Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka paralajmëruar se Bashkimi Evropian duhet të pranojë anëtarë të rinj nga krahu i tij lindor dhe Ballkani Perëndimor, ndryshe do të përballet me një “Perde Hekuri”.
Deklarata e Michel u bënë teksa blloku feston 20 vjetorin që nga zgjerimi i madh i vitit 2004, kur 10 vendeve iu garantua anëtarësimi.
“Zgjerimi është jetik për të ardhmen e BE-së sepse pa zgjerim rrezikojmë një “Perde të re Hekuri” dhe kjo do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme, sidomos nëse kemi një fqinj ku mungojnë prosperiteti dhe zhvillimi ekonomik. Këto janë interesa të përbashkëta të vendeve kandidate dhe BE-ja duhet të bëjë progres në përshpejtimin e procesit. Jam besimplotë sepse e ndjej, se liderët evropianë, ose shumica e tyre, janë të bindur se kjo është e rëndësishme për të ardhmen”, deklaroi Charles Michel.
Nëntë vende po presin t’i bashkohen Bashkimit Evropian, përfshirë Ukrainën e dërrmuar nga lufta. Por procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe kompleks, pa harruar se anëtarësimi i plotë kërkon një aprovim unanim nga shtetet anëtare.
Hungaria ka kërcënuar tashmë se do të përdorë fuqinë e vetos për të penguar anëtarësimin e Ukrainës, por Michel është besimplotë se kjo nuk do ta ndalë bllokun në shqyrtimin e kandidaturave.