Balili u njoftua, Prokuroria nis hetimet ndaj policisë

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet ndaj Policisë së Sarandës për dekonspirimin e aksionit për arrestimin e Kelment Balilit. Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se, njeriu më i kërkuar i momentit në Shqipëri, dyshohet të jetë njoftuar nga efektivë policie për aksionet që do të kryheshin në zonën e Sarandës dhe Delvinës për arrestimin e tij. Ka dyshime të arsyeshme se punonjës të Komisariatit të Sarandës të kenë njoftuar të ashtuquajturin “Eskobari i Ballkanit” ose të afërm të tij.
Hetimi ka nisur pas disa indicieve konkrete dhe në sitën e hetuesve do të kalojnë tabulatet telefonike të disa oficerëve të policisë. Prokuroria dhe policia kanë bindjen se Balili ndodhet ende në territorin shqiptar. Specialistë të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave pritet të verifikojnë veprimet e disa punonjësve të policisë lokale, që kanë qenë në dijeni se nga Tirana do të niseshin FNSH-ja dhe RENEA për prangosjen e Balilit.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, Balili informohej nga dy oficerë lidhur me operacionet që zhvilloheshin për kapjen e tij. Përveç oficerit për të cilin kanë nisur tashmë hetimet, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, mësohet se verifikime po bëhen për të gjithë grupin e përfshirë në operacionin e ndërmarrë gjatë këtyre ditëve për arrestimin e Klement Balilit.
Operacioni i katërt për arrestimin e tij, është shtrirë në Sarandë, Gjirokastër, Ksamil e Durrës, por deri më tani nuk ka patur rezultat. Po kështu edhe tre tentativat e mëparshme për arrestimin e tij kanë dështuar.
I pari operacion është zhvilluar në verë, gjatë kohës kur ka qenë piku i turistëve në Sarandë. U tentua të arrestohej, por operacioni dështoi, pasi ai u informua. Operacioni i dytë është bërë diku rreth datës 20 tetor. U dërgua skuadra speciale nga Tirana për të mos patur dekonspirim të operacionit, por në momentin kur u ngrit prita, ai la makinën dhe u largua. Në mjetin e blinduar ai la celularin për të shmangur arrestimin.
Tentativa e tretë u bë tre ditë më vonë. Pati informacion se ai do të ishte në një stadium ku luante Delvina. Duke përfituar nga fakti se në stadium ka shumë njerëz, aty u dërgua sërish nga Tirana skuadra speciale, e kamufluar si tifozë, civilë. Por ai nuk shkoi në stadium. Pas ndeshjes është kontrolluar makina e kryetarit të Bashkisë, por ai nuk u gjet. Klement Balili akuzohet për trafik ndërkombëtar narkotikësh, ndërsa në dosjen voluminoze të dërguar nga qeveria greke kërkohet edhe hetimi pasuror për 44-vjeçarin.

SHISH në gjurmët e Balilit

Edhe Shërbimi Informativ Shtetëror përfshihet në kërkimet për të ashtuquajturin “Eskobari i Ballkanit”. Prej dy ditësh, SHISH ka kaluar në shërbim të përforcuar sidomos në kryeqytet, ku dyshohet se fshihet Klement Balili. “Vizion Plus” ka mësuar se, Shërbimi Inteligjent po mban në mbikëqyrje të plotë të gjithë familjarët e po kështu edhe miqtë e tij më të ngushtë. SHISH ende nuk ka mundur të zbulojë vendndodhjen e trafikantit të drogës. Sipas procesverbaleve, ai nuk është pikasur në ambientet publike. Hetimet greke, kishin zbuluar më herët se Balili kishte ndërruar emrin.
Ndërkohë burime të rezervuara pohojnë se, Balili mund të ketë ndryshuar edhe pamjen e tij të jashtme. Nga ana tjetër, ka nisur një hetim për dekonspirim të operacioneve. 3 janë efektivët, të cilët janë pezulluar nga puna deri në përfundim të hetimeve, ndërsa Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm mbetet i rezervuar në dhënien e informacioneve për këtë çështje. 44-vjeçari Klement Balili akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike në Greqi e po ashtu edhe me vendet e BE-së.

Artikulli paraprakRevoltë në Librazhd, 900 mësues pa marrë rrogat
Artikulli tjetërQeveria po trajtohet si diktaturë afrikane