Artur Mickaj, drejtues i lartë i Forumit Rinor të Partisë Socialiste dhe Drejtor i Shërbimit Kombëtar të Punësimit deri pak kohë më parë, tashmë ka hyrë në tregun e shit-blerjes së energjisë elektrike.
Në dt. 26 Tetor 2018, Enti Kombëtar i Energjisë vendosi licensimin e kompanisë “Ener Trade” për përfshirjen në veprimtarinë e tregtimit të energjisë elektrike. Kompania “Ener Trade” është krijuar në shtator 2018 dhe ka si aksioner me kuota të barabarta Artur Mickaj dhe biznesmenin M.GJ. Në bazë të dokumentave të depozituara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, Mickaj është edhe administratori i kompanisë së re.
“Ener Trade” deklaron si objekt të saj “Veprimtari në sektorin e energjisë elektrike. Import, eksport, tregtim të energjisë elektrike. Shitje dhe blerje të energjisë elektrike brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë…”. Mickaj dhe ortaku i tij deklarojnë se kompania është krijuar me një kapital fillestar 100 mijë lekë të reja, të ndara 50-50 përqind ndërmjet të dyve.
Pasi “Ener Trade” është regjistruar në QKR, kompania ka aplikuar pranë Entit Rregullator të Energjisë, e cila, pasi ka shqyrtuar dokumentacionin, ka vendosur licensimin e saj.
Artur Mickaj është një prej aktivistëve kryesorë të Partisë Socialiste.
Ai ka mbajtur postin e nënkryetarit të FRESH-it, strukturës rinore të Partisë Socialiste. Emri i tij u përmend në një situatë të sikletshme në vitin 2016. Micko ishte në drejtimin e një grupi prej 35 freshistësh, të cilët po shkonin të vizitonin Turqinë, kur një kontroll i policisë kufitare turke zbuloi drogë në bordin e autobusit me të cilin ata po udhëtonin.
Autobusi ishte nisur nga Tirana në drejtim të Stambollit, dhe droga është zbuluar gjatë një kontrolli të ushtruar në pikën doganore të Ipsalas. Pas kësaj, policia ka arrestuar punonjësin e agjencisë. Artur Micko, në cilësinë e drejtuesit të grupit të freshistëve, deklaroi në atë kohë për median shqiptare se, as ai dhe asnjë prej personave që ai shoqëronte nuk kishin lidhje me sasinë e narkotikëve që u sekuestrua në autobus.
Artur Mickaj u emërua nga kryeministri Edi Rama në postin e Drejtorit të Shërbimit Kombëtar të Punësimit që në vitin 2013, kohë kur socialistët morën pushtetin politik. Mickaj qëndroi në këtë detyrë për rreth 5 vjet, deri në shkarkimin e tij, në mars të këtij viti.
Megjithë largimin nga detyra shtetërore, Mickaj ka qëndruar në pozicionin e drejtuesit të lartë të FRESH. Arturi është djali i gjyqtarit Arben Micko, i cili shpalli fajtorë studentët e shkencave sociale, të cilët goditën me vezë kryeministrin Edi Rama gjatë një vizite që ai zhvilloi në Fakultetin e Shkencave Sociale.
Pas këtij bashkëpunimi të ngushtë me Edi Ramën, tashmë Artur Mickaj shfaqet në rolin e administratorit të një kompanie që synon të përfshihet në tregun e shit-blerjes së energjisë elektrike.
Boldnews.al