Bajerni dhe Hamburgu në çerekfinalet e Kupës

Zërave që flasin për një largim të mundshëm të tij nga Bajerni në verë, Douglas Costa u përgjigjet me gol. Sulmuesi brazilian ishte heroi i bavarezëve në sfidën ndaj Wolfsburgut, me skuadrën e Ancelottit, që në “Alianz Arena” mposhti 1-0 ujqërit duke siguruar kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Gjermanisë. Ishte një sukses i vështirë ai i Bajern-it që erdhi falë një goli të Douglas Costës në minutën e 18-të. Goditja e ish-lojtarit të Shakthar Donetsk nga distanca u devijua edhe nga Luiz Gustavo duke mos i dhënë asnjë shans portierit të Wolfsburgut, Casteels. Shumë raste deri në fund, por asnjë gol me Bajernin që avancoi në raundin e 8-të skuadrave më të mira të Kupës së Gjermanisë.
Në çerekfinalet e këtij kompeticioni u kualifikua edhe Hamburgu me Mërgim Mavrajn që fitoi duelin ndaj ish-skuadrës së tij. Në “Volkspark Stadion”, Hamburgu mposhti me rezultatin 2-0 Kolnin. Ishte një ndeshje shumë pozitive për Mavrajn që u aktivizua gjatë gjithë 90 minutëshit duke mos gabuar asgjë në mbrojtje. Jung dhe Wood ishin autorët e golave për ekipin e Marcus Gisdol. Në çerekfinale u kualifikuan edhe Borussia Moenchengladbach dhe Arminia Bielefeld që mposhtën respektivisht në transfertë, Greuther Furth dhe Walldorf.

Artikulli paraprakRama të dorëzojë Alfred Pezën para drejtësisë
Artikulli tjetër“Shpërthen” Simeone