Azgan Haklaj, një emër i njohur për qëndresën e tij politike dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij në qarkun e Tiranës nën siglën e Koalicionit Euroatlantik. Ai i është drejtuar qytetarëve me një mesazh, duke vënë theksin në rrugëtimin e tij politik dhe betejat që ka kaluar në mbrojtje të idealeve demokratike.
Në deklaratën e tij, Haklaj shpreh besimin se ndodhemi në një moment vendimtar për të ardhmen e demokracisë në Shqipëri. Sipas tij, zgjedhjet e vitit 2021 janë vjedhur nga “Trekëndëshi i Bermudës”, ndërsa vula e Partisë Demokratike është grabitur për të penguar opozitën dhe, rrjedhimisht, për të dëmtuar demokracinë.
“Vota është shpëtimi ynë… e jo ‘revolucioni’”, thekson Haklaj, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje dhe mbështetje për Koalicionin Euroatlantik me numrin 4 në fletën e votimit.
Ai kujton se për më shumë se tre dekada ka qëndruar larg posteve zyrtare, duke punuar në terren, mes njerëzve, në të gjitha trojet etnike shqiptare. “Zyra ime elektorale është në zemrën e shqiptarëve në të gjitha trojet etnike”, thotë ai, duke premtuar se do të jetë gjithmonë në krah të qytetarëve, me apo pa mandat.
Haklaj thekson se nuk është futur në politikë për karrierë apo përfitime, por si një misionar që synon të shërbejë për të mirën e kombit dhe demokracisë.
Në fund të mesazhit të tij, ai u bën thirrje qytetarëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë:
“Votoni Koalicionin Euroatlantik me nr. 4! Më besoni t’ju shërbej!”
Postimi i plotë i Azgan Haklaj:
Zyra ime elektorale është në zemrën e shqiptarëve në të gjitha trojet etnike!
Të dashur miq!
Rasti jetësor e ka sjellë që tre dekada të jem i përfshirë në politikë.
Natyrisht e palëkundshmërisht në atë që besoj:
Demokrate e demokratë!
Qytetare e qytetarë!
Nëse do ta quaja shkëlqim në karrierën time është fakti që jam bërë i njohur si opozitar dhe rreptësisht qëndrestar, ç’ka e kam në gen dhe në vetëdijen time njerëzore e politike.
Qëndrova fort atëherë kur të këpusnin dy gishtat po të proklamoje simbolin e PD-së…!
Atëherë kur pushteti social-komunist jo vetëm të shantazhonte por të minonte me tritol shtëpinë, të vriste të afërmit simbol të fjalës së lirë, të terrorizonte fëmijët dhe familjen, të sakatonte, të burgoste, plagoste dhe të vriste…!!
Ky qe fati im dhe i shumë demokratëve qëndrestarë me të cilin jo vetëm u ambientova por dhe u adaptova si pacienti që ambientohen e pajtohet me sëmundjen e tij…!
Sa herë që vinte pushteti, parashutat majtiste zbrisnin në aerodromin e Sali Berishës dhe pajiseshin me imunitet e me poste ministrore… ndërsa unë “zyrën” time e krijoja në natyrë duke i rënë trojeve etnike shqiptare, i veshur me tirq e xhamadan dhe me plis të bardhë në krye e me flamurin kombëtar në dorë për të bërë bashkimin e shenjtë shpirtëror mbarëshqiptar.
Kjo ka qenë zyra ime ku nuk janë drejtuar vetëm politikanë e artistë të Kombit Shqiptar por dhe mijëra hallexhinj të cilëve ju kam shërbyer dhe vijoj t’ju shërbej me të njëjtin zell e pak më shumë sesa në një fushatë zgjedhore.
Të njëjtën adresë “zyre elektorale” do ta gjeni sot dhe mot që guxova të kandidoj dhe me shpresë te Zoti, lejen e ndihmën e tij dhe mbështetjen tuaj do fitoj…!
Azgan Haklaj është zyra ime e hapur përjetësisht me e pa mandat.
Kushdo më voton apo më kundërshton është i mirëpritur për miqësi e ndihmë vllaznisht e shqiptarisht.
Në politikë nuk denjoj të jem rrogëtar por misionar…!
Unë sot nga metropoli i atdheut e Kombit tim, Tirana, kam krenarinë dhe besimin të kërkoj votën në emër të Koalicionit Euroatlantik.
Jo për nominacion bombastik por për realitetin historik!
Dita-ditës po vërtetohet se zgjedhjet e vitit 2021 janë vjedhur bashkërisht nga Trekëndëshi i Bermudës!
Çdo ditë po vërtetohet se vula e PD-së është grabitur për të mbajtur peng opozitën e për rrjedhojë demokracinë.
E kërkoj votën për Koalicionin Euroatlantik se i përkasim si komb këtij vokacioni.
Natyrisht është e rëndë kjo situatë por jo pa rrugëdalje…
Vota është shpëtimi ynë… e jo “revolucioni”.
Qytetarë të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë!
Votoni Koalicionin Euroatlantik me nr. 4!
Më besoni t’ju shërbej!