Bajerni përmbys Lajpcigun

Java e 33-të e Bundesligës gjermane ka prodhuar një numër shumë të madh golash të shënuar. Kampionët e Bajernit të Mynihut kanë zhvilluar një ndeshje spektakolare në transfertë ndaj Lajpcigut të vendit të dytë, duke fituar me rezultatin 4-5 me një përmbysje të realizuar në 10 minutat e fundit, teksa deri në minutën e 83-të ishin duke humbur 4-2. Për fansat shqiptarë, ky takim solli ndërmend ndeshjen e fundjavës së kaluar në Kategorinë Superiore mes Skënderbeut dhe Vllaznisë që përfundoi 4-3 dhe përmbysja e korçarëve u realizua vetëm në minutat shtesë.
Borusia e Dortmundit nuk shkoi më tej se një barazim 1-1 në transfertë ndaj Augzburgut që lufton për mbijetesë. Hofenhajmi gjithashtu realizoi një fitore me goleadë teksa triumfoi 3-5 në transfertë ndaj Verder Bremenit.
Frajburgu i Amir Abrashit barazoi në shtëpi 1-1 ndaj Ingolshtadit teksa mesfushori shqiptar u aktivizua për 90 minuta dhe u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 2-të të shtesës. Me të njëjtin rezultat Hamburgu i Mërgim Mavrajt mori 1 pikë të vyer në transfertë ndaj Shalkes. Mbrojtësi shqiptar ishte i pezulluar për shkak kartonësh, ndërsa sulmuesi kosovar i Shalkes, Donis Avdijaj, u aktivizua në minutën e 61-të.

Artikulli paraprakRinovimi i Zidane, tek Reali deri në vitin 2020
Artikulli tjetërUnited, akord për James Rodriguez