E ardhmja e Mario Ballotelit duket larg Europës. Forma jo e mirë që sulmuesi i Milanit po kalon, ka bërë që për 25-vjeçarin të projektohet vazhdimi i karrierës në një tjetër kontinent, sipas gjasave në Azi. Për sulmuesin interesohet ekipi nga Kina, Jiangsu Suning. Edhe pse në ligat e mëdha europiane askush nuk e dëshiron Balotellin, drejtuesit e klubit kinez janë të gatshëm t’i ofrojnë lojtarit një pagë stratosferike prej 15 milionë eurosh në sezon. SuperMario u transferua te Milani gjatë merkatos së verës, pas këmbënguljes së trajnerit Sinisa Mihajloviç. Por, forma e dobët e shfaqur te kuqezinjtë ka bërë që drejtuesit e “Djallit” të mos ia rinovojnë huazimin edhe për një sezon tjetër.
Balotelli u largua nga Liverpooli drejt Milanit deri në fund të sezonit, por duket se lojtari nuk bën pjesë në projektin e trajnerit të “The Reds”, Jurgen Kloop për sezonin e ardhshëm. Paraqitjet larg pritshmërive, si në Premier League ashtu edhe në Serinë A, kanë bërë që sulmuesi të humbasë dhe vendin e titullarit te kombëtarja italiane, duke rrezikuar të mbetet jashtë Kampionatit Europian, “Francë 2016”.
Shtohen raportimet në shtypin britanik rreth të ardhmes së portierit gjerman të Barcelonës, Andre Ter Stegen. “Daily Telegraf” ka njoftuar se 23-vjeçari do të firmosë për Manchester City-n, që do të paguajë në arkat e klubit katalan 25 milionë euro. Në javët e fundit Ter Stegen ka insistuar se dëshiron të jetë zgjedhje e parë në portë në të gjitha kompeticionet, pra synon që të luajë titullar edhe në takimet e La Ligas, ku i preferuari i Enriques është Bravo. Aktivizimi në ndeshjet e Kupës së Mbretit dhe në Champions League nuk i përmbush ambiciet e tij te Barcelona, ndaj ka kërkuar që të diskutojë me drejtuesit në fund të sezonit për situatën e tij.
Pakënaqësia, që ka ardhur si rrjedhojë e ndarjes së minutazhit në portë me Claudio Bravon, e ka shtyrë Ter Stegenin t’i thotë “po” insistimit të Citizens, që nga vera e ardhshme do të drejtohen nga Pep Guardiola. Trajneri aktual i Bayernit, gjithmonë ka rezervuar fjalë të mira për 23-vjeçarin, i cili ka një klauzolë largimi nga Barcelona që kap shifrën e 80 milionë eurove. Drejtuesit “Blaugrana” nuk dëshirojnë të privohen nga një portier i ri dhe me shumë perspektivë, por nga ana tjetër janë të kënaqur edhe me paraqitjet e Bravos, i cili ka shfaqur siguri në portë. Në fund të sezonit menaxheri i Ter Stegenit do të ulet në tryezë me kupolën drejtuese të Barçës për të gjetur zgjidhjen më të mirë për të dyja palët. Një gjë është e sigurtë: Blaugranat do të bëjnë gjithçka për ta bindur që të qëndrojë në “Camp Nou”.