25 milionë euro në vit për të bindur Alexis Sanches që të braktisë Arsenalin për t’iu bashkuar Bayernit të Mynihut. Një shifër monstruoze e papaguar më parë nga një klub gjerman, por pas eliminimit në katër sezone radhazi në Champions, tre herë në gjysmëfinale dhe në një rast në çerekfinale, te kampionët e Bundesligës zgjidhjen e shohin vetëm duke shpenzuar shifra të tilla të padëgjuara më parë.
Futbolli gjerman është rritur shumë gjatë sezoneve të fundit, falë investimeve në sektorin e të rinjve, por ka ardhur momentin për të hedhur një tjetër hap të rëndësishëm për të fituar edhe në Europë në nivel klubesh.
Sikurse raporton “Kicker”, bavarezët kanë vendosur t’i ofrojnë 25 milionë euro në sezon kilianit që të ushtrojë presion për t’u larguar nga Topçinjtë. Një pagë e tillë është shumë lartë, aq më tepër në Gjermani. Te Bayerni për momentin më i paguari është Robert Lewandowski me 15 milionë euro në sezon.
Wenger në fakt është shprehur se nuk ka ndërmend ta shesë Sanchezin, edhe nëse do ta humbiste me parametër zero në verë të 2018-ës.
Te Bayerni paratë për të ndërhyrë në merkato nuk janë problem, pasi klubi arkëton rreth 600 milionë euro në vit. Në fakt në Gjermani janë shumë të kujdesshëm kur bëhet fjalë për blerjen e futbollistëve. Transferimet më të shtrenjta në Bundesligë jo rastësisht i ka bërë Bayerni, që shpenzoi 40 milionë euro për Javi Martinezin dhe 37 milionë për Arturo Vidal.