Prokuroria ka lëshuar urdhërarrest për Agim Kajmakun, ish-kryetarin e Bashkisë së Vorës, të cilit më herët iu hoq mandati nga KQZ, për shkak se kishte gënjyer në formularin e dekriminalizimit.
Mësohet se Policia e ka shpallur në kërkim Kajmakun, pasi ai nuk gjendet në banesën e tij. Akuza që rëndon mbi Kajmakun është ajo e shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të formularëve, dhe ushtrimit të funksioneve pas dhënies fund të detyrës.
‘’Prokuroria e Rrethit Gjyqesor Tirane, ka shpallur ne kerkim me mase sigurimi me arrest ne burg, ne lidhje me hetimin qe zhvillohet ne ngarkim te shtetasit Agim Kajmaku, i dyshuar per kryerjen e veprave penale, Shperdorim detyre, sipas nenit 248 te Kodit Penal, fallsifikimi i formulareve, neni 190 i Kodit Penal, dhe Ushtrimi i funksioneve pas dhenies fund te detyres, neni 249 i Kodit Penal”, njofton prokuroria e Tiranës.
Prokurori që ka firmosur arrestimin e Kajmakut është Kolë Hysenaj, i cili më herët kishte refuzuar përfundimin e hetimeve për lobimin rus të Lulzim Bashës.
Përplasja Kajmaku-Balluku
Vora u kthye dhe në një arenë përplasjesh brenda vetë klaneve në PS, ku ministrja Belinda Balluku kërkoi që të vendoste në krye të Bashkisë Laureta Omerin, një nga nënkryetaret e saj të besuara, të cilën Kajmaku e shkarkoi ditën e fundit të qendrimit të tij në detyrë.
Përpara se KQZ ta shkarkonte, Kajmaku ka shkuar në zyrën e tij, dhe ka shkarkuar dy nënkryetarët e bashkisë: Muca dhe Laureta Omeri.
Në vend të tyre, ka emëruar vetëm një nënkryetar bashkie, shefin e tij të kabinetit, Gent Picari, dhe pikërisht ky veprim i tij ka shtuar dhe një akuzë siç është ajo e ushtrimit të funksioneve pas dhënies fund të detyrës.
Në këto kushte, Këshilli bashkiak është i detyruar ta caktojë Picarin, të besuarin e Kajmakut, në krye të bashkisë.
Nga ana tjetër zgjedhjet në Bashkinë e Vorës mbahen peng nga ana e presidentit Meta, i cili njësoj si në rastin e Shkodrës nuk ka dekretuar një datë të re për mbajtjen e tyre, pasi nuk i njeh votimet e 30 Qershorit, nga ku doli kryetar dhe Kajmaku.
Fotoja më poshtë është e bërë crop nga Ligji Kushtetues 76/2016 i miratuar njëzëri si pjesë e paketës Kushtetuese në vitin 2016. Ky Ligj përcakton në mënyrë të qartë sesi është radha e emërimeve nga organet e emërtesës për gjykatësit kushtetues.