Balaj e Roshi pranë firmës me PSG

Bekim Balaj është kthyer në një nga emrat më të njohur në kampionatin rus të futbollit. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare po shkëlqen me fanellën e Terek Grozni, me të cilën ka shënuar 8 gola në 12 ndeshje, duke kryesuar renditjen e golashënuesve në Rusi dhe duke mbajtur ekipin e tij në zonën e kupave të Europës.
Në një intervistë të dhënë për “Izvestia.ru”, Balaj ka folur për kalimin në Rusi te Grozni, duke konfirmuar se është ambientuar shumë shpejt me skuadrën, ndërsa ka treguar edhe një moment shumë të veçantë nga fillimet e karrierës së tij futbollistike. Bëhet fjalë për testimin që zhvilloi te PSG, ku mund të firmoste po të mos ishin bërë pengesë drejtuesit e Vllaznisë, klub që zotëronte kartonin e tij. Në vijim, pjesë nga intervista e Balajt…
– Tani kryesoni klasifikimin e golashënuesve në Rusi. Sa e rëndësishme është për ju dhe a mendoni se mund ta mbani këtë vend deri në fund të kampionatit?
Sigurisht që jam i kënaqur që shoh emrin në krye të listës së golashënuesve të kampionatit rus. Është një ndjesi e mirë, por kjo nuk më bën të ul ritmin. Për mua është e rëndësishme që të vazhdoj punën, është e rëndësishme që të vazhdoj të fitoj pikë për ekipin dhe të ecim në drejtimin e duhur për Terekun. Pikë së pari jam i interesuar në objektivat e klubit, para atyre personalë.
– Na trego, si ju shfaq mundësia për t’iu bashkuar Terekut?
Në fillim të verës isha në kërkim të një klubi dhe Tereku më ofroi një kontratë. Më tërhoqën vëmendjen shumë gjëra në ofertën që më bënë, programi apo planet e klubit për sezonin. Dëshiroja një eksperiencë të re, një motivim të ri për të ndryshuar diçka në karrierën time. Ndaj pranova me kënaqësi ofertën e Terek. Shpresoj të vazhdojmë në të njëjtën rrugë dhe të jemi në gjendje të luajmë në sezonin e ardhshëm në kompeticionet europiane. Jam i lumtur që zgjodha Terekun.
– Pse firmosët për Terek para fillimit të Europianit? Në fakt, pas turneut mund të kishit marrë oferta të tjera…
Kontrata u firmos para fillimit të Kampionatit Europian. Atëherë isha plotësisht i lirë dhe mund të shqyrtoja me qetësi ofertën e Groznit. E dija se çfarë dëshiroja, ishte e rëndësishme që të shkoja në Euro 2016 me mendjen e kthjellët. Nuk kisha kohë që edhe të luaja në turne, edhe të mendoja për opsionet e vazhdimit të karrierës. Unë mund të përqendrohesha në këtë mënyrë vetëm në paraqitjet e kombëtares me asgjë tjetër që të më vendoste nën trysni.
– A nuk ishit i frikësuar të shkonit në Rusi?
Nuk kisha frikë të shkoja në Rusi, e dija që shumë klube ruse luajnë në Ligën e Kampioneve dhe në Ligën e Europës. E dija që Premier Liga ruse ka një cilësi të lartë. Për mua, lëvizja drejt Rusisë ishte një sfidë që pranova dhe nuk bëhem pishman që kam bërë një zgjedhje të tillë.
– Çfarë ju ka çuditur më shumë në Rusi?
Mua më pëlqen gjithçka. Nëse flasim për klimën, unë jam mësuar të luaj në vende të ftohta. Më parë isha në Republikën Çeke ku dimri është i ftohtë gjithashtu, kam luajtur në Poloni, ku është edhe më ftohtë. Në Grozni, temperaturat janë të rehatshme, si në Shqipëri. Por dimri në Rusi fillon shpejt, më kujtohet që luajtëm në tetor në Moskë kundër CSKA dhe ishte shumë ftohtë. Tani e kuptoj pse keni një ndërprerje kaq të gjatë të kampionatit, të luash futboll gjatë dimrit është tmerrësisht e vështirë.
– Ne e dimë që jeni testuar te PSG, por nuk firmosët një kontratë. Na trego pse në fund nuk arritët të bëheshit pjesë e PSG?
Isha vetëm 16 apo 17 vjeç, dhe ne, bashkë me shokun tim të skuadrës te Terek, Roshin, shkuam te francezët e PSG për testime. Mendoj se gjithçka shkoi mirë, por në fund nuk arrita të siguroja një kontratë. Presidenti i klubit tim shqiptar të asaj periudhe nuk arriti akordin me gjigantët francezë. Ajo ishte hera e parë kur u largova nga Shqipëria për të mësuar se si veprojnë klubet në vende të tjera. Ishte një eksperiencë e shkëlqyer.

Artikulli paraprakDhoma Amerikane e Tregtisë del kundër tatimit të fshehur
Artikulli tjetërCili është investitori që do të shpëtojë Armon?