Bale “snobon” Ronaldon

Menjëherë pas atij triumfi fantastik të Uellsit ndaj Belgjikës, mediat botërore nxituan të nënvizonin, do të jetë Gareth Bale kundër Cristiano Ronaldos. Shokë skuadre te Reali, ku e mbyllën këtë sezon, duke fituar La Undicesiman, trofeun e 11-të të Championsit për Los Blancos, këtë të mërkurë do të jenë përballë njëri-tjetrit për të luajtur kalimin në finalen e madhe të Francë 2016 me kombëtaret respektive. Vetë Gareth Bale gjithsesi u përpoq të mos e fokusojë vëmendjen te ky detaj.
“Ishte një mbrëmje e madhe për të gjithë tifozët e Uellsit që na kanë mbështetur kaq shumë. Gjysmëfinalja është rezultati më i madh në karrierën time në kombëtare, kemi punuar shumë vitet e fundit për të arritur deri këtu. Shijojmë momentin, tani sfidojmë Portugalinë që nuk është vetëm Cristiano Ronaldo, nuk ka rëndësi kush shënon, e vetmja gjë që vlen është kush fiton. Këtu te Uellsi kemi luftuar të gjithë së bashku, do të vazhdojmë ta jetojmë këtë ëndërr”, u shpreh Bale.
Në ndeshjen ndaj Belgjikës për të paktën një herë, prozhektorët e lavdisë u larguan nga Gareth Bale për të vënë në dukje atë veprim të mrekullueshëm të Robson Kanu, autor i golit të dytë të Uellsit, i cili u zgjodh më pas me të drejtë si njeriu i ndeshjes. Robson Kanu nga ana e tij deklaroi me bindje se Uellsi do ta kalojë Portugalinë duke përdorur si arsyetim një motiv që nuk do t’i pëlqejë shumë as Ronaldos dhe as Messit.
“Do të kalojmë në finale, pasi kemi ne lojtarin më të mirë në Botë. Bale është më i mirë se Ronaldo dhe Mesi. Bale është padyshim në rrugën e duhur për të qenë në majën e futbollit. Për mua nuk është ndonjë gjë e veçantë që do të luaj kundër ekipit të Ronaldos, pasi normalisht unë stërvitem përkrah më të mirit, i cili është Bale”, tha Kanu.
Në ndeshje Uells-Belgjikë, Europa zbuloi Robson-Kanu. Një veprim i pabesueshëm në zonën e rreptësisë dhe Courtois i dorëzuar. I takoi numrit 9 të firmoste një gol të bukur që i dha avantazhin Uellsit. Por kush është Robson-Kanu, i cili u transformua në princ të Uellsit në natën magjike të Lille? Si për ironi të fatit, aktualisht ai është i papunë. Me 27 vite mbi supe, Robson-Kanu ka kaluar nëpërmjet një kalvari të gjatë. Konsiderohej një talent në moshë të re, por asnjëherë nuk arriti ta bënte hapin e madh. Në moshën 10-vjeçare u tranferua te Arsenali, ku për 5 vjet mori leksione të vlefshme në akademinë e “Topçinjve”.
Gjithsesi, në moshën 15-vjeçare trajnerët e moshave vendosën ta largonin dhe për të pati interes vetëm nga klube modeste. Një vit më pas u bashkua me Reading ku kaluan tre vjet dhe më pas u provua te skuadra e parë. Kalimi mes të mëdhenjve nuk rezultoi siç ai shpresonte, pasi për 2 sezone u huazua në League One me Southend United dhe Swindon Town. Ishte viti 2009 kur u kthye te Reading dhe e nisi sezonin si titullar, por pavarësisht besimit që i dha trajneri, në 17 ndeshje nuk arriti të realizonte asnjë gol. Me Reading qëndroi për 7 sezone, madje një edhe në Premier League me 198 ndeshje në total dhe 24 gola të shënuar.
Shumë pak për një qëndërsulmues që gjatë një sezoni të vetëm nuk e ka kaluar kuotën e 7 realizimeve personale. Statistika të varfëra që i bënë drejtuesit e Reading të mos ia rinovonin kontratën. Në këtë mënyrë, që prej datës 1 korrik, Robson-Kanu është i papunë, por ironikisht pikërisht në datën 1 ai u bë princi i Uellsit, pasi goli i tij do të mbahet mend gjatë në memorien e botës së futbollit.

Artikulli paraprakDeshamp: Islanda me meritë në çerekfinale
Artikulli tjetërVilmots drejt largimit nga stoli i Blegjikës