“Ballkani i Hapur”, Shehu-Ramës: U bëtë mbështetës i Jugosllavisë së re, duke mënjanuar interesat e Kosovës  

Kuvendi ka nisur sot me interpelancën e thirrur nga deputeti i PD-së Tritan Shehu me kryeministrin Edi Rama, në lidhje me platformën e tij politike dhe hapat e ndërmarrë për ‘Open Balkan’. Deputeti Tritan Shehu tha se kjo nismë është në interes të Serbisë së Madhe, e rrezikshme dhe e panevojshme.

Në kërkesën e depozituar më 19 tetor në Kuvend, deputeti demokrat rendit 14 pika në lidhje me këtë temë, ku kërkon të dijë avantazhet dhe dobitë në procesin e bashkëpunimit rajonal, teksa e cilëson si një nisme të presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

“Kemi të bëjmë me mbivendosje të dy projekteve, të Serbisë së Madhe dhe Jugosllavisë së re, dhe ju si kryeministër u bëtë mbështetës i saj, duke mënjanuar interesat e Kosovës. Sot lexohet qartë tek ajo që po ndodh në Bosnje, apo në Malin e Zi apo në çështjen e kufirit mes Serbisë dhe Kosovës”.

“Ju jeni përfshirë në një projekt të rrezikshëm dhe të dështuar. Ai projekt është antievropianist, që do të jetë nën kontrollin serb dhe kundër Kosovës. Unë gjykoj se një cilësim të mirë e ka dhënë ministri i jashtëm i Malit të Zi që thotë se është një nismë e panevojshme. Nisma është e panevojshme dhe shkakton dëme të mëdha. Kjo nismë do të dështojë, ashtu dhe siç është parë. Kjo bie ndesh me interesat tona, Kosovën si dhe me interesat e drejt integrimit në BE”, tha Shehu.

Exit mobile version