Avokati i Trump: Prokurorët po përpiqen t’i ngrenë një kurth të pabesë

Presidenti amerikan Donald Trump dëshiron “me ngulm” t’u përgjigjet pyetjeve të hetimit penal për lidhjet e anëtarëve të fushatës së tij elektorale me Rusinë, por një nga avokatët e tij thotë se mbetet skeptik nëse duhet lejuar që Presidenti Trump të përballet me pyetjet e prokurorëve nëse ai pengoi drejtësinë duke u përpjekur të dëmtonte hetimin.
Avokati i Presidentit Trump, ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani, i tha sot kanalit CNN se prokurori i posaçëm Robert Mueller dëshiron ta marrë në pyetje Presidentin për dy tema kryesore: bashkëpunimin e mundshëm me Rusinë në muajt përpara zgjedhjeve, si dhe nëse u përpoq kur u bë President që të bllokonte hetimin duke shkarkuar drejtorin e FBI-së James Comey, i cili drejtonte hetimin për Rusinë, përpara se të emërohej në këtë detyrë prokurori i posaçëm Mueller.

Zoti Giuliani u shpreh se “jam ok me pjesën për bashkëpunimin pasi e dimë që nuk pati një gjë të tillë. Me pjesën për pengimin e drejtësisë nuk ndjehem komod. Unë nuk jam. Presidenti nuk e ka problem. Ai është i pafajshëm. Unë nuk jam komod më këtë pasi është çështje interpretimi dhe jo diçka konkrete, diçka e vërtetë apo jo e vërtetë”.
Ai shtoi se “nëse i interpreton komentet e tij për shkarkimin e zotit Comey… nëse i interpreton si pengim të drejtësisë dhe jo si shkarkimin e dikujt që po e bën punën keq… pra nëse e shikon si pengim të hetimeve, atëherë mund të thuash se është pengim i drejtësisë”.
Zoti Giuliani tha se anëtarët e ekipit ligjor të Presidentit janë të shqetësuar se ai mund të bjerë në kurthin e dëshmisë së rreme, kur ai të jetë duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve për arsyet e shkarkimit të zotit Comey. Në këtë rast dëshmia e rreme përbën veprën penale të gënjeshtrave nën betim.

Exit mobile version