Avokati i 18-vjeçarit që akuzohet se hodhi kapsollën që lëndoi efektiven e policisë Ina Nuka, deklaroi sot se Prokuroria nuk ka asnjë provë lidhur me këtë.
Mbrojtësi ligjor i Daniel Drobajt tha se nuk ka asnjë pamje filmike që të vërtetojë se e ka hedhur drejt oficeres së policisë, edhe pse ka pasur 3 kapsollë me vete.
“Në lidhje me kundërshtimin e forcave të policisë, klienti ka dalë në mbrojtje të banesës së tij, nuk ka dhunë ndaj policisë. Ai nuk ka pranuar ta shoqërojnë me makinën e policisë.
Paraqita para Gjykatës kërkesat e familjarëve të tij. Ka qenë një çështje minutash ku i ati e ka nxjerrë nga banesa për ta dorëzuar”, tha Alfred Duka, avokati i 18-vjeçarit.
Avokati denoncoi edhe dhunën e ushtruar ndaj klientit të tij.
“Është ushtruar dhunë me të gjitha mënyrat, me sharje nga më rrugaçet e deri te goditjet me grushte. Prokuroria nuk ka asnjë provë që klienti im ka hedhur kapsollën drejt efektives së policisë. Ai ka pranuar, se ka pasur kapsolla dhe i ka hedhur ato drejt llamarinave të Namazgjasë”, tha avokati Alfred Duka.
Gjykata vendosi sot masën e sigurisë “arrest në burg” për Daniel Dobrajn.