Nga Boldnews.al
Avdulajt e Shijakut konsiderohen një prej grupeve më të fuqishme kriminale në vend. Ata u goditën së fundmi, falë insistimit të autoriteteve gjermane, të cilët kishin identifikuar këtë grup si një prej furnizuesve të tregut të vendit të tyre me droga të forta, kokainë dhe heroinë.
Policia shqiptare, pavarësisht se ka njohuritë e duhura për aktivitetin e këtij grupi kriminal, nuk ka ndërhyrë asnjëherë gjatë 5 viteve të fundit të qeverisjes së “Rilindjes”. Detajet nga dosja hetimore e Prokurorisë për Krime të Rënda në ngarkim të tyre zbulojnë arsyen e vërtetë se përse Avdulajt, megjithëse ishin tepër aktiv në trafikun e narkotikëve, nuk u goditën nga Policia e Shtetit.
“Sekreti” i suksesit të Avdulajve qëndron në faktin se ata kanë bashkëpunuar me zyrtarë të ndryshëm të Partisë Socialiste, e cila kontrollon në çdo qelizë Policinë (e pavarur, sipas ligjit) të Shtetit.
Në bazë të elementëve hetimorë, të publikuar deri më tani, rezultojnë se Avdulajt kanë pasur kontakte me zyrtarë dhe eksponentë të rëndësishëm të Partisë Socialiste në 4 drejtime të ndryshme:
1. Hetimi për Avdulajt ka nisur zyrtarisht kur, me urdhër dhe insistim të Prokurorisë së Kavajës, policia e atij qyteti arrestoi në automjetin e kryetarit të degës së Partisë Socialiste, Gentian Daja, dy persona të kërkuar për shitje dhe tregtim lëndësh narkotike të forta, Ramadan Shabani dhe Endrit Duka.
Në momentin e arrestimit, në mjetin Audi të Gentian Dajës ishte në timon i kërkuari Shabani. Të arrestuarve iu gjet në flagrancë edhe një sasi lënde narkotike kokainë. Nga ky episod nisi hetimi për bashkëpunëtorët e dy të arrestuarve në Kavajë, ku u arrit deri tek Avdulajt e Shijakut. Por, natyrisht, hetimi i autoriteteve shqiptare u bazua më së shumti në të dhënat e mbërritura nga autoritetet gjermane, ku Avdulajt dyshohet se trafikonin lëndën narkotike.
2. Gjatë hetimit për Avdulajt, prokuroria arriti të identifikonte edhe përfshirjen në korrupsion të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çuko. Ky i fundit, ish-deputet i Partisë Socialiste deri në qershor të vitit 2017, u emërua nga ministrja e Drejtësisë, me porosi të Kryeministrit Edi Rama, në krye të Burgjeve.
Nga përgjimet mbi Avdulajt, rezultoi se një anëtar i bandës kishte ndërhyrë tek Arben Çuko për transferimin e një të burgosuri nga burgu i Burrelit në një më afër me Tiranën. Në këmbim të këtij “favori”, Çuko do të paguhej me 3 mijë euro.
3. Po gjatë hetimit të Avdulajve, prokurorët zbuluan një lidhje të tyre me familjen Ndoka nga Lezha, e cila ka si personazh kryesor Arben Ndokën, ish-deputet i Partisë Socialiste. Ndoka humbi mandatin e deputetit për shkak të ligjit “Për dekriminalizimin”. Por, gjithësesi, ai vijoi aktivitetin e tij politik për Partinë Socialiste në Lezhë dhe u pa shpesh, në daljet publike, në krah të kryeministrit Edi Rama.
Nga përgjimet e Avdulajve, rezultoi se dy anëtarë të familjes Ndoka janë arrestuar për mbajtje narkotikësh, të cilën e kishin siguruar nga Avdulajt. Gjithashtu, disa anëtarë të tjerë të Ndokave, përfshirë ish-deputetin, u arrestuan në bazë të përgjimeve për Avdulajt, si të dyshuar për tjetërsim të pronave në bregdetin e Lezhës.
4. Lidhja e katërt dhe më e fuqishme e Avdulajve është ajo me kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Gjithësesi, për këtë pistë, Prokuroria për Krime të Rënda dhe Policia e Shtetit nuk dhanë asnjë informacion në konferencën e tyre për media, ku, triumfatorë, paraqitën rezultatet e këtij operacioni të gjerë.
Partia Demokratike ka deklaruar shpesh se Avdulajt i kanë shërbyer Vangjush Dakos dhe Partisë Socialiste për të siguruar vota për maxhorancën gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare, të zhvilluara në qershor 2017. Për të mbështetur këtë qëndrim, opozita, krahas informacioneve që posedon, ka publikuar pak kohë më parë edhe një video, ku Vangjush Dako dhe deputeti i ri, Jurges Çyrbja, festonin me Avdulajt fitoren e Partisë Socialiste në votimet e vitit të kaluar.