në Gjykatëpër vleftësimin dhe caktimin e masës së sigurisë në datën 01.07.2019, duke e refuzuar kërkesën e Gjykatës;
  2. k) Mos njoftimi i prokurores dhe kryerja me iniciativë e veprimeve me të arrestuarit;
  3. l) Mbajtja pa dijeninë e organit procedues të 26 personave në kërkim policor dhe pa masa sigurie personale.

Për sa më sipër gjykojmë se, punonjësit e strukturave të Policisë së Shtetittë cilin kishin shkuar në ndihmë të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër në prag të zgjedhjeve vendore të datës 30.06.2019 gjatë përmbushjes së detyrës së ngarkuar në datën 29.06.2019 për kapjen dhe shoqërimin në Komisariatin e Policisë Dibër të shtetasve Agim Bojku, Ervis Bojku, Imer Kaloshi, Jeton Kaloshi, Ardit Kaloshi, Erald Kaloshi, Arif Kaloshi, Klajdi Uka dhe Ditmar (Bilbil) Ramadani (Gjura) janë konsumuar elementët e veprës penale të ‘Kryerjes së veprimeve arbitrare’ në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 250 dhe 25 të Kodit Penal, të ndryshuar.

Kjo mënyrë sjelljeje e punonjësve të policisë vjen në kundërshtim edhe me nenin 2 të ligjit nr. 108/2014 ‘Për Polinë e Shtetit’ ku parashikohet se:

‘Policia e Shtetit ka për mision ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut’.

Gjithashtu ajo vjen në kundërshtim edhe me nenin 94 të këtij ligji i cili parashikon se:

‘Punonjësi i policisë është i detyruar të respektojë rregullat e sjelljes dhe etikës gjatë përmbushjes së detyrave….’

Në rastin nëshqyrtim, veprimet e punonjësve të këtyre strukturave, të cilët kryejnë funksionin shtetëror, si punonjës të Policisë së Shtetit, përmbajnë elementët e veprës penale të ‘Kryerjes së veprimeve arbitrare’, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 250 dhe 25 të Kodit Penal. Këto veprime ata i kanë kryer gjatë ushtrimit të detyrës së tyre duke cënuar rëndë integritetin fizik të shtetasve Agim Bojku, Ervis Bojku, Imer Kaloshi, Jeton Kaloshi, Ardit Kaloshi, Erald Kaloshi, Arif Kaloshi, Klajdi Uka dhe Ditmar (Bilbil) Ramadani (Gjura), të garantuar nga neni 25 i Kushtetutës, Kodi Penal, Kodi i Procedurës Penale,ligji nr. 108/2014 ‘Për Policinë e Shtetit’.

Ndërsa qëndrimi i mbajtur nga drejtuesi i Komisariatit të Policisë Dibër në këtë rast, duke mbajtur të shoqëruarit në komisariat pa ndonjë akt, mos dhënien menjëherë të ndihmës mjekësore të të shoqëruarve të dëmtuar gjatë kapjes dhe shoqërimit nga punonjësit e strukturave të Policisë së Shtetit, duke mos dërguar disa të arrestuar të dëmtuar për vizitë mjekësore tek mjekët specialistë dhe shpallur në kërkim pa dijeninë e organit procedues të 26 personave janë në kundërshtim me aktet normative në fuqi dhe Procedurën Standarde të Punës ‘Për trajtimin dhe sigurimin e personave të arrestuar/ndaluar në ambientet e Policisë së Shtetit, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre’, e miratuar me Urdhrin nr. 1102, datë 07.11.2017, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Gjithashtu edhe mosdërgimi i të arrestuarve në Gykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër në datën e kërkuar prej saj për zhvillimin e seancës gjyqësore për vleftësimin dhe caktimin e masës së sigurimit personal vjen në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe përbëjnë mos përmbushje të rregullt të detyrës që i është ngarkuar me ligj. Këto veprime dhe mos veprime i kanë sjellë pasoja të rënda interesave të ligjshme të shtetasve duke i dëmtuar shëndetin dhe cënuar lirinë personale. Me veprimet dhe mosveprimet e tij ai ka konsumuar elementët e veprës penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’, të parashkuar nga nenet 248 e 25 të K.Penal.

Ndërkohë, këto veprime dhe mosveprime të punonjësve të Policisë së Shtetit cënojnë rëndë imazhin e organeve të Policisë së Shtetit, si dhe dëmtojnë e trondisin thellë besimin e publikut tek këto organe të administratës publike.

Për sa më sipër, bazuar në nenin 63/3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ku parashikohet se: ‘Avokati i Popullit ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa kur vëren shkelje të të drejtave të njeriut, nga administrate publike’, dhe në nenin 21/ç të ligjit nr.8454 datë 04.02.1999 ‘Për Avokatin e Popullit’, ku thuhet se: ‘i rekomandon prokurorisë të fillojë hetime në qoftë se vëren se është konsumuar figura e një vepre penale’,

R E K O M A N D O J M Ë :

Rekomandim për fillimin e hetimeve ndaj punonjësve të struktuarve të Policisë së Shtetit që kanë shkuar në ndihmë të DVP Dibër, për veprën penale të ‘Kryerjes së veprimeve arbitrare’, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 250 dhe 25 të Kodit Penal, të ndryshuar, si dhe ndaj drejtuesit të Komisariatit të Policisë Dibër për veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, të ndryshuar.

Për qëndrimin që do të mbani dhe masat që do të merrni në zbatim të këtij rekomandimi, lutemi të na ktheni përgjigje brenda 30 ditëve konform nenit 22 të ligjit nr. 8454 datë 04.02.1999 ‘Për Avokatin e Popullit’, i ndryshuar.

Bashkëlidhur po ju dërgojmë në cilësinë e provave fotokopje të njëhsuara të dokumentave të mëposhtme:

  1. Procesverbali i pyetjes së shtetasit Agim Bojku në datën 04.07.2019.
  2. Procesverbali i pyetjes së shtetasit Ervis Bojku në datën 04.07.2019.
  3. Procesverbali i pyetjes së shtetasit Imer Kaloshi në datën 04.07.2019.
  4. Procesverbali i pyetjes së shtetasit Jeton Kaloshi në datën 04.07.2019.
  5. Procesverbali i pyetjes së shtetasit Ardit Kaloshi në datën 04.07.2019.
  6. Procesverbali i pyetjes së shtetasit Erald Kaloshi në datën 04.07.2019.
  7. Procesverbali i pyetjes së shtetasit Arif Kaloshi në datën 04.07.2019.
  8. Procesverbali i pyetjes së shtetasit Klajdi Uka në datën 04.07.2019.
  9. Procesverbali i pyetjes së shtetasit Fiqiri Kaçaku në datën 04.07.2019.
  10. Fotokopje e fletës së regjistrit të personave të shoqëruar në Komisariatin e Policisë Dibër.
  11. Fotokopje e fletës së regjistrit të personave të ndaluar/arrestuar në Komisariatin e Policisë Dibër.
  12. Fotokopje e fletës së librit të kryerjes së vizitave mjekësore të të arrrestuarve/ndaluarve në Komisariatin e Policisë Dibër.
  13. Fotokopje e listës së personave në kërkim aktiv nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër (E përditësuar më 03.07.2019).
Artikulli paraprakTjetër koncesion i fshehtë tek karburantet, do t’i kushtojë taksapaguesve 100 milionë euro
Artikulli tjetërDeklarata e fortë e shkrimtarit: Kryeministri i Shqipërisë me prirje të diktatorit, zgjedhjet njëpartiake i mbron me…