Balili ka mbrojtjen e policisë, Krimet e Rënda nisin hetimet

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet ndaj Klement Balilit, pas mbërritjes nga Greqia në Tiranë të dosjes voluminoze për trafik ndërkombëtar droge. Bëhet e ditur se Krimet e Rënda do të hetojnë edhe pasurinë e “Eskobari i Ballkanit” në bazë të ligjit antimafia. Klement Balili zotëron kompleksin luksoz në Sarandë, “Santa Quaranta”, si dhe disa prona të tjera. Balili akuzohet zyrtarisht për veprën penale, trafikim të lëndëve narkotike në vendet e BE-së së bashku edhe me disa persona të tjerë shqiptarë të arrestuar më herët.
Në dosjen greke thuhet se, ka dyshime se 46-vjeçari ka ndryshuar identitet. Sipas hetuesve grekë, ai fshihet në zonën e Sarandës, duke pasur edhe mbrojtjen e policisë lokale. Për ta forcuar këtë akuzë, prokurorët grekë kanë shkruar në dosje se, të dielën e 16 tetorit 2016, Balili kishte kaluar drejt shtetit maqedonas nëpërmjet pikës kufitare të Tushemishtit, me kartë identiteti të ndryshuar, ndërkohë që ishte kthyer po atë ditë në mbrëmje në vendlindje.
Transporti i trafikantit të drogës ishte bërë me autobusin e linjës, duke mos tërhequr edhe vëmendjen e autoriteteve kufitare. Përveç kërkesës për arrestim ndaj Balilit, në fillim të muajit nëntor mbërritën në Tiranë edhe 2 prokurorë grekë, të cilët kanë kërkuar intensifikimin e hetimeve pasurore për familjarët e 46-vjeçarit që jetojnë në disa vende të BE, si Itali e Gjermani. Prej 6 muajsh, Klement Balili është shpallur në kërkim për trafik tonelatash droge drejt Bashkimit Europian dhe për këtë arsye ka edhe një urdhër arresti ndërkombëtar ndaj tij konkretisht nga Interpoli.

Hetimet e Krimeve të Rënda

Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se ka angazhuar 3 prokurorë, të cilët do të merren me ndjekjen e hetimeve si dhe procedurat e kërkimit të Balilit nga drejtësia shqiptare. Burime nga akuza sqaruan se, Balili tashmë është shpallur në kërkim për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda me një mandat arresti të dhënë në mungesë ndaj tij nga pala greke, mandat ky i vlefshëm për territorin shqiptar. Në rast prangosje në Shqipëri, Balili do të gjykohet nga drejtësia shqiptare, pasi ekstradimi i tij është i pamundur në mungesë të marrëveshjes së ekstradimit ndërmjet dy vendeve.
Të njëjta burime sqaruan se sëbashku me dosjen hetimore të Balilit, ka mbërritur dhe të dhëna për pjesëtarët e dyshuar të grupit dhe sipas hetimeve të kryera nga pala greke rezulton se në këtë rrjet të trafikut të drogës ishin përfshirë 25 persona, shqiptarë, grekë, bullgarë, italianë, serbë dhe maqedonas. Sipas organit të akuzës, për arrestimin e Balilit është angazhuar sektori i operacionaleve në Policinë e Shtetit, të cilët prej muajit maj të këtij viti ka kryer me dhjetëra operacione, por pa mundur të finalizojë me kapjen e ish-zyrtarit të Transporteve të Sarandës.
Prokuroria e Krimeve të Rënda bën të ditur se, do të ndiqet e njëjta procedurë si me ish-deputetin Mark Frroku, ku dosja hetimore do të dërgohet në gjykatë dhe do të konvertohen nenet e Kodit Penal grek me ato shqiptar vetëm për masat e dënimit që do të aplikohen në rast fajësie. Në rast se ai do të mund të shmang arrestimin, atëherë pala greke do të duhet të mbyllë hetimet në Greqi për të dhe Klement Balili do të gjykohet në Shqipëri në mungesë.
Referuar sistemit TIMS në pikat e kalimit kufitar, Klement Balili, rezulton se ndodhet në territorin shqiptar dhe ligjërisht, ai nuk ka dalë jashtë vendit. Ndërkohë, në dosjen hetimore greke thuhet se, Balili ka shkuar në Maqedoni me pasaportë të falsifikuar. Prej 11 maj 2016 në të dhënat e Balilit është shënuar me kartelë të kuqe, person i kërkuar dhe nëse paraqitet pranë pikës së kalimit kufitar dhe të njoftohet menjëherë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Për goditjen e rrjetit të trafikut që sipas autoriteteve greke drejtohej nga Klement Balili konsideruar si “Eskobar i Ballkanit” u angazhua dhe Departamenti i Luftës ndaj Drogës i Shteteve të Bashkuara DEA si dhe operacione u kryen njëkohësisht në Belgjikë, Greqi, Itali, Bullgari, Maqedoni dhe Shqipëri.

Artikulli paraprakMasakrohet nga policia, qytetari humb shikimin
Artikulli tjetërPD: Ngritja e murit në Mitrovicë, provokim për paqen dhe stabilitetin në Ballkan