Bajerni e mbyll me fitore 2016

Bayern Munich është shumë i fortë për Leipzigun. Në “Allianz Arena” kampionët e Gjermanisë “shkërmoqën” që në pjesën e parë skuadrën surprizë të këtij sezoni duke triumfuar me rezultatin 3-0, për të kryesuar të vetëm Bundesligën në kuotën e 39 pikëve pas 16 javëve të para dhe për ta mbyllur vitin 2016 në vendin e parë. Një sukses që i siguroi Bayernit titullin kampion dimri, ndërkohë që Leipzigu në krahun tjetër pësoi humbjen e dytë sezonale. Nuk kishte shumë histori sfida e zhvilluar në Mynih sepse të besuarit e Carlo Ancelottit zgjidhën gjithçka që në 45 minutat e para. Kur kishte kaluar diçka më shumë se çerek ore lojë, spanjolli Thiago Alcantara kaloi në epërsi vendasit.
E kishte shumë të thjeshtë mesfushori me origjinë braziliane për të dërguar në rrjetë një top të kthyer nga shtylla pas goditjes së Lewandowskit. Në të 25-tën një gabim i mbrojtjes së Leipzigut u shfrytëzua në maksimum nga Bayerni me Lewandowskin që rikuperoi topin për të pasuar te Alcantara, ky i fundit ftoi në aksion Xabi Alonson që i lirë brenda zone nuk fali duke mposhtur për herë të dytë Gulacsi-n. Në të 30-tën suedezi Emil Forsberg ia bëri më të vështira gjërat skuadrës së Ralph Hasenhuttl pasi u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari për një ndërhyrje të rëndë nga prapa ndaj kapitenit të Bayernit, Philip Lahm. Për të vulosur fitoren e kampionëve të Gjermanisë mendoi Robert Lewandowski që në të 45-tën kthehu në gol një 11-metërsh duke e çuar rezultatin në 3-0. Në pjesën e dytë Bayerni shpërdoroi pa fund, por nuk arriti të realizonte dot gola të tjerë.
Nuk prodhoi fitues sfida mes Kolnit dhe Leverkusenit. Në “Rhein Energie Stadion”, Mërgim Mavraj zhvilloi një tjetër 90 minutësh pozitiv, por skuadra e Peter Stoger edhe pse kaloi e para në avantazh me francezin Anthony Modeste nuk mori më shumë se një pikë pasi Wendell në fundin e pjesës së parë barazoi shifrat në 1-1.
Me Amir Abrashin në stol për 90 minuta, Freiburgu regjistroi një fitore me peshë në fushën e Ingolstadit me rezultatin 2-1. Golat për skuadrën mike u realizuan të dy nga Niederlechner, ndërsa për Ingolstadin ngushtoi shifrat, Suttner.

Exit mobile version