Nga Jorida TABAKU
Nuk ka gjë më të rëndë për një shtet se sa shndërrimi i pushtetit legjislativ në një noter që voton dhe firmos çfarë t’i shkojë në mendje qeverisë apo pronarëve të ministrave (pra oligarkëve). Gjithsesi përpara disa ditësh parlamentarizmi shkoi edhe më poshtë, pasi në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave u diskutua projekt-ligji i famshëm i Korporatës së Investimeve Shqiptare.
Mirëpo e veçanta e mbledhjes ishte se projektligji në fjalë nuk kish ardhur përmes një rruge zyrtare me protokoll. Jo! Komisioni kish vendosur që të shqyrtonte një projektligj që sekretariati i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave ia ka çuar kryetarit të Komisionit me email. Praktikisht parlamenti, institucioni më i lartë sipas kushtetutës në vend, nuk respekton as vetë rregullat bazë të diskutimeve proceduriale dhe marrjes së ligjeve. Tanimë është normale që qeveria (më saktë oligarkët) të komandojë parlamentin dhe deputetët përmes sekretarëve të ministrive.
Siç edhe kuptohet nga projektligji, qeveria ka bërë vetëm disa ndryshime estetike në këtë draft të ri. Shumica e kërkesave dhe vërejtjeve që i janë paraqitur qeverisë dhe mazhoranës nga institucionet serioze si BB dhe FMN nuk janë pasqyruar. Madje Banka Botërore ka kundërshtuar pohimet e mazhorancës në lidhje me projektligjin. Në një letër të drejtuar kryetarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave ato nënvizojnë se shqetësimet e BB-së për draftin mbeten të pa adresuara.
Problemi në lidhje me mandatin e zgjeruar dhe portofolin e madh institucional që ka KISH e cila është edhe manaxhere pronash, edhe pronare por edhe invesitore nuk kanë gjetur rrugëzgjidhje logjike dhe ligjore. Sakaq BB vëren me të drejtë se propozimet e qeverisë për të supervizuar, rregulluar apo dhe audituar veprimet e KISH janë shumë të dobëta. Sikundër dhe mungesa e një analize të riskut financiar dhe ekonomik sa i takon borxhit publik.
Shqetësimet e BB janë mëse korrekte dhe parashtrojnë disa pika kyçe të hajdutërisë që po tenton të shndërrohet në ligj nga Parlamenti. I cili, siç dhe u tha nga deputetët, do të votojë brenda dy javësh në favor të projektligjit që vjedh pronat e qytetarëve dhe ua jep oligarkëve. Rruga që kryeministri Rama ka nisur të marrë do të jetë një kosto e lartë që shqiptarët do të mbajnë mbi supet e tyre. Pushteti i oligarkëve është tanimë aq i madh saqë me gjasë projektligjet e radhës do t’i shkojnë komisionit nga sekretaret e oligarkëve në email.
Kjo përbuzje ndaj shtetit dhe Kushtetutës është shembulli më i shëmtuar se si duhet të sillen deputetët e një Parlamenti. Natyrisht këtë ndjesi nuk mund ta kenë deputetë që kanë dalë ose nga paraja e krimit të organizuar apo nga ajo e oligarkëve. Shqipëtarët duhet t’i japin drejtim vendit dhe zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja mundësi. Një parlament-noter është ëndrra e çdo trafikanti dhe oligarku madje e çdo qeveritari që shqiptarët i përdor për t’i mjelë kursimet e për t’i ndarë kursimet e tyre me monopolet dhe oligarkët e tenderave.
Prandaj nuk mund të pritet më asgjë, as taksa më të ulëta, as më shumë shërbime, as më pak informalitet, as ligje më të drejta dhe as konkurencë!
Misioni e funksioni i këtij parlamenti ka përfunduar!