Babëzia e Velinës së Bashkisë: Aferë miliona euro pas biletave të autobusit për fëmijët

Partia Demokratike përgenjështroi deklaratën e kreut të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj se Lulzim Basha si Ministër Transportesh bëri ligj të ri që fëmijët të paguajnë biletë autobusi.
Zëdhënësja e PD, Ina Zhupa, në një dalje për mediat, tha se ky është një mashtrim skandaloz.
Zhupa: Ligji i transportit është i vitit 1998 dhe prej atëherë ai ka ndryshuar 10 herë, duke nisur nga viti 2002 deri në vitin 2016. Ligji respekton autonominë e bashkive për t’u siguruar banorëve transport brenda qytetit dhe fëmijëve transport falas.
Zhupa tha se, gjatë drejtimit të bashkisë nga Lulzim Basha linjat urbane u shtuan, fëmijët nuk paguan biletë dhe çmimi për qytetarët nuk u rrit.
Ndërsa gjatë drejtimit të bashkisë nga Erion Veliaj çmimi i biletës u rrit me 100 lekë dhe po bëhet fushatë mediatike për të bërë me pagesë biletat e fëmijëve, nënvizoi zëdhënësja e selisë blu.
“Përpara se të mashtrojë qytetarët e Tiranës, Erion Veliaj, duhet të përgjigjet se për interes të kujt po luan lojën disa milionë euroshe të biletave për fëmijët”, shtoi ajo.
Zhupa e akuzoi Veliaj se gënjeu publikisht edhe kur foli për leje ndërtimi për komplekse pallatesh në kohën e Lulzim Bashës tek Stacioni Multimodal.
Zhupa: E vërteta është se projekti Basha nuk parashikonte asnjë metër katror leje ndërtimi për kompleks pallatesh. E vërteta është se Erion Veliaj u shërben oligarkëve, duke pranuar që buxhetit të bashkisë t’i shkojnë vetëm 5 përqind të ardhurave nga koncesionari, në vend të 15 përqind, që parashikonte projekti i Lulzim Bashës.
Erion Veliaj është mashtrues serial dhe i rrezikshëm, sepse, ndryshe nga deklaratat e tij, në vendimet e këshillit Bashkiak nuk ka patur deri tani, nuk ka as sot një vendim për të kthyer në shkollë zyrat e UKT-së. Tenderat disa milionësh që ka ndërmend të bëjë Erion Veliaj për UKT-në, nuk mund të fshehin të vërtetën se në godinën ku ndodhen zyrat e ujësjellësit në njësinë 8, më përpara kanë qenë zyra të Policisë.

Exit mobile version