Shtohen zërat për transferimin e Keita Balde te Interi. 22-vjeçari kërkohet me insistim nga zikaltërit dhe nga ana tjetër vet lojtari është larguar nga grumbullimi me skuadrën për të takuar të fejuarën e tij. Mësohet se oferta e Interit për bardhekaltërit është 22 mln euro, ndërsa vet Balde-s i ofron 3 mln në sezon plus bonuset.
Petko Hristov është zyrtarisht përforcimi i radhës i Fiorentinës. Lajmin e konfirmoi vet klubi vjollcë përmes një postimi në faqen zyrtare. 18-vjeçari vjen nga skuadra e Slavia Sofia dhe firmosi kontratë deri në 2022. Në sezonin e kaluar, Hristov është aktivizuar në 30 ndeshje mes Kampionatit dhe Kupës me fanellën e klubit bullgar.
Roma nuk dorëzohet për Riyad Mahrez të Leicester City. Drejtori Sportiv i verdhekuqve, Monchi po përpilon një ofertë të re, prej 30 mln eurosh për të bindur klubin anglez të lërë të lirë lojtarin anglez. Megjithatë edhe Arsenali është i interesuar për të firmosur me 26-vjeçarin edhe pse për momentin nuk dihet shifra që “topçinjtë” janë të gatshëm të ofrojnë për Mahrez.
“Sirena” italiane për Mateo Kovaçiç. Gazeta spanjolle “AS”, shkruan se është duel mes Interit, Milanit dhe Napolit për shërbimet e kroatit. Në fakt duket se zikaltërit janë në avantazh ndaj dy klubeve të tjera, por duhet të bindin edhe vet lojtarin, pasi dëshira e Kovaçiç është që të qëndrojë te “Los Blancos”.
Valencia është vetëm një hap larg blerjes së Goeffrey Kondogbia nga Interi. Të dy klubet mësohet se kanë rënë dakord edhe për shumën e transferimit dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i marrëveshjes nga klubi spanjoll. Kondogbia do të rikthehet pas 3 sezonesh në La Liga, ku më parë është aktivizuar me Sevillan. Athletic Bilbao dhe Borussia e Dortmundit janë shumë pranë marrëveshjes për transferimin e Mikel Merinos në “San Mames”. Për 21-vjeçarin spanjoll kanë shfaqur interes edhe Real Sociadad, Valencia dhe Alavesh, por drejtuesit e skuadrës baske kanë qenë më konkretë në ofertën e tyre prej 10 milionë eurosh për mesfushorin që është aktivizuar në 8 ndeshje të Bundesligës sezonin e kaluar.
Diego Reyes është i bindur se sezonin e ardhshëm nuk do të jetë pjesë e Espanyolit. Mbrojtësi meksikan, i cili luajti i huazuar nga Porto, do të kthehet në kampionatin portugez ku do të kërkojë mundësinë për një vend titullari te skuadra që zotëron kartonin e tij. Ai është shprehur se dëshiron ta ndihmojë Porton që të fitojë titullin kampion.
Gerard Deulofeu pritet t’i bashkohet grupit pas problemeve që ka patur me pubalgjinë. 23-vjeçari, i cili u ble nga Barcelona për rreth 12 milionë euro nga Evertoni është stërvitur veçmas në seancat e para të fazës përgatitore, por shumë shpejt do të jetë nën urdhrat e Valverdes, i cili mund ta aktivizojë në “International Champions Cup” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.