Gareth Bale mund të jetë një “përcaktues ndeshjesh” për Manchester United sa Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo me skuadrat e tyre, thotë Gary Neville. Uellsiani i Real Madridit ka lënë të kuptohet për në një lëvizje të verës larg nga “Santiago Bernabeu”, teksa foli paksa më hapur pas finales së Ligës së Kampionëve, duke nënëvizuar: “Dua të luaj javë për javë”.
28-vjeçari nuk ka pasur hapësirat e duhura te Real Madridit, gjatë mbretërimit të trajnerit Zinedine Zidane. Megjithatë, Bale ka treguar në raste të panumërta, për Tottenhamin dhe Real Madridin, se mund t’i vendosë ndeshjet edhe i vetëm. Duke pasur parasysh potencialin e tij, Neville shpreson se së shpejti do ta shohë në “Old Trafford”.
Ish-mbrojtësi i Manchester United i tha “BBC”: “Unë kam shumë admirim për Bale, si lojtar. Do të dëshiroja të luaj Messi për Manchester United, ose Ronaldo dhe Neymar, por realiteti është që ata, vështirë të vijnë në këtë klub. Ndoshta kjo gjë ndryshon për Bale, për disa arsye. Nëse ai dëshiron të vijë te Manchester United, atëherë, absolutisht po, do të ishte goditje e madhe. Bale është një lojtar fantastik dhe përcaktues i ndeshjeve. Për mua, çdo klub i madh e kërkon një lojtar, që bën ndryshimin”.