Ivanka Trump, e cila ka mbajtur një profil të ulët që pasi është transferuar me familjen e saj në Washington, ka filluar të zhvillojë axhendën e saj të fuqizimit të gruas që ka promovuar edhe gjatë fushatës vitin e kaluar. Të enjten në mbrëmje, vajza e madhe e presidentit Donald Trump organizoi një darkë me një grup drejtuesish ekzekutivë në shtëpinë e saj në Kalorama. Qëllimi i eventit, sipas dy burimeve të brendshme, ishte që Ivanka të mblidhte ide se si mund të fuqizohet gruaja në tregun e punës dhe të luftojë për çështjet që kanë të bëjnë me lejen e shtatzënisë.
Eventi ishte hapi i parë i Ivanka Trump për të influencuar politikën e administratës së babait të saj. Vajza e profilit të lartë të presidentit u tërhoq nga pozicioni i saj ekzekutiv në organizatën Trump dhe është shkëputur nga linja e saj e famshme e modës muajin e kaluar, për të shërbyer si një sistem mbështetjeje të jashtme për babain dhe bashkëshortin e saj, këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner. Por eventi i ditës së enjte shënon edhe hapin e parë të hyrjes së Ivankës në politikë pas transferimit në kryeqytet.
Pjesëmarrësit kryesorë të eventit të rëndësishëm të Ivankës ishin drejtues ekzekutivë të kompanive më të mëdha amerikane si Doug McMillon i Wallmart; Mary Barra i General Motors; Mark Weinberger i Ernst & Young; Alex Gorsky i Johnson & Johnson EO; bankieri dhe investitori Adebayo Ogunlesi; Jamie Dimon kreu i JPMorgan e shumë të ftuar të tjerë nga fusha e politikës.
Ky në fakt nuk është eventi i parë diplomatik i Ivankës apo përdorimi i rrjetit unik të figurave të fuqishme të biznesit për mbështetur administratën e babait të saj, por duke mbetur e shkëputur plotësisht nga urdhrat ekzekutivë të shumëdebatuar të Trumpit, si ndalimi i emigracionit, për të cilin ajo nuk ka zgjedhur të bëjë asnjë koment.
Liderët e biznesit të mbledhur nga Ivanka këtë javë nuk janë lojtarë të rinj në botën e Trumpit. Barra, McMillon, Weinberger dhe Ogunlesi kanë shërbyer të gjithë si këshilltarë të ekipit tranzitor të presidentit, si anëtarë të këshillit të biznesit. Gorsky ka bërë një takim në Shtëpinë e Bardhë me Trump dhe liderë të tjerë biznesi dhe doli nga takimi duke lavdëruar administratën e re. Të tjerë si, Weinberger dhe Dimon janë takuar me presidentin Trump ditën e premte.
Por ata janë gjithashtu edhe liderë biznesi që po përshtaten në të njëjtën kohë me rregullat e reja të punës me presidentin e ri, i cili ndonjëherë ndjek politika të diskutueshme apo kritikon hapur kompanitë më të mëdha amerikane në Twitter. Megjithatë, liderët e biznesit janë gjithnjë të gatshëm të bashkëpunojnë me vajzën e preferuar të presidentit. Muajin e kaluar Trump kritikoi ashpër General Motors pasi i kishte përmirësuar makinat Chevrolet Cruze nga fabrika e Meksikës. Barra në kundërpërgjigje ka deklaruar se kompania nuk ka ndërmend ta transferojë produksionin e makinave nga Meksika në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, për Ivankën eventi nuk ishte fusha e diskutimit të taksave kufitare apo për të influencuar politikat që janë pjesë e premtimeve të Trumpit. Ajo e shfrytëzoi këtë rast për të promovuar vetë pozicionin e saj, duke folur për fuqizimin e gruas në fuqinë punëtore. Ajo dhe bashkëshorti Kushner përpiqen të shërbejnë si ura lidhëse me sektorin privat, nga ku kanë dalë të dy. Roli si urë lidhëse me komunitetin e biznesit është hapi më i natyrshëm për Ivankën si grua ambicioze në karrierë, e cila deri një vit më parë synonte të krijonte markën e saj ndërkombëtare.
Ivanka ishte veçanërisht e interesuar të ftonte në pjesëmarrje lidershipin e General Motors, pasi kompania kishte deklaruar javën e kaluar se do të niste një program të ri trajnimi të paguar për të inkurajuar gratë inxhiniere që të ktheheshin në punë pasi ishin shkëputuar prej dy ose më shumë viteve. Gjatë një interviste, Weinberger tha se ekipi i Ivankës e kishte tërhequr për të vazhduar diskutimin. “Ata duan të bisedojnë me njerëz që e njohin mirë rëndësinë e gruas në tregun e punës dhe për të diskutuar pengesat me të cilat përballen ato”, tha Weinberger. “Ata duan të diskutojnë se çfarë mund të bëhet përmes qeverisë dhe përmes biznesit”.
Ai e quajti Ivankën një zë i jashtëzakonshëm i fushatës. Ajo prezantoi ide të mira për shpenzimet e kujdesit të fëmijëve dhe mënyra për të lehtësuar jetën e gruas në punë. “Nuk besoj se është vetëm Ivanka ajo që e shtyn këtë iniciativë. Ajo natyrisht tërheq të gjithë vëmendjen, por ekziston një staf i mirëfilltë që merren me këtë çështje”.
“Gjinia nuk është më një faktor që përcakton pabarazinë e pagave në këtë vend. Ky faktor tashmë është mëmësia”, tha Ivanka, nëna e tri fëmijëve, gjatë fjalimit të saj. “Familjet amerikane kanë nevojë për lehtësimin e kësaj barre. Politikat që mundësojnë zhvillimin e karrierës për gratë me fëmijë nuk duhet të jenë risi në këtë vend. Ato duhet të jenë norma”.
Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI