“Baba Zylfo Turani (Martir i kombit)”, një monografi që duhet lexuar

Nga Shpëtim Agolli

“Por siç shkruhet edhe në dokumente arkivorë për baba Hysenin “nuk ju ndenjt pa shkuar edhe vetë në Vlorë ku ndenji pak kohë pranë Ismail Qemalit”.
Hipur në kuaj, pasi u ndalën në teqetë e Elbasanit dhe të Mallakastrës, baba Hyseni, dervish Zylfua dhe tri-katër dervishë e myhib të tjerë shkuan në Vlorë dhe u vendosën në teqenë e Kuzum Babait, ku u pritën me nderime të veçanta nga baballarët dhe dervishët e Vlorës.
Duke njohur kontributin e spikatur të klerikëve të Teqesë së Melçanit, baba Sali Matohasanaj ftoi edhe disa baballarë nga Tepelena e Mallakastra për t’u takuar dhe ç’mallur me baba Hysenin, dervish Zylfon dhe shoqërues të tyre.
Paskëtaj, për tri katër ditë me radhë, ata kanë qenë miq të Ismail Qemalit…
Kur erdhi dita e ndarjes, Ismail beu i kish mbajtur gjatë duart e dervish Zylfos në duart e tij dhe i kishte thënë: “Biri im!
Unë dhe baba Hyseni jemi në fund të çairit, por nuk ligështohemi se lemë pas djem si ty. Qëndro gjithmonë në besë të fesë dhe të Shqipërisë!…”
Edhe pas këtyre takimeve  në Vlorë, Ismail Qemali nuk i harroi kurrë veprat e vyera kombëtare të Teqesë së Melçanit në këtë periudhë”.

E nisa këtë shkrim paksa të gjatë sepse sapo kam përfunduar një libër monografik të z. Syrja Xhelaj me titull “Baba Zylfo Turani (Martir i kombit)”, botuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, i cili i kushtohet rolit të madh të bektashizmit në çështjet kombëtare, por kryesisht rolit të baba Zylfo Zaimit në luftë dhe përpjekjeve për mësimin e gjuhës shqipe dhe mbrojtjen e territoreve shqiptare edhe përtej kufijëve politikë të vendosura padrejtësisht nga fuqitë e mëdha në Kongresin e Berlinit në vitin 1913, me ç’rast mua më bie detyrimi moral dhe shoqëror për t’i falenderuar.

Ky libër do të prezantohet më dt 22 dhjetor 2023 në Korçë, meqenëse veprimtaria fetare dhe atdhetare e baba Hysen Zaimit dhe baba Zylfo Zaimit aty ishte edhe më e madhe.

Unë si njëri prej pinjollëve të tyre dhe njëri prej organizatorëve të këtij eventi, kam mirësinë që clindo prej jush t’a ftoj dhe t’a mirëpres në këtë takim me vlera të veçanta.

Historia prej dekadash i kishte “harruar” këto figura të mëdha të kombit duke i hedhur në honet e thella të errësirës, ashtu sikurse diktatura kishte vepruar dhe me shumë figura të tjera të lartësuara nga vetë historia e tyre.

Libri është bazuar jo vetëm nga gojëdhënat por nga dokumenta arkivore të AQSH, nga Stambolli, Irani, Egjypti, Greqia, Amerika etj. si dhe nga libra të botuar nga studiues, historianë vendas dhe të huaj, por sidomos nga Arkiva e Kryegjyshatës Bektashiane Botërore Tiranë (Dosja baba Zylfo).
FB IMG 1702830776782

Pak fjalë mbi baba Zylfon
Ai lindi në Vërlen të Devollit në v.1883 në një familje me ndjenja të theksuara patriotike.
Emrin Zylfiqar (shkurt Zylfo) ai e mori nga ungji i tij baba Hyseni i teqesë të Melçanit të Korçës që do të thotë “shpata e Imam Aliut”.

Teqeja e Melçanit është nga të parat teqe në viset shqiptare qëkurse lindi tarikati bektashi.
E ndërtuar në një kodër të bukur mbi rënojat e një fortese ilire, me një sipërfaqe të madhe e cila sheh nga lart pamjen piktoreske të fushës dhe qytetit të Korçës, ajo u bë vend takimi dhe pritje për të gjithë patriotët e mëdhenj të të gjitha feve jo vetëm të zonave të Korçës, Kolonjës, Devollit, Gorë-Oparit por edhe të gjitha trevave mbarë shqiptare.

Këtu në fundshekullin e XIX dhe fillimshekulli i XX shërbyen si gjyshër dhe baballarë At Hysen Zaimi dhe më vonë At Zylfo Zaimi, por jo vetëm.
Baba Zylfo shërbeu edhe në teqenë e Turanit të Korçës, pas një përplasje që patën mes tyre me baba Qazimin, i cili me mbështetësit e tij haxhiqamilistë kishin prirje të theksuara otomane nga të cilat deshin shkëputjen përfundimtare shumica e klerikëve bektashinj.
Këtu fillon edhe përplasja me Perandorinë Otomane, me çrast Sulltani dha urdhër të digjeshin dhe shkatërroheshin teqetë e viseve shqiptare si dhe të përndiqeshin klerikët e tyre.

Pas përplasjes me haxhiqamilistët dhe forcat greko-franceze baba Zylfon e kapin dhe e internojnë për dy vjet në ishullin Lesbos të Greqisë.

Unë nuk dua të zgjatem sot në shkrim, sepse atyre të cilët do kenë mundësi t’a lexojnë këtë libër nuk dua t’u humbas kërshërinë dhe për të tjerët herë pas here do sjell shkrime në fb nga ky libër interesant i shkruar me një gjuhë lakonike përtej përshkrimeve fetare ku vihen në dritë dhe spikatin kryesisht mençuria, trimëria, urtësia dhe kultura me vizion perëndimor dhe liberal të baba Zylfos.

At Zylfos, si njohës i mirë i gjuhës osmane, persishte, greqishte dhe asaj frënge i’u krijua mundësia, për t’u njohur me figura të larta kombëtare si Mid’hat Frashëri, Fan Noli, At Gjergj Fishta, Lef Nosi, Themistokli Gërmenji, Çerçiz dhe Bajo Topulli, Qamil dhe Sabri Panariti, Sabri Qyteza, Muharem Myteveveli, Tefik Orgoska, Hasan Bitincka, Kajo Babjeni, Kol Tromara, Myslim Qesaraka, Mestan Ujaniku, Mehmet Pashë Derralla (prefekt i Prizërenit), Orhan Pojani dhe shumë e shumë patriotë të tjerë në të gjitha viset shqiptare pa harruar të gjithë kryeklerikët e çdo feje dhe në veçanti ata bektashinj nga Korça, Gjirokastër, Tepelenë, Vlorë, Krujë, Dibër, Gjakovë, Pejë, Manastir, Kostur, Follorinë, Konicë, Katerinë, Meçovë, Janinë, Kryegjyshin e Detroitit në Amerikë, Egjipt, Iran, Stamboll etj.

Në libër do të gjeni përplasjen me Ahmet Zogun për shkak të miqësisë të tij me Fan Nolin i cili ky i fundit, kishte një rol të madh dhe nxitës kryesor për  shkëputjen e bektashizmit nga osmanët, ashtu sikurse veproi për krijimin e Autoqefalisë të Kishës Ortodokse dhe më vonë përmirësimin e marrdhënieve me Mbretin, sepse edhe ai ishte i vendosur për vendosjen e Selisë të Shenjtë në Tiranë.

Veprimtaria patriotike e baba Zylfos u fokusua tek mësimi i gjuhës shqipe nga shqiptarët në çdo vis ku ata jetonin.

Ai financoi dhe shpërndau botimet dhe librat shqip të shtypur në Bukuresht,  Sofje dhe Selanik.

Si pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, i iluminuar nga veprat e Frashërllinjëve, Abdyl, Sami dhe Naim Frashëri, fjala e tij në mbrojtjen e gjuhës shqipe të shkruar me gërma latine u bëri përshtypje të madhe pjesëmarrësve nga një djalosh i ri shtathedhur me pamje fisnore.

Ishte po baba Zylfo i cili këmbënguli që Kryegjyshi Botëror i Stambollit baba Sali Niazi Dede (Starja), të kthehej në atdhe për t’u vendosur në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë, i cili edhe për ndërtimin e kësaj selie kishte rolin kryesor, ashtu sikurse ndikoi fuqishëm në atë periudhë në organizimin e dy Kongreseve Bektashiane, nê atë të Gjirokastrës dhe atë të Korçēs, ku me statut të votuar nga pjesëmarrës jo vetëm nga vendi, Ballkani dhe shumë vende të botës, u bë miratimi që Selia e Shenjtë Bektashiane të ishte në Shqipëri.

Pas vrasjes enigmatike të Kryegjyshit At Sali Niazi Dede në v.1941, kohë kur vendi ishte i pushtuar nga Italia fashiste, baba Zylfos ju kërkua të mbante postin e Kryegjyshit Botëror të Selisë të Shenjtë, gjë të cilën ai nuk e pranoi për vetë rrethanat që kishte vendi.

Në libër do t’a gjeni si negociator i nisur nga Themistokli Gërmenji dhe Sali Butka me gjeneralin francez gjatë luftës për autonominë e Korçës dhe çlirimin e saj nga zaptuesit grekë.

Ishte po baba Zylfo i cili këmbënguli që eshtrat e Naim Frashërit të preheshin në atdhe.
Ishte po ky baba, i cili hapi oxhakkafenë e teqesë të Turanit ku priste e përcillte patriotë dhe atdhetarë nga i gjithë vendi ku thurrnin plane lufte ndaj okupatorit nazi-fashist.
Ishte po ky baba që pasurinë e ndante me fukarenjtë, hapte dyert e hotelit dhe restorantit në Pazari i Korçës ku kryeshin takime dhe merreshin vendime për çēshtjen kombëtare.

Ishte po ky baba, i cili me urtësinë e tij nuk pranoi një luftë vëllavrasēse, megjithëse në pabesi komunistët i kishin vrarë disa prej miqëve të tij më të ngushtë, derisa dhe vetë e pësoi nga urtësia dhe trimëria që e karakterizonte, ku më 20 nëntor 1943 në pabesi u gjetën të therrur me thika Baba Zylfo, Sabri Panariti, Refat Goskova me djalin e tij.

Për këtë pjesë nuk dua të zgjatem, sepse kam shkruar edhe herë tjetër sipas gojëdhënave të timgjyshi dhe babait tim, por edhe duke iu referua  librit të z.Uran Butka sipas dokumentave të kohës me titull: “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945”.

Profesori i Institutit Roman të studimeve për Lindjen e Mesme, Angelo De Matteis në një deklaratë të qendrimit në Shqipëri thotë:

“Në Korçë kam pasur takime me Kristo Kirkën, me peshkopin ortodoks dhe kryemyftiun…Zotërinjtë e sipërpërmendur më kanë këshilluar se nëse doja të takoja krerët e vendit, dmth Safet Butkën, Mestan Ujanikun, Reshit Çollakun për të njohur të vërtetën mbi mendimin politik të popullit shqiptar lidhur me Italinë, duhej të takohesha me baba Zylfon i cili ishte në gjendje të më krijonte këtë mundësi.”

Në mbyllje dhe me durimin që më lexuat dua t’ju shkruaj disa vargje të Rumiut
nga “Odetet mistike”:

“Fjalët janë bërë,
Madhështia e detit është shfaqur,
Agimi i bekimit zbardhoi,
Agimi? Jo, kjo është drita e Zotit…”

Martiri Baba Zylfo i cili nuk e ndau prej vetes asnjëherë flamurin kombëtar krahas atij bektashian, e ka siguruar nderin dhe dritën në panteonin e lavdisë.

Exit mobile version