Arjen Robben dhe Gareth Bale rezultojnë si dy prej futbollistëve më delikatë për shkak të dëmtimeve të shpeshta, që i kanë shoqëruar ata gjatë karrierës së tyre. E megjithatë, holandezi është parë më shpesh në fushën e lojës në krahasim me Bale, edhe pse është 33 vjeç, ndërkohë që uellsiani vetëm 27. Në 45 ndeshjet e këtij sezoni të Bayernit, Robben ka qenë i pranishëm në 33 sfida, duke luajtur 2.370 minuta, 58.5% e kohës totale. Në 12 ndeshjet që nuk është aktivizuar, vetëm në 6 prej tyre shkak kanë qenë problemet fizike.
Krejtësisht e kundërta ndodh me Bale, që ka luajtur vetëm 26 ndeshje nga 51 sezonale të Realit, me 1.290 minuta, sa 40.5% e kohës totale. Nga 25 sfidat që nuk është aktivizuar, në 23 prej tyre mungesa ka qenë për shkak të dëmtimit.
Një krahasim interesant mes Robben dhe Bale është edhe ajo me periudhën kur holandezi ka qenë pjesë e Realit, nga cili u largua në vitin 2009 për 25 milionë euro. Gjatë dy sezoneve të tij të fundit me skuadrën madrilene, Robben luajti 65 ndeshje nga 102 të mundshmet, shifër kjo më e lartë sesa ajo e regjistruar nga Bale në dy sezonet e tij më të fundit, me uellsianin që ka 57 ndeshje të luajtura nga 103 të mundshmet.
E mërkura e gjysmëfinaleve të Kupës së Gjermanisë risjell rivalitetin karakteristik mes Borussia Dortmund dhe Bayern Munchen, e para mbajtëse në fuqi e trofeut dhe tjetri favorit, si për Kupën, ashtu dhe kampionatin. Retë e depresionit në kampin bavarez u bënë më të zeza me eliminimin nga Champions League, por formacioni i trajnerit Ançelotti shpreson se do të lërë pas zhgënjimin për të avancuar drejt një tjetër synimi sezonal.
Për të shtuar optimizmin e Bayernit menduan lajmet nga infermieria, që zyrtarizuan riaftësimin e plotë të treshes mbrojtëse, Mats Hummels, Jerome Boateng dhe Javi Martinez. Të 3 këta lojtarë do të jenë gati për t’u përballur me Dortmundin mbrëmjen e së mërkurës, për të ndihmuar kryesuesit e Bundesligës t’i afrohen edhe më shumë objektivit për të dy trofetë e mbetur sezonalë.
“Fatmirësisht, Hummels nuk pati probleme ndaj Mainzit, ndërsa Martinez e Boateng u stërvitën me kapacitet të plotë. Problemi im i vetëm është që kam vetëm dy vende në formacion për këta lojtarë dhe nuk është e lehtë të hedh në fushë vetëm njërin prej tyre”, tha trajneri Karlo Ançeloti. “Ne jemi gati për ndeshjen e madhe që na pret. Sfida ndaj Realit na bëri të shpenzojmë shumë energji, por e kemi lënë pas tashmë dhe jemi fokusuar te Dortmundi”, tha tekniku italian. Shqetësim për Bayernin përbën gjendja e David Alaba, që u dëmtua në barazimin kundër Mainzit. Bayern do të përballet me ekipin nga Ruhri në një ripërsëritje të finales së vitit të kaluar.