Mesfushori portugez Renato Sançez, për të cilin klubi gjerman i Bajernit ofroi 35 milionë euro, duket se ende nuk është ndezur. Ndeshja e tij e fundit ishte ajo e së shtunës ndaj Darmshtadit. Portugezit iu ofrua një tjetër shans për të vërtetuar se cili është, por fatkeqësisht nuk e përdori. Megjithatë, ai është duartrokitur në fund të ndeshjes nga tifozët.
Por kampioni europian ende nuk do të heqë dorë, duke thënë: “Isha vërtet i lumtur që isha përsëri në fushë. Tanimë, është gjëja më e rëndësishme për mua të luaj. Nuk munda të luaj shumë gjatë sezonit, ndaj dhe gjithmonë përpiqem të jem gati për aktivizim”. Gjithashtu, ai ka shprehur hapur pakënaqësinë ndaj vetes për këtë sezon, me fanellën bavareze.
“Mendoj se gjatë këtij sezoni nuk kam dhënë maksimumin, gjë që duket qartë. Por në sezonin e radhës nuk do ta lejoj diçka të tillë të ndodhë”, ka thënë mesfushori. Gjithashtu, Sançez preferon t’i mbajë disa probleme me veten duke thënë: “Disa probleme kanë të bëjnë vetëm me mua, ndaj duhet t’i mbaj me veten. Nuk jam ai tip që i shfaq në deklarata të mëdha”.
Përpos kësaj deklarate, një lojtar tjetër, i cili nuk është i kënaqur nga ky sezon ka qenë edhe Kinglsli Koman, i cili ka shpjeguar se është duke menduar një largim nga skuadra bavareze, për arsye të aktivizimeve të pakta gjatë këtij sezoni. “Jam i ri dhe dua të luaj”, ka thënë francezi për televizionin “Tf1”.
Duke patur parasysh lojën e tij përgjatë këtij sezoni, duket se Koman ka arritur edhe në një konkluzion. “Nëse kjo situatë në skuadrën bavareze do të përsëritet, do të më duhet të konsideroj lamtumirën”. 20-vjeçari ka bërë me dije se ka kërkuar bisedime me krerët e klubit gjerman, ku pas tyre lamtumira e tij duket se nuk do të jetë më një plan për të.