Baka-Ikardi, derbi për të rifituar tifozët

Fundjava futbollistike në Itali ndizet me derbin e Milanos. Të dielën në “San Siro” luhet Milan-Inter, një takim që vjen në momentin e duhur për dy amerikano-jugorë. Në derbin e Madoninës një sfidë brenda sfidës është ajo mes Carlos Baccës dhe Mauro Icardit, të cilët kanë për detyrë të rifitojnë besimin e tifozëve të Milanit dhe Interit. Të dy sulmuesit amerikano-latinë kanë bërë diçka për të cilën duhen falur.
I pari, është paraqitur shumë dobët në këtë fillim sezoni, ndërsa argjentinasi i Interit me librin autobiografik që botoi u vendos në qendër të ciklonit nga ana e tifozëve ultras. Edhe pse për motive të ndryshme, derbi është shansi më i mirë që Bacca dhe Icardi të lënë shenjë për të fituar sërish zemrat e tifozëve. Që nga momenti që është bërë pjesë e Milanit, Bacca po përjeton momentin e tij më të keq.
Shifrat nuk janë kundër kolumbianit, sepse deri në këtë fazë të sezonit edhe vitin e kaluar Bacca kishte realizuar vetëm 6 gola, por mungesa e vazhdimësisë nga ana e tij në ndeshjet e fundit është ajo që shqetëson më shumë trajnerin Montella dhe që bën të bien këmbanat e alarmit. Bacca ka 5 ndeshje që nuk shënon dhe ndaj Palermos, trajneri i Milanit i besoi Lapadulas në vend të tij. Ndryshe nga sulmuesi i Los Cafeteros, Icardi në fushë po shkëlqen teksa kryeson listën e golashënuesve të Serisë A me 10 finalizime sëbashku me Edin Dzekon.
Një bomber i lindur si ai asnjëherë nuk ka patur probleme me golin, megjithatë ecuria jo e mirë e Interit në këtë fillim sezoni ka lënë në hije edhe Mauriton. Por më shumë sesa me veten dhe shokët e skuadrës, Icardi problemet më të mëdha i ka tifozët ultras. Disa fraza të 23-vjeçarit në autobiografinë e tij prishën përfundimisht marrëdhëniet e tij me këta të fundit, me ultrasit e Interit që e konsiderojnë të vdekur kapitenin. Icardi i fshiu ato fraza nga libri, por tashmë atij i duhet që të realizojë në derbin e Milanos për t’u afruar sërish me tifozët.

Artikulli paraprakNjë sfidë magjike
Artikulli tjetërObama: “Gjermanët duhet ta vlerësojnë Merkelin”