Thomas Strakosha vijon të marrë vëmendjen sportive në Itali, me paraqitjet e mira që po e shoqërojnë, nga një ndeshje në tjetrën. Portieri i kombëtares shqiptare u zgjodh për të 3-ën herë radhazi, portieri më i mirë i javës në Serinë A, nga ‘WhoScored.com’.
Së fundi, Strakosha ka marrë elozhe edhe nga ish-portieri i Lazios dhe Interit, Marco Ballotta. Ky i fundit është shprehur se, Strakosha ka sjellje prej veterani dhe do të jetë portieri i Lazios për 10 vitet e ardhshme.
“E kam thënë edhe herë të tjera. Strakosha ka sjellje prej veterani, nëse shikon se si vendoset në portë dhe si drejton repartin e mbrojtjes. Është ende i ri dhe ndoshta do të bëjë edhe ndonjë gabim, por mund t’ju them se me të, Lazio ka gjetur portierin e duhur, për të paktën 10 vitet e ardhshme”, tha Ballotta.