Gazetari dhe analisti Agim Baçi, i ftuar në studion e News24 ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend.
Duke u ndalur te zhvillimet e Kongresit të Partisë Socialiste, të cilin e etiketoi si një “show populizmi”, ai tha se Rama i ka zëvendësuar me kohë figurat politike me ato teknike.
Sipas tij lëvizja e Taulant Ballës nga ministria e Brendshme ishte befasia, ndërsa për të finalizuar ndryshimet shërbeu si “gur lëvizës” dorëheqja e Lindita Nikollës nga detyra e kryeparlamentares.
Sa i përket opozitës, Baçi u shpreh se Berisha e ka borxh ndaj demokratëve të vendosë egon poshtë partisë, duke paralelizuar rastin e tij me atë të Presidentit amerikan Joe Biden, i cili pavarësisht se kishte bazën prapa tij u tërhoq për të mirën e partisë.
“Kongresi pati një nisje, kulm dhe mbarim. Fillimi ishte Helena, një vajzë e re me të cilën Rama u tha të tjerëve se mund të zëvendësohen lehtësisht me të rinj. Në një moment që e djathta ka probleme për të tërhequr njerëzit, Rama thotë këtë. E dyta ishte Xhafaj që mes kongresit tha se do vëzhgohet reforma në drejtësi edhe pse bëri be se është për ta zgjeruar, jo monitoruar. E treta është fjalimi ku Rama fajësoi të gjithë përveç vetes, më kujtoi kohën e Enverit.
Rama duke thënë se çdo njeri që gabon do shkojë në SPAK, Rama po thoshte se këta gabojnë pa dijeninë time, por kur e marr vesh, i përjashtoj. Në fund befasoi Spiropalin, Peleshin, i cili edhe e pranoi, Ballën… Ishte e gjitha një show populizmi. Duam apo nuk duam opozita ia ka dhënë mundësinë Ramës që me gjithë këto që ndodhin, ai të mendojë të shkojë në zgjedhje me sloganin “ne bëjmë drejtësi”.
Rama ka zëvendësuar me kohë figurat politike me figurat teknike. PS ka pushuar së qeni një grup që bën debat politik. Nuk ka debat, nuk ka zgjedhje në forume. Nuk ka vend të botës ku kryeministri fajëson vetëm deputetët dhe ministrat e tij. Ai është votuar nga shqiptarët për të ndërtuar një qeveri të përgjegjshme. Rama e ka humbur modestinë. E humb kuptimin që është aty për të shërbyer. Kjo megalomani tregon se ai është i rrethuar nga njerëz që nuk i thonë të vërtetën.
Balla ishte befasia, një njeri shumë i rëndësishëm politik. Të gjithë janë habitur, vetëm Spiropali mund të ketë pasur dijeni. Edhe dorëheqja e Nikollës mendoj se shërbeu si guri lëvizës për të gjitha. Sot edhe PS është rrezikuar të përfundojë në një sekt, jo parti politike. Kjo përballë një opozite me problemet e veta.
E vetmja gjë e ndershme që mund të bënte Ahmetaj do ishte të dëshmonte për drejtësinë. Gjatë intervistës së atij ai sulmoi më shumë Altin Dumanin. Institucionet shqiptare nuk kanë menduar fare për ligjin. Një njeri që pendohet nuk thotë se do bëjë një intervistë tjetër. Po pret marrëveshje? Nga ndryshon fakti që do bësh sot publik me pas dy javësh.
Berisha e ka borxh ndaj demokratëve të vendosë egon poshtë partisë. Nuk mund t’i japë Ramës që të thotë se ka kundër atë që ka probleme me drejtësinë etj. Biden u tërhoq në Amerikë. I kishte votat e delegatëve për të kandiduar. Një lider atë bën. Berisha nuk duhet ta udhëheqë as sot PD-në. Në politikë nuk qëndron vetëm se ke votat, puna është për pjesën tjetër të shqiptarëve. Nuk është non-grata vetëm e SHBA dhe MB, por e qytetarëve shqiptarë.
Si mund t’i japësh luksin këtij kryeministri që pas këtyre skandaleve nuk duhet të qëndronte një ditë në pushtet? Berisha dhe të tjerët aty duhet të kishin kurajën siç patën demokratët amerikanë. Nuk e vuri kush në dyshim Biden nëse kishte bazën e demokratëve.”