Mario Baloteli përbën gjithnjë lajm, si kur gabon ashtu edhe kur i bien më qafë padrejtësisht. Sulmuesi italian ishte protagonisti i Nisës në fitoren 2-1 kundër Lorientit të dielën. 26-vjeçari u ndëshkua me karton të verdhë, pasi hoqi fanellën gjatë festimit të golit të fitores në minutën e 86-të, ndërsa në të 90’-ën u përjashtua me të kuq pas një zënke me Stiven Moreirën e Lorientit.
Menjëherë pas kartonit të dytë të verdhë, i tërë opinioni sportiv francez i doli në mbrojtje “SuperMarios”, duke e cilësuar përjashtimin e tij si një nga më absurdët dhe të padrejtët në historinë e futbollit. Madje, bomberit italian pritet t’i hiqet kartoni i kuq nga Komisioni Disiplinor i Federatës Franceze të Futbollit në mbledhjen e kësaj të enjteje. Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i teknik i arbitrave, Paskal Garibian, sipas të cilit gjyqtari i ndeshjes e ka kuptuar gabimin e bërë.
“Olivier Thual (arbitri), pasi e pa ndeshjen pranoi se të dy kartonët e verdhë kundër Balotelit dhe Moreirës ishin të gabuar dhe nuk duhej të ishin nxjerrë. Gjyqtari është i gatshëm ta konfirmojë zyrtarisht këtë edhe para Komisionit të Disiplinës, të cilit i takon të vendosë përfundimisht”, shpjegoi Garibian për të përditshmen sportive franceze “L’Equipe”.
Nëse falet, sikurse janë të gjitha gjasat, atëherë Baloteli do të jetë në dispozicion të kryesuesve të Ligës 1 për ndeshjen kundër Lionit më 14 tetor, pas pushimit të kampionatit për shkak të angazhimeve të kombëtareve.
Mario Baloteli nuk zhgënjen kurrë, në të mirë dhe në të keq. Idhulli i ri i Nicës rezultoi vendimtar për ekipin kuqezi, që kthehet në krye të kampionatit francez, pasi mposhti 2-1 Lorient. Falë një magjie të SuperMarios në minutën e 86-të, vendasit arritën të merrnin tri pikët, edhe pse në kohën shtesë sulmuesi italian mori dy kartonë të verdhë brenda pak minutave. Të verdhën e parë e mori, pasi hoqi bluzën në momentin e festimit të golit, ndërsa me të dytin u ndëshkua pas një zënke kokë më kokë me Morieran, me arbitrin kryesor që nuk ngurroi për t’i ndëshkuar të dy protagonistët.
Në fakt, Nica mundi të shënonte që në pjesën e parë me Ricardon, por Moukanjdo kthehu baraspeshën në minutën e 60-të, për të ardhur më pas te spektakli i dhuruar nga Baloteli me një të djathtë perfekte që përfundoi në trekëndesh. Për SuperMarion, ky ishte goli i pestë në kampionatin francez, dhe i gjashti në total, pasi ka realizuar edhe në Europa League. Java e 8 e ligës së parë franceze e uli siparin me takimin mes Lyonit dhe Sant Ettienit, që përfundoi me fitoren e pestë 2-0 të vendasve që shënuan në fund të çdo pjesë me Darder dhe Gezzal.