Neshat Fana, avokati i ish-drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve, Andi Toma, ka deklaruar për “Panorama” se, arrestimi i klientit të tij është bërë në shkelje flagrante të ligjit dhe procedurave ligjore. Fana ka thënë se do të bëjë kallëzim penal për prokuroren dhe gjyqtaren, që kanë vendosur arrestimin e Andi Tomës.
KALLËZIMI PENAL
Për Neshat Fanën, i gjithë procesi i ngritur ndaj Andi Tomës ka prapavijë politike dhe për këtë ai bëri të ditur se do të kallëzojë penalisht si gjyqtaren që ka dhënë vendimin, edhe prokuroren e çështjes. “Kemi të bëjmë me një sjellje kriminale të Policisë. Me një papërgjegjshmëri dhe shkelje të ligjit nga ana e Gjykatës dhe prokurores, të cilat kanë dhënë vendim të paarsyetuar sipas ligjit, për të cilat unë nuk do le gjë pa bërë. O do i çoj për përgjegjësi penale atë prokurore dhe atë gjyqtare, o s’ka! Do vdes unë ose do lë licencën. Ata njerëz do i çoj para përgjegjësisë, o s’ka!
Të abuzosh me ligjin për interesa politike, për qejfe peshqish të mëdhenj apo të vegjël, vetëm në këtë vend gjen. Arrestimi është në mënyrë flagrante në shkelje me ligjin dhe unë pres nesër të marr materialet, do shkoj në gjyq dhe do ndjek procedurat. Por unë do kallëzoj penalisht edhe prokuroren dhe gjyqtaren sepse kanë shkelur në mënyrë flagrante kërkesat e ligjit që janë ndryshuar së fundmi me Reformë në Drejtë- si. I kanë shkelur në mënyrë flagrante dhe do t’i diskreditoj publikisht dhe nuk do t’i lë gjë. Sepse nuk munden të dhunohen njerëzit në këtë farë feje”, ka thënë dje avokati Neshat Fana.panorama.
Pasi ka dhënë vendimin për ish-kreun e ARRSH-së, Dashamir Xhikë, Gjykata e Elbasanit ka dhënë vendimin dhe për 9 të pandehur të tjerë, të cilët akuzohen për ’Shpërdorim detyre’ dhe Korrupsion. Gjykata ka vendosur masën arrest me burg për Dashamir Xhika, Agron dhe Kujtim Hysa si dhe Andi Toma. Gjykata vendosi masën arrest shtëpie, Rexhep Tarba, Rezarta Bakçiu.
Çfarë thotë avokati i Xhikës
Mbrojtësit ligjorë të Dashamir Xhikës, në një deklaratë për shtyp, sqarojnë opinion publik lidhur me informacionet e shpërndara në media të cilat ata i cilësojnë të pasakta. Ata sqarojnë se Procedurat për ndërtimin e kësaj rruge kanë nisur që në vitin 2009. Ndërkohë që ish-drejtori i Përgjithshëm i rrugëve Dashamir Xhika, është emëruar në krye të këtij institucioni në vitin 2013.
Deklarata e plotë e avokatit
“Duke marrë shkas nga informacionet jo të sakta dhe jo të plota të shpërndara në median e shkruar dhe atë audiovizive me cilësinë e avokatëve të shtetasit nën hetim Dashamir Xhika sqarojmë opinionin publik për sa më poshtë: Në ngarkim të klientit të mbrojtur prej nesh, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka regjistruar procedimin penal me nr 740, datë 11. 04. 2016, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Akuza e ngritur nga organi i Prokurorisë dhe hetimet që ai po zhvillon deri në këtë fazë të procedimit penal, kanë të bëjnë me dyshime se shtetasi në fjalë në detyrën e ish Drejtorit të Përgjithëshëm të Autoritettit Rrugor Shqiptar ka shpërdoruar detyrën në lidhje më një procedure tenderimi për sistemimin dhe asfaltimin e Rrugës Gjinar të Rrethit Elbasan. Nga praktika që neve si mbrojtës disponojmë dhe që hedh dritë për ndërtimin e këtij segmenti rrugor sqarojmë se kemi të bëjmë më një procedure tenderimi dhe kontratë të lidhur me shoqëritë e ndërtimit fituese qysh në vitin 2009. Ndërkohë që ish Drejtori i Përgjithshëm i këtij institucioni zoti Dashamir Xhika është emëruar në këtë detyrë në vitin 2013.
Sqarojmë opnionin publik bazuar në informacionet jo të sakta të shpërndara në disa media, se ky hetim nuk ka të bëjë aspak me ndonjë segment tjetër rrugor ashtu siç aludohet në to. Klienti jonë ka qenë dhe është në dispozicion të organit të hetimit dhe kërkon nga ky organ që të zbatojë parimet e procesit të rregullt ligjor dhe atë të barazisë së armëve. Prezumimi i parimit të pafajësisë është guri i themelit të vendosur nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe ligji procedural penal dhe më këtë parim askush nuk mund të abuzoj. Dukë nisur nga fakti se klienti jonë është një person publik dhe akuza e ngritur ndaj tij lidhet me këtë funksion, hetimi dhe gjykimi i shpejtë dhe i drejtë i kësaj çështje jemi profesionalisht të bindur se do të provojë pafajësinë e tij”.