Ballkanizimi i Evropës

Probleme me nacionalizmin, kriza ekonomike, përçarjet. Është njësoj sikur të flisnin për ish-Jugosllavinë e viteve ‘80-të. Por në fakt fjala është për BE-në.
Në një ditë shkurti të vitit 1992, në qytetin e vogël holandez Maastricht, Bashkësia Evropiane ndërrroi emrin në Bashkim Evropian, që është një projekt i suksesshëm. Por ana e errët e problemeve po e rrezikon qëndrueshmërinë e BE-së. Askush mbase nuk ka mundur të kuptojë problemet që fshiheshin në vetë djepin e BE-së. Ndërsa vazhdimi i injorimit të tyre, mund të cenojë vetë ekzistencën e BE-së.
Një prej mëkateve të para të BE-së ka qenë vlerësimi i gabuar i krizës në ish-Jugosllavi. BE nuk ka vepruar sa duhet për evitimin e shpërthimit të konflikteve. Në njërën anë lindi BE-ja, ndërsa në anën tjetër shkatërrohej Jugosllavia. BE nuk ishte konseguente në reagime.

Xhuxhi politik
Gjermania e bashkuar nuk e solli me vete në Maastricht vetëm ekonominë e fuqishme, por edhe dobësitë nga historia. Në kohën e Luftës së Ftohtë, Gjermania ishte një gjigant ekonomik dhe një liliput politik. Kjo veçori ka kaluar më pas edhe tek BE. Në këto 25 vitet e fundit, xhuxhi nuk është rritur fare. Kanë dështuar të gjitha përpjekjet për rritje artificiale. Për shembull, mungon një politikë konseguente ndaj Ballkanit, i cili tani sërish po u kthehet problemeve rrënjësore.

Përçarjet e brendshme
Në planin e brendshëm nuk është arritur uniteti i duhur. Qëndrimi i ngurtë i Gjermanisë në kohën e krizës financiare dhe zemërgjerësia në kohën e krizës së refugjatëve, janë mbase një prodhim i logjikës së tanishme financiare dhe humane gjermane. Por problemi është që këto dy qëndrime kanë ardhur në fund dhe jo në fillim të këtyre problemeve. Për shembull, Greqia është pranuar në Eurozonë edhe pse dihej që në fillim se ka probleme të mëdha. Kjo ka ndodhur edhe me pranimin e Bullgarisë, Rumanisë dhe Kroacisë në BE. Marrëveshja e Dublinit për refugjatët e ka mbrojtur për një kohë të gjatë Gjermaninë nga vërshimi i refugjatëve. Por edhe kjo ndodhi, pasi Mesdheu u shndërrua në një varrezë masive.
Përcaktimi amerikan për përdorimin e dhunës nuk ka qenë gjithmonë në interesin e BE. Kjo logjikë ka shkaktuar jo vetëm shkatërrimin e disa vendeve në fqinjësi, por edhe mungesën e solidaritetit. Duket se solidariteti po merr fund ngadalë dhe kjo ka rezultuar me Brexitin, problemet me Varshavën, Hungarinë… Putini, Erdogani dhe Trumpi ante portas – që nuk e lehtëson fare problemin.

Para shkatërrimit?
Gjendja aktuale në BE të kujton gjithnjë e më shumë ish-Jugosllavinë. Por për fat të keq, 25 vitet e fundit duket se kanë shënuar fillimin dhe jo fundin e një tendence të keqe. Elitat neoliberale duket se e kanë nënvlerësuar në tërësi frikën e njerëzve që të mos mbeten në anën e humbësve. Nacionalizmi tani është shndërruar në një pjesë të rëndësishme të politikëbërjes në disa qendra perëndimore. Në Vjenë për pak nuk u vendos në stolin më të rëndësishëm një fashist. Para nesh kemi zgjedhje me epilog të paqartë në Holandë dhe Francë. Zgjedhje do të ketë në shtator edhe në Gjermani.

Po tani?
Formula e shpëtimit është në fakt shumë e thjeshtë: uniteti i vendeve anëtare jo vetëm brenda, por edhe në paraqitjen e jashtme të BE-së. Më mirë është të investohet në fillim se sa të intervenohet pas krizës. Në shtigje të gjata, shpenzimet me siguri që janë më të ulëta nëse punohet në evitimin e krizave. Solidariteti brenda BE duhet të jetë i vërtetë, gjendja financiare e qëndrueshme, ndërsa vendet anëtare të gatshme të veprojnë. Ndryshe BE do të dështojë. Koha po kalon.

Artikulli paraprakFillon ndërtimi i zonës së re urbane në veri të Mitrovicës
Artikulli tjetërMarine Le Pen nuk do të jetë kurrë presidente