Klement Balili, i njohur si “Eskobari i Ballkanit” po pret që Rama të kapë drejtësinë dhe pastaj të dorëzohet. Këtë sinjal e dha dje bashkëshortja e tij, e cila u shpreh për mediat se, Balili do vijojë të qëndrojë i fshehur dhe do të dorëzohet vetëm kur të vendost vettingu. “Do të dorëzohet, kur të vendoset vettingu, sepse drejtësia jonë është e korruptuar, ai nuk ka sesi të dorëzohet”, u shpreh bashkëshortja e Balilit.
Duket qartë se bashkëshortja e Balilit ka folur me gjuhën e Ramës. Balili u shpall në kërkim nga Interpoli që në 17 maj të vitit 2016 për trafik ndërkombëtar droge, por u la i lirë me urdhër të Ramës. “Eskobari i Ballkanit” shëtiste i lirë në Sarandë ditë dhe natë, i pashqetësuar nga askush. Balili ishte shpallur në kërkim pas një hetimi nga DEA amerikane, policia greke e disa polici të vendeve evropiane, si kreu i një organizate kriminale ndërkombëtare që trafikonte sasi të mëdha të hashashit dhe kokainës në vendet e BE.
Ai ishte emëruar nga Rama drejtor i Transportit Rrugor Sarandë për dy vjet e gjysëm, deri kur në fillim të muajit maj u kap në Greqi ngarkesa e tij prej 700 kg kanabis dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar për trafik droge. Duke pasur këtë funksion të lartë shtetëror, Balili e kishte më të lehtë për të zhvilluar trafikun e drogës drejt vendeve perëndimore, pa patur asnjë problem nga policia shqiptare.
Balili shoqërohej me zyrtarë të lartë
Ndonëse ishte në kërkim, Balili jo vetëm që lëvizte lirshëm, por ai shoqërohej nga zyrtarë të lartë dhe oficerë policie, të cilët kishin për detyrë ta denonconin dhe ta arrestonin si një person të kërkuar për aktivitet kriminal. Në shtator të vitit të kaluar, Balili u fotografua duke festuar deri në orët e para të mëngjesit në resortin e tij “Santa Quaranta”, ku ishte i ftuar në një dasmë. Personi që martohej është aktualisht drejtori i Transporteve në Sarandë, pozicion që më parë e mbante vetë Klement Balili, përpara se të shkarkohej kur u shpall në kërkim nga policia greke, si kreu i një bande që trafikonte drogë në vendet e BE. Gjatë gjithë kohës, ai ka qenë i ulur në tavolinën e dasmës bashkë me kreun e Partisë Socialiste në Tepelenë, Dino Selimi, që mban edhe postin e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Transporteve në Gjirokastër.
Në muajin tetor u publikua në media edhe një foto ku, “Eskobari i Ballkanit” shfaqej në strofkullën e tij me nipërit e tij, një prej të cilëve mbahej si peng për të siguruar transportin e drogës. Ish-kryeministri Berisha publikoi në rrjetin social Facebook bashkë me fotografinë edhe mesazhin e një qytetari, i cili e informonte se si Balili vazhdonte trafikun e drogës drejt vendeve perëndimore nga shtëpia e tij në Sarandë, ndonëse ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar. “Denis Balili zakonisht rri peng tek blerësit e drogës, deri në momentin kur transporti ka përfunduar”, shkruante qytetari nga Saranda. Pas publikimit të fotos dhe lajmit për vijimin e trafikut të drogës nga Klement Balili nuk pati asnjë reagim nga policia dhe as nga Ministria e Brendshme, ndërkohë Balili vazhdon i qetë trafikun e drogës.
Këto fakte vërtetojnë më së miri se Klement Balili, ashtu siç raportohej nga agjencitë ndërkombëtare të antidrogës, ka pasur mbështetje nga Rama dhe Tahiri, si gjatë aktivitetit të tij të dyshuar kriminal, ashtu edhe në mosveprimet për ndalimin e tij.
Pse nuk ka shpërblim nga policia për kapjen e Balilit?
Policia u vu në lëvizje për gjetjen e Balilit pas deklaratës së ambasadorit amerikan Donald Lu, i cili u shpreh se policia ka dështuar në arrestimin e Klement Balilit. Edhe pas kësaj deklarate nuk pati seriozitet nga policia për arrestimin e shumë të kërkuarit. Policia nuk vuri në dispozicion asnjë shpërblim për cilindo person që do të informonte për vendndodhjen e Balilit, në një kohë që një gjë të tillë e ka bërë për persona që kërkoheshin për vjedhje dhe precedentë të tjerë të rëndomtë. Prej një kohe të gjatë, policia nuk ndërmori asnjë aksion për kapjen e Balilit, por e la në heshtje këtë çështje.
Klement Balili akuzohet për disa vepra penale, mes tyre “Trafik ndërkombëtar droge në bashkëpunim”, “Krijim e pjesëmarrje në grup kriminal”, “Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”. Ai është cilësuar nga mediat greke si “Eskobari i Ballkanit”. Gjatë hetimeve të kryera nga DEA u zbulua se, rrjeti i trafikut të drejtuar nga Balili shtrihej në Greqi, Belgjikë, Bullgari, Spanjë, Holandë, Britani, Austri dhe Norvegji. Droga dërgohej me skafe nga Shqipëria drejt Greqisë dhe më pas prej andej shpërndahej në Europë me kamionë. Pak kohë më parë, autoritetet greke dorëzuan në Prokurorinë shqiptare një dosje voluminoze prej 10 mijë faqesh, për çështjen “Balili”.
Policia ndërhyri dje pas reagimit të Presidentit
Policia e Shtetit bëri të ditur dje se ka ndërmarrë një operacion kërkimi për arrestimin e Klement Balilit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi akuzohet nga drejtësia greke si kreu i një organizate të fuqishme të narkotrafikut që vepronte në disa vende të Europës.
Operacioni i policisë për arrestimin e Balilit u ndërmor pas deklaratës së Presidentit Nishani se ai do të mblidhte Këshillin Kombëtar të Sigurisë për çështjen ‘Balili’. Thirrja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe mos arrestimi i Balilit prej rreth 8 muajash, pasi ai ishte shpallur në kërkim nga Interpoli, kanë vënë në lëvizje Policinë e Shtetit, e cila ka dalë në terren për kapjen e tij.
Policia bëri të ditur se ka kontrolluar 10 banesa, mes tyre dhe atë të Klement Balilit dhe tre hotele, ndërsa ka shoqëruar 11 persona, mes tyre edhe djalin e Klement Balilit. Në një njoftim zyrtar, Policia informon se ka pasur urdhër të lëshuar nga Prokuroria e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë për kontrollin e banesave të familjarëve të Balilit.
Ndërkohë, pas 10 orësh qëndrimi në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës janë lënë të lirë djali i Klement Balilit, sëbashku me 10 personat e tjerë që u shoqëruan nga policia. Jeton Balili së bashku me të afërm të tij, u shoqëruan pas kontrollit të policisë në banesat dhe objektet në pronësi të Klement Balilit dhe familjarëve të tij.
R.POLISI