Banka: 134 milionë euro investime sekrete

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

Shtetet e origjinës nga të cilët kanë ardhur 80% e Investimeve të Huaja Direkte për tremujorin e parë 2017 mbeten të “panjohura”.
Banka e Shqipërisë ka publikuar dje të dhënat e Investimeve të Huaja Direkte sipas shtetit të origjinës dhe aktivitetit ekonomik për periudhën janar-mars të këtij viti. Në total, investimet e huaja ishin 168 milionë euro.
Sipas aktivitetit ekonomik, sektorët që po tërheqin më shumë investime janë tepër të kufizuar. Në tre muajt e parë të vitit, 70 milionë euro kanë ardhur nga industria nxjerrëse, ku investitori më i madh është Bankers Petroleum. Këto investime janë kryesisht në hapjen e puseve. Pasi ishin zero në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit, për shkak të çmimeve të pafavorshme të naftës në bursa, në 6 muajt e fundit, investimet në naftë rezultojnë të jenë rritur ndjeshëm (në tremujorin e katërt 2016 ishin 56 mln euro).
Sektori i dytë, që arrin në 69 milionë euro, nuk jepet për arsye konfidencialiteti, por këtu përfshihen investimet në energji dhe kryesisht ato për punimet e gazsjellësit TAP, i cili edhe këtë vit është në një fazë intensive punimesh, që pritet të përfundojnë më 2019-n.
Të dy këta sektorë përbënin 82% të totalit të investimeve në tremujorin e parë të vitit. Përqendrimi i investimeve jep alarmin për nevojën e diversifikimit të tyre në të ardhmen.
Sipas sektorëve, 14 milionë euro të tjera janë aktivitete financiare dhe të sigurimit dhe 10 milionë euro janë aktivitete të pasurive të paluajtshme.
Sipas shtetit, për 134 milionë euro ose 80% e investimeve nuk jepet origjina për arsye konfidencialiteti. Këtu përfshihen sërish investimet e TAP, që është një konglomerat kompanish nga shumë vende. Edhe për investimet e Bankers nuk jepet origjina, pasi kompania u shit në fund të vitit të kaluar te kinezët e Jeo Jade (më parë Bankers konsiderohej investim kanadez).
Më pas renditen Austria me 20 milionë euro dhe Italia me 17 milionë euro. Franca dhe Kosova kanë investuar nga 2 milionë euro secila në tre muajt e parë të vitit.

Investimet e huaja u ngadalësuan në tremujorin e parë

Investimet e huaja arritën në 168 milionë euro në tremujorin e parë të vitit 2017, duke u rritur me 8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, pavarësisht përmirësimit të lehtë, investimet e huaja kanë shënuar nivelin më të ulët pas tri tremujorëve radhazi kur kishin njohur rritje të fortë.
Shifrat janë bërë të ditura më herët në raportin e bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas analizës së bankës, fluksi hyrës neto i investimeve direkte shënon 168 milionë euro (ose +8% në terma vjetorë), nga të cilat 188 milionë euro vijnë në trajtën e zgjerimit të kapitalit dhe një fluks negativ prej 20 milionë eurosh i derivuar nga marrëdhëniet e borxhit mes kompanive të lidhura.
Prurjet valutore në formën e investimeve direkte janë të përqendruara në sektorin e energjetikës (me rreth 41%), hidrokarbureve (në masën 37%), e ndërmjetësimit financiar (në masën 6%). Ndërkohë që rritja më e madhe e fluksit vërehet në sektorin e energjetikës. Në terma vjetorë, injektimi me kapital u zgjerua ndjeshëm në masën 50%.
Dy vitet e fundit, investimet e huaja janë ndikuar ndjeshëm nga punimet për gazsjellësin TAP dhe ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Devoll. Por, shqetësimi lidhet me faktin që këto dy projekte janë afatshkurtra në kohë dhe kërkohet diversifikim në afatin e mesëm. Nga ana tjetër edhe investimet në sektorin e hidrokarbureve janë të varura nga bursat ndërkombëtare. Në vitin 2015, investimet në hidrokarbure (që janë kryesisht hapje pusesh) ranë ndjeshëm për shkak të çmimeve të ulëta të naftës. Ndërsa më 2016-n dhe tremujorin e parë 2017 është vënë re një gjallërim i tyre për shkak të çmimeve më të favorshme në bursa.

Kredia për ekonominë, në rënie edhe gjatë muajit maj

Kreditimi i ekonomisë pësoi rënie edhe gjatë majit, duke konfirmuar një ecuri mjaft të dobët në pjesën e parë të vitit. Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, kredia arriti vlerën e 544.4 miliardë lekëve, me një rënie të mëtejshme prej rreth 1 miliard lekësh krahasuar me prillin. Me bazë vjetore, kredia është sërish në rënie, me 1.2% më pak ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Megjithëse Banka e Shqipërisë në muajt e fundit raporton për rritje të kreditimit, kjo bëhet duke i shtuar portofolit edhe kreditë e fshira gjatë periudhës. Kreditë e fshira, nga njëra anë kanë ndihmuar në uljen e raportit të kredive me probleme, por nga ana tjetër e kanë tkurrur edhe portofolin total të kredisë së sistemit bankar. Një faktor tjetër që mund të ketë një efekt të vogël në statistikat e kredisë është edhe kursi i këmbimit.
Duke qenë se raportimi bëhet në lekë, zhvlerësimi i euros në kursin e këmbimit e ul vlerën e konvertuar të portofolit të kredisë në monedhën europiane, që përbën rreth 60% të totalit. Në tërësi, kreditimi nuk ka sinjale për një përtëritje të shpejtë, me gjithë një ecuri pozitive në segmente të veçanta, sidomos tek kreditimi i individëve dhe tek kredia në monedhën vendase.
Kreditimi i biznesit ngelet ende një pikë e dobët, përcaktuese për rënien e kredisë. Në fund të majit, portofoli i kredisë për biznesin ishte në rënie me 4.3% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Kredia për biznesin përbën rreth 62% të totalit, ndaj një rritje e mirëfilltë e kreditimit është shumë e vështirë pa zgjeruar huadhënien për sipërmarrjen.
Sidoqoftë, një faktor me ndikim të konsiderueshëm në frenimin e kreditimit kanë qenë edhe zgjedhjet e muajit qershor. Periudhat parazgjedhore në Shqipëri karakterizohen nga një sjellje hezituese e bizneseve në ndërmarrjen e investimeve të reja. Mund të shpresohet se, pas zgjedhjeve, edhe aktiviteti kreditues do të përmirësohet, në linjë me ecurinë pozitive të treguesve kryesorë makroekonomikë.

Ndryshimet e reja në Kodin Doganor, ja sa bëhen gjobat e reja për biznesin

Disa ndryshime në Kodin e ri Doganor që kanë hyrë në fuqi më herët në fillim të këtij muaji përcaktojnë një mënyrë të re për sanksionet kundër veprimeve apo mosveprimeve që përbëjnë shkelje të rregullave doganore. Në një material sqarues që Këshilli i Investimeve ka bërë në kuadër të hyrjes në fuqi të ndryshimeve në Kodin Doganor thuhet se, shkeljet diferencohen nga mënyra e sjelljes së shkelësit, niveli i ashpërsisë dhe disa kategorizohen nisur nga fakti se a ka pasur qëllim apo neglizhencë. Që nga ky muaj aplikohen shkallë efektive, proporcionale dhe dekurajuese të sanksioneve, në varësi të shkeljes. Kur aplikohen sanksionet, Administrata Doganore merr në konsideratë natyrën dhe rrethanat e shkeljes, duke përfshirë shpeshtësinë dhe kohëzgjatjen, nëse një “tregtar i besuar” është i përfshirë dhe shumën e detyrimit të shmangur. Janë vendosur afate kohore për të ndjekur shkeljet dhe procedurat administrative do të duhet të pezullohen në qoftë se një procedurë penale është e hapur për të njëjtën çështje. Janë vendosur afate kohore të qarta për parashkrimin. Me normat e reja ligjore kundërvajtje administrative është shkelja e dispozitave ligjore ose nënligjore në fushën doganore, të kryera me veprim ose mosveprim dhe për të cilat Kodi parashikon dënim administrativ. Kontrabandë janë veprat penale të sanksionuara në Kodin Penal që cenojnë marrëdhëniet shoqërore që janë vendosur për funksionimin normal të doganave në Republikën e Shqipërisë dhe për mbrojtjen e interesave ekonomike të saj, në përputhje me përcaktimet e bëra në nenet 266 dhe 267 të këtij Kodi.
Janë zvogëluar dhe thjeshtuar nenet e shkeljeve doganore administrative. Sanksionet dhe gjobat janë më të ulëta si më poshtë;
– Kundërvajtjet me përgjegjësi objektive 1-fish janë 20 000–50 000 lekë;
– Kundërvajtje të kryera në neglizhencë 2-fish janë 50 000–500 000 lekë;
– Kundërvajtje të kryera me dashje 3-fish janë 1 000 000 lekë.

Exit mobile version