Babai i Florencit: Kërkoj drejtësi, djali kishte shenja dhune në trup

Me lot në sy, i ati i Florenc Beqiraj kërkon zbardhjen e së vërtetës për vdekjen e të birit. Teksa solli trupin e pajetë të tij nga Franca, Gëzim Beqiraj thotë se kërkon drejtësi, pasi nuk ka dhënë leje dhe as u pyet nga mjekët për heqjen e tubave. Sipas tij, i biri ka pasur shenja në trup, por shton se sapo filloi të akuzojë, spitali zhduki gjurmët në trupin e Florencit. “Ishalla e do drejtësia djalin tem. Meqë më iku nga kjo jetë, të paktën të dalë drejtësia që të flejë i qetë. Nuk kam firmos. Nuk më ka shku mendja me myt djalin tem me dorën teme. Ku ka prind që mbyt fëmijën e vet. Kërkoj vetëm drejtësi dhe vetëm drejtësi”, u shpreh ai.
Mes dhimbjes për humbjen e djalit të vetëm, ai nuk ka harruar të falenderojë edhe Presidentin Meta, i cili i mundësoi sjelljen e trupit të të birit dhe prehjen e tij në Shkodër.
Trupi i Florenc Beqirajt, 23-vjeçari që vdiq në rrethana misterioze në Francë, do të prehet në vendlindje. Nga Rinasi, i shoqëruar prej familjarëve ai u dërgua në banesën e tij në Shkodër. Trupi i pajetë i të riut, i cili doli nga morgu i Marsejës të mërkurën dhe u mbulua me flamurin kuq e zi, mbahej nga babai, i cili qëndroi disa ditë pranë të birit në spital në Francë. Me të mbërritur në Shkodër, Gëzim Beqiraj deklaroi se nuk kishte firmosur për të birin, të cilin ia kishin dhunuar.
Beqiraj 23 vjeç prej tre vitesh ndodhej në Francë dhe ishte në procedura për azil. Ai kishte filluar punë si kamerier në një lokal në Marsejë. U ndalua nga policia franceze për shkak të mungesës së mjetit të indentifikimit. Për tre javë me radhë u mbajt në Polici dhe me 16 dhjetor, ajo e dorëzoi të vdekur në spital. Gëzim Beqiraj, babai i Florenc Beqirajt, ka angazhuar një avokat francez me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së djalit të tij. 23-vjeçari do të varroset ditën e premte pranë varrezave të qytetit të Shkodrës.
Ndërkohë, familja Beqiraj kishte hapur dyert e mortit prej ditës që mësoi vdekjen e të birit. Shpenzimet u morën përsipër nga qeveria shqiptare. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, gjatë vizitës në familjen Beqiraj tha më herët se po bashkëpunon ngushtë me autoritetet franceze për të zbardhur të vërtetën e ngjarjes. Vdekja e mistershme e Florenc Beqirajt shkaktoi reagime të forta dhe protesta.
Babai i Florenc Beqiraj ka angazhuar një avokat francez me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së djalit të tij, Florenc Beqiraj. 23-vjeçari do varroset ditën e premte pranë varrezave të qytetit të Shkodrës.

 

Exit mobile version