Mario Balotelli te Nice edhe sezonin e ardhshëm. Mbrëmjen e të dielës sulmuesi italian hodhi firmën mbi kontratën e re që do ta mbajë të lidhur me skuadrën nga juglindja e Francës, edhe për një tjetër vit. Do të vazhdojë në këtë mënyrë historia e dashurisë mes Nicës dhe 26-vjeçarit. Sezoni i parë i Balotellit me skuadrën franceze ishte më shumë sesa pozitiv, sepse Supermario me 17 golat e tij ndihmoi skuadrën e Lucien Favre ta mbyllte kampionatin në vendin e 3-të dhe të siguronte kualifikimin në play offin e UEFA Champions League.
Lajmi për rinovimin e kontratës fillimisht u publikua nga klubi Nice në faqen zyrtare, ndërkohë më pas vetë sulmuesi në profilin e tij në Instagram nuk mund ta fshihte kënaqësinë që do të vazhdojë të qëndrojë te Nice. “Dikush është i lumtur? Unë jam”, lexohet në postimin e Balotellit në Instagram. Historia e bukur e 26-vjeçarit te Nice do të vazhdojë edhe për një tjetër sezon, me Balotellin që tashmë do të ketë mundësinë të vihet në evidencë, edhe në Champions League nëse Nice e Lucien Favre do të sigurojë kualifikimin në fazën e grupeve të këtij kompeticioni. Në këtë mënyrë nëse bën paraqitje të mira me skuadrën franceze, verën e ardhshme që do të jetë një lojtar i lirë, Balotelli mund të jetë një nga futbollistët më të kërkuar në merkato.