Ban Ki Moon kërkon rishpërndarjen e 480 mijë emigrantëve nga Turqia

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon ka kërkuar që të gjithë shtetet e globit të luajnë rolin e tyre, për t’u bërë pjesë e një plani që ka si synim rishpërndarjen e 480.000 refugjatëve brenda tre viteve të ardhshme.

Ai tha se pret një përgjigje solidare nga krerët e shteteve për t’i dhënë përgjigjen e duhur qindra mijëra azil-kërkuesve që po largohen nga shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar luftës.

Sipas planit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, emigrantët duhet të zhvendosen nga Libani, Turqia dhe Jordania, pasi numri i refugjatëve që janë strehuar në këto tre vende i ka kaluar disa milionë.

Moon: Agjencia e OKB-së për refugjatët ka përllogaritur se të paktën 10% e emigrantëve sirianë kanë nevojë që të rishpërndahen në vende të sigurta. Për të qenë më konkretë, bëhet fjalë për 480.000 persona, shifër kjo relativisht e ulët po të shohim miliona azil-kërkues që po qëndrojnë aktualisht vetëm në Turqi, Liban dhe Jordani.

Ndërkohë, në të njëjtën linjë ka qëndruar edhe komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatët, Filippo Grandi, i cili theksoi se emigrantët nuk duhet thjesht që të rishpërndahen.

Ai bëri thirrje që atyre t’u rezervohet një pritje humane, duke iu dhënë mundësi për t’u ribashkuar me familjet e tyre, si dhe duke iu ofruar punësim ose shkollim. Sipas tij, në rast se ky plan do të zbatohet me sukses të gjithë do të dalin të fituar.

Exit mobile version