“Ballkani i Hapur” dështoi për shkak të lojërave politike të Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç

Nga “Balcani Caucaso”

Nisma “Ballkani i Hapur”, e njohur ndryshe edhe si “Mini Shengen”, filloi si një projekt bashkëpunimi rajonal midis 3 vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Maqedonisë

së Veriut dhe Serbisë. Duke parë ngecjen e procesit të zgjerimit dhe duke mos mbajtur premtimet për një të ardhme evropiane dhënë ndaj qytetarëve të tyre, udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, u gjendën përballë një situate të veçantë.

Perspektiva evropiane e rajonit, edhe pse jo plotësisht e humbur, u duk qartazi e zbehur nga deklaratat e zyrtarëve më të lartë të Bashkimit Evropian, sipas të cilëve unioni duhej të reformohej përpara se të pranonte anëtarë të rinj.

Pas ndalimit të zgjerimit të shpallur në vitin 2014 nga kreu i atëhershëm i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, Ballkanit Perëndimor iu ofrua një çmim ngushëllues: i ashtuquajturi Procesi i Berlinit, një nismë bashkëpunimi rajonal e promovuar nga Gjermania. Ishte një tjetër “transferim përgjegjësie”, një projekt bashkëpunimi i konceptuar brenda BE-së, dhe që më pas iu dorëzua Ballkanit Perëndimor për ta zbatuar dhe zhvilluar më tej.

“Balkani Hapur” synohej të ishte pikërisht e kundërta: një projekt autokton, i zhvilluar nga udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, që ishin të interesuar t’i tregonin Brukselit se ishin të aftë të promovonin bashkëpunimin rajonal.

Nisma u shpall në tetor 2019, me një deklaratë të nënshkruar në Novi Sad nga krerët e 3 vendeve të përfshira, e cila u pasua nga dy deklarata të tjera të përbashkëta, të nënshkruara në Tiranë dhe Ohër. Ideja ishte krijimi i një tregu të përbashkët, të ngjashëm me atë të BE-së, për të lejuar lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve (të ashtuquajturat “4 liritë”).

Secili nga vendet e përfshira në këtë nismë, i perceptoi në mënyrën e vet përfitimet e mundshme të nismës. Për Shqipërinë, hapja e kufirit me Kosovën do t’i lejonte shqiptarët e të dyja vendeve t’i gëzonin të katërta liritë pa asnjë kufizim.

Nga ana tjetër, Serbia shpresonte në një zbutje të marrëdhënieve me Kosovën, në atë që mund të shihej si një normalizim jo-zyrtar i marrëdhënieve mes dy vendeve. Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, kjo nismë do të përfaqësonte një mundësi për të rifituar vrullin politik në kontekstin rajonal, pasi Marrëveshjet e Prespës – dhe ndryshimi i mëvonshëm i emrit të vendit – kishin lënë një shije të keqe tek popullata por edhe politikanët lokalë.

Pavarësisht entuziazmit fillestar, sot nisma e “Ballkanit të Hapur” duket se ka hyrë në një rrugë pa krye. Arsyet e këtij dështimi janë të shumta. Dështimi lidhet pjesërisht me vetë strukturën e projektit, i promovuar kryesisht nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, pra nga dy liderë politikë të gatshëm të mbështesin çdo lloj nisme rajonale, me kushtin që të përfitojnë prej tyre në nivelin e brendshëm politik.

Së dyti, “Ballkani i Hapur” nuk arriti asnjëherë të përfshijë vende të tjera në rajon – si Mali i Zi, Bosnje Hercegovina dhe Kosova – të cilat mbetën mosbesuese ndaj nismës dhe preferuan të merrnin pjesë në Procesin e Berlinit.

Së treti, ndryshimet gjeopolitike, të shkaktuara nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, e nxitën BE-në të bënte një kthesë në politikën e saj të zgjerimit. Në mars të këtij viti, BE-ja vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnje Hercegovinën.

Disa muaj më parë, dritën jeshile e morën Moldavia dhe Ukraina. Rinisja e procesit të zgjerimit, i ka lënë në hije nismat si “Ballkani i Hapur”, e konceptuar si një alternativë ndaj bashkëpunimit të promovuar nga BE-ja. Njëkohësisht, angazhimi i ripërtërirë politik i BE-së për Ballkanin Perëndimor, e ka ringjallur çështjen e bashkëpunimit rajonal.

Procesi i integrimit evropian, nuk mund ta anashkalojë dialogun dhe kërkimin e zgjidhjeve për disa çështje me të cilat shoqëritë e pasluftës, siç janë ato ish-jugosllave, përballen në mënyrë të pashmangshme. Një rishikim i Procesit të Berlinit, që synon qartazi integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, mund të jetë një pikënisje e mirë.

Duke vendosur një objektiv të saktë, ai mund të shndërrohet nga një nismë tjetër paternaliste, e konceptuar nga burokratët e Brukselit pa njohje të thellë të dinamikave të rajonit, në një projekt të përqafuar me entuziazëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Një sinjal pozitiv në këtë drejtim, është fakti që në vitin 2023 u zhvillua në Tiranë samiti vjetor i Procesit të Berlinit, në dallim nga vitet e mëparshme kur ishin vendet e BE-së ato që e organizonin atë. Edhe pse kryesisht simbolik, ky ndryshim pasoi një nga idetë e pakta që nisma “Ballkani i Hapur” ka promovuar me sukses: qartësimi se është një projekt koherent, me protagonistë aktorë lokalë,. dhe duke pasur në qendër idenë e tregut të përbashkët rajonal dhe evropian.

Përafrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së unionit, duhet të jetë një kërkesë thelbësore për përparimin e rajonit drejt BE-së, duke e penguar Rusinë që të shfrytëzojë ndarjet e brendshme të rajonit.

Ky përafrim, është i nevojshëm në fazën aktuale të riorganizimit të rendit global, në të cilin BE-ja nuk ka luksin të ketë brenda saj një lider udhëheqës si Orbán. Kuadri gjeopolitik aktual, është dëshmuar vendimtar për angazhimin e ripërtërirë të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, por edhe për përfundimin e projektit “Ballkani i Hapur”.

Pavarësisht se dështoi të arrijë shumicën e objektivave të saj, kjo nismë arriti të mbushë pjesërisht boshllëkun politik dhe strategjik të krijuar si pasojë e të ashtuquajturës “lodhje nga zgjerimi” brenda BE-së. Kryeministri shqiptar Edi Rama, ka deklaruar se nisma “Ballkani i Hapur” ia ka arritur qëllimit, duke dërguar kështu një mesazh të qartë se Shqipëria po fokusohet në prioritete të tjera.

Në fakt, e ardhmja e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, kalon përmes një projekti të qartë të integrimit evropian, të promovuar nga Brukseli, pa lojëra teatrale dhe politike, si ato që janë parë nga udhëheqësit ballkanikë gjatë eksperimentit të dështuar “Ballkani i Hapur”.

Exit mobile version