Bajerni shkatërron Arsenalin

Karlo Ançeloti i jep biletën e çerekfinales Bajernit të Mynihut. Ëndrra e bavarezëve për të fituar tripletën po afron. Gjatë konferencës për shtyp, trajneri italian analizon ndeshjen, komenton vendimin e gjyqtarit, si dhe beson te triumfi.
– Si ju duk paraqitja në Londër?
Ishte një ndeshje e vështirë. Kishim probleme në mbajtjen e pozicioneve. Arsenali na ushtroi presing në thellësi dhe e prisnim një gjë të tillë. U lamë shumë hapësira.
– Para ndeshjes premtuat të njëjtën performancë si në Mynih. Duket se parashikimi juaj doli.
Gjërat nuk shkuan të gjitha sipas parashikimeve të mia, por më vjen mirë që e mbajta premtimin. Bajerni im luan vetëm për fitore dhe loja jonë sa vjen dhe konsolidohet më shumë. Më vjen mirë që nuk pësova makthin e Deportivos apo Liverpulit (qesh).
– Sa e vështirë ishte të përzgjidhnit formacionin për këtë sfidë?
Ishte shumë e komplikuar të bëje zgjedhjet dhe vije balancat e duhura pas një fitoreje 5-1. Megjithatë, lojtarët treguan urinë për të fituar dhe shënuar gola.
– Hodhët në fushë formacionin më të vjetër në historinë e Bajernit në Champions. I besuat eksperiencës?
Nuk bazohem aspak nga mosha. Unë bëra zgjedhjet e mia dhe rastisi se ishin të saktat. Në përgjithësi, trajnerët vendosin edhe nga eksperienca e lojtarëve, por në ekip të gjithë kanë përvojën e duhur për të luajtur në Champions.
– Si duken shanset për të fituar Champions-in?
Duhet të përmbahemi. Nuk mund të parashikojmë se çfarë na sjell e ardhmja. Di të them se jemi konkurrentë të fortë dhe kemi besim te vetja. Mund ta fitojmë, por është e vështirë, pasi detajet e vogla bëjnë diferencën.
– Komenti juaj për ndëshkimin me karton të kuq të Koshielnit?
Ishte një vendim i gjyqtarit. Pas penalltisë dhe kartonit të kuq e bëmë ne ligjin.

Artikulli paraprakRamos heroi i Realit
Artikulli tjetërBerisha, i “pathyeshmi” i Serisë A